Fillimisht na kyçi Rama, tani na mbylli EUROPA për fajin e kryeministrit!
Bashkimi Europian zyrtarizon vendimin për të mos hapur kufijtë për Shqipërinë. Arsyet lidhen me numrin e lartë të të prekurve me koronavrus dhe mungesën e masave konkrete nga qeveria. Reagon Edi Rama: “Ky është vendim politik”. Nga vendet e Ballkanit vetëm qytetarët e Serbisë dhe Malit të Zi kanë të drejtë të udhëtojnë që nga sot drejt BE-së.
Këshilli Evropian zyrtarizoi dje vendimin për shtetet që kanë të drejtë të udhëtojnë drejt hapësirës së Bashkimit Europian. Ashtu siç ishte paralajmëruar gjatë javës që lamë pas, në listën e BE-së mungon Shqipëria. Nga vendet e Ballkanit vetëm qytetarët e Serbisë dhe Malit të Zi kanë të drejtë të udhëtojnë që nga sot drejtë BE-së.
Në vendimin e KE për vendet që përjashtohen vlerësohen tre arsye kryesore që kanë penalizuar shtete si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, etj,. Arsyeja e parë është numri i rasteve të reja Covid-19 gjatë 14 ditëve të fundit për 100 mijë banorë. Sipas vendimit, Shqipëria rezulton se ka një mesatare infektimesh që është më e lartë se ajo e vendeve të BE. Konkretisht Shqipëria ka një mesatare prej 30 infektimesh për 100 mijë banorë. Për të bërë një krahasim, vendet që ne i njohim si më të prekura nga virusi, si Spanja dhe Italia kanë një mesatare prej 6 dhe 10 për 100 mijë banorë.
Kriteri i dytë i penalizimit është trend zbritës ose i qëndrueshëm i rasteve të reja në krahasim me 14 ditë përpara vendimit. Gjatë muajit të fundit, infektimet në Shqipëri jo vetëm nuk kanë njohur zbritje, por janë rritur më shumë gjatë asaj që njihej si piku i pandemisë në muajin prill. Sot Shqipëria numëron në total 66 viktima dhe një numër prej mesatarisht 70 infektimesh në ditë.
Kriteri i tretë që ka përdorur BE për listën e vendeve që u lejohet udhëtimi janë masat e përgjithshme të zbatuara nga qeveria. Vendimi nuk jep ndonjë referencë të qartë për Shqipërinë, por derisa vendi unë është fshirë nga lista kjo do të thotë se BE nuk njeh asnjë masë konkrete të marrë nga kabineti “Rama”. Çdo dy javë lista e BE do të përditësohet duhet marrë të dhëna nga shtete përkatëse mbi ecurinë e pandemisë. Dje u shënua viktima e parë nga bluzat e bardha, ndërkohë mesatarisht gjatë kësaj jave ka pasur 3 vdekje në ditë. Rritja e madhe e infektimeve tregon se situata është drejt daljes nga kontrolli.
Po kaq i hidhur dhe irritues sa vendimi i BE ishte dhe justifikimi që kreu i qeverisë Edi Rama përdori dje kundër kësaj mase ndaj qytetarëve shqiptarë. I pyetur nga mediat gjatë konferencës në Kosovë, Edi Rama tha se vendimi i BE është politik! Sipas tij, në BE nuk kanë pyetur fare për lista, analiza dhe për testime, por kanë marrë një akt politik kundër vendeve të Ballkanit. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, vend i Ballkanit është dhe Serbia dhe Mali i Zi, por qytetarët e tyre ndryshe nga ata të Shqipërisë nga sot do të udhëtojnë drejt BE-së. Justifikimi politik i Edi Ramës për mbylljen e dyerve nga BE-ja mund të përdoret për konsum mediatik siç ndodh zakonisht në Tiranë. Sado të shajmë sërish BE nuk mund të fshehim faktin se kabineti “Rama” e nisi mirë menaxhimin e pandemisë, por drejt fundit të saj po rezulton një dështim pasi fondet që jep qeveria për shendetsinë janë minimale. Qeveria u kujdes më shumë për propagandë me tanke në rrugë apo luftë me opozitën dhe jo për të marrë masa konkrete kundër koronavirusit.
Në fillim të koronavirusit ishte Edi Rama që i kyçi shqiptarët si në kampet e përqëndrimit, duke përdorur edhe autoblindat nëpër rrugët e Tiranës dhe Durrësit, tamam si një dëshirë e brendshme e Ramës për ta sunduar Shqipërinë. Prapë tani është qeveria që po e mbyll Shqipërinë, duke mos e lejuar të dalë nga kufinjtë e saj. Aqsa ka arritur puna sa edhe Mali i Zi nuk na lejon të hyjmë në territorin e saj!
M.Xh.