Fillon fushata “Arrestime VIP”

-FBI ka mbërritur. Dosjet janë në tavolinë. Ministrat pyesin nën zë “A jam unë në listë apo ministri tjetër?”.

-Dikur ishte një slogan “Investime dhe arrestime”, ndërsa tani është kthyer në “arrestime, vetëm arrestime”, pasi nuk ka kurrfarë investimesh.

Skandalet e njëpasnjëshme qeveritare kanë bërë që më shumë se për çdo gjë tjetër të flitet për arrestime. Dikur ishte një slogan “Investime dhe arrestime”, ndërsa tani është kthyer në “arrestime, vetëm arrestime”, pasi nuk ka kurrfarë investimesh. Në të gjithë qëndrimet publike të politikës flitet për ndëshkime nga drejtësia dhe pranga. Opozita kërkon arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, emri i të cilit del në përgjimet e një bande droge në Itali. Ndërkohë detajet e reja të ngjarjes në Shqipëri me para dhe patenta kanë zgjeruar listën e të arrestuarve. Në situatën e re, Partia Socialiste bëri një mbrojtje me sulm për ish-ministrin duke iu lëshuar Prokurorisë dhe duke kërkuar arrestime nga radhët e opozitës, për aferat e viteve të kaluara.

Por veç qëndrimeve politike që bëhen gjatë ditës janë dhe disa institucione që për arrestimet nuk punojnë me fjalë, por me vepra. Shumë shpejt institucionet e reja të Vettingut, pas verifikimeve që do t’u bëjnë pasurive dhe pronave të gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të kalojnë në veprim. E thënë ndryshe, janë disa emra gjyqtarësh dhe hetuesish që mund ta shohin veten jo më si përfaqësues të shtetit, por në bangën e të akuzuarit. Një pjesë e juristëve që e dinin se dosja e tyre ishte me njolla u larguan pa u ndjerë. Të tjerët që kanë menduar se mund t’a kalojnë me lobingje dhe lidhje politike fushatën e vettingut, pritet të bien të parët në rrjetën e reformës.

Ndërkohë në Tiranë këto kohë, si pjesë e reformës në drejtësi kanë mbërritur ekspertët e Byrosë Federale të Investigimeve, siç njihet ndryshe FBI. Një numër i madh hetuesish dhe specialistësh amerikanë, jo vetëm do të trajnojnë ekspertët e komisioneve të vettingut, por edhe do të marrin në duar dosje të veçanta të pushtetarëve shqiptarë. Hetimet e kryera nga institucionet e FBI, së bashku me ekspertët shqiptarë pritet që të çojnë pas hekurave jo pak njerëz të rëndësishëm të politikës dhe biznesit në vend.

Por arrestime pritet të nisë dhe një grup i veçantë ekspertësh ndërkombëtarë dhe shqiptarë që është krijuar këto ditë. Kryeministri Edi Rama e paralajmëroi të dielën, ndërsa Ministri Fatmir Xhafa e bëri fakt ditën e ditën e hënë. Shumë shpejt mazhoranca do të nis operacionit sekret “Forca e Ligjit. Dje, ministri Fatmir Xhafa është takuar me gjithë ambasadorët e BE në Tiranë, të cilët kanë sjellë ekspertë të policisë së vendeve të tyre për të asistuar në Shqipëri. Operacioni ka një fokus të veçantë, goditjen e trafikut të hashashit dhe emrave të fuqishëm që e mbështesin atë. Detajet e këtij operacionit mbahen sekret nga ana e qeverisë. Por që në fillim një nismë e tillë ka ngritur pikëpyetje. Arsyeja është e thjeshtë, Qeveria shqiptare dhe segmente të shtetit akuzohen gjithë ditën si të përfshirë në trafikun e drogës. Tani po kërkohen nga po këto segmente që të nisin një operacion masiv kundër drogës! Ngjan pak si paradoksale, në mos komike. Hajduti do kap hajdutin!

Ndërkohë një tjetër institucion i shtetit, që e ka detyrë Kushtetuese të provojë akuzat dhe të arrestojë, këto javë ka hyrë fuqishëm në terrenin e politikës dhe ka gati prangat. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet më të mëdha të viteve të fundit në sferën e politikës. Tre javë më parë kërkuan arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri për “trafik droge” dhe “korrupsion”. Ndërsa burimet thonë se kanë dosje të tjera për ministra aktualë dhe ish-ministra, për të cilat shumë shpejt do të kërkojnë edhe arrestime. Një prokurori që vihet në lëvizje me shpejtësi duket se ka bezdisur mazhorancën socialiste. Ndaj dje ka filluar kundërsulmi. Fillimisht me akuza për përdorim politik. Sulmi i dytë ishte hapja e debatit për zëvendësimin e Kryeprokurorit, për shkak të paqartësive ligjore që ka mbarimi i mandatit të tij. Pavarësisht se kush mund të ketë të drejtë, nisja e sherrit për emrin e ri të kreut të akuzës, i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit dhe stuhisë që sapo ka nisur.

Po hyjmë në stinën e arrestimëve VIP.

A.Mati

Në foto: Ambasadori amerikan Lu

Donald Lu vë afat: Deri në janar burg për disa peshq të mëdhenj

Gjatë takimit të sotëm në Ministrinë e Brendshme në kuadër të operacionit “Forca e ligjit” ambasadori amerikan, në një gjuë diplomatike tha se çfarë pret nga qeveria në vitin 2018.

Ambasadori i SHBA, Donald Lu, që paralajmëroi arrestimin e peshqve të mëdhenj.

Ne presim rezultate, presim që ky plan agresiv të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të peshqve të mëdhenj dhe rezultatet duhet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm. Të ndiqen penalisht peshq të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë. Së fundmi ju keni një shprehje në gjuhën shqipe: “Dielli duket që në mëngjes”. Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve penale. Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Ky problem ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit. Asnjë nuk është mbi ligjin. Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”, për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh,” – tha Donald Lu.

I ashpër dhe i drejtpërdrejtë është treguar sërish Ambasadori Amerikan Donald Lu, teksa i është referuar lidhjeve të krimit me politikën në vend.

Në fjalën e tij gjatë takimit të sotëm ku ishin të pranishëm edhe ministri Xhafaj dhe ambasadorja e BE-së, Lu përmendi sërish emra. “Shqipëria ka një problem mes lidhjeve mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Arben Frrokut, Elvis Roshit dhe Gentian Mahmutaj”, deklaroi Lu.

“Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale. Shqipëria ka një problem mes lidhjeve mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Arben Frrokut, Elvis Roshit dhe Gentian Mahmutajt. SHBA do angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me politikanë, biznesmenë, gjyqtarë e prokurorë. Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh”, tha Donald Lu.

Erdhën të FBI për arrestimet VIP

Janë shfaqur për herë të parë publikisht dy agjentët e FBI-së, të cilët kanë mbërritur në Tiranë për të asistuar policinë shqiptare në operacionin ‘Forca e Ligjit’. Ata qëndrojnë të ulur pranë ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, në takimin që po zhvillohet në Ministrinë e Brendshme.

I pranishëm në këtë takim është edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Kryeministri Rama ka thënë se në kuadër të operacionit kundër krimit të organizuar do të miratohet ngritja e një task force të posaçme.

Në foto: Shikoni dy agjentët e FBI me kufje në vesh që do pastrojnë politikën shqiptare nga krimi dhe mafia. Shikoni mirë!

 

SHKARKO APP