Fillon seria e lirimit të të dënuarëve me “burgim të përjetshëm”
Një nga emrat më të njohur të botës së krimit, Aldo Bare (Alfred Shkurti) është liruar nga dënimi me burgim të përjetshëm. Gjykata Kushtetuese me vendim unanim 7-0 ka vendosur shfuqizimin e dënimit të dhënë nga të gjitha shkallët e tjera të gjyqësorit për dënim më burg përjetë. Ky vendim nuk do të thotë lirimin e tij nga burgu, por i hap rrugën rishqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë.
Seancat për Aldo Baren në Gjykatën Kushtetuese kanë nisur në 31 janar 2017. Zyrtarisht Gjykata nuk ka dhënë detaje ligjore se ku është bazuar konkretisht vendimi në fjalë. Megjithatë burime nga Gjykata kanë thënë për mediat se gjatë shqyrtimit të dosjes janë gjetur një sërë shkeljes procedurale të kryera gjatë proceseve që kanë vendosur dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Aldo Bare njihet si kreu i “Bandës së Lushnjës”, një organizatë kriminale që është përgjegjëse për shumë krime dhe vrasje të ndodhura në vend gjatë viteve 1997-2005. Për disa vite Aldo Bare qëndroi në arrati. U arrestua në Turqi në vitin 2006 dhe tre vite më vonë, në vitin 2009, u ekstradua në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe ka pasur një betejë të gjatë ligjore në të gjitha shkallët e drejtësisë, derisa në vitin 2011 Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me burgim të përjetshëm. Disa muaj më pas Apeli i Krimeve të Rënda e ktheu dosjen për rigjykim me pretendimin se ka shkelje procedurale gjatë gjykimit. Ndaj këtij vendimi të marrë në tetor të vitit 2011 nga Apeli, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri rekurs në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë argumentoi se vendimi i Apelit të Krimeve të Rënda nuk ishte i bazuar. Sipas Gjykatës së Lartë shkeljet procedurale gjatë hetimit dhe procesit nuk kanë ndikuar në masën e dënimit me burgim të përjetshëm që i është dhënë Aldo Bares. Gjykata e Lartë urdhëroi Apelin e Krimeve të rënda të rishqyrtonte edhe një herë vendimin me një trupë tjetër gjyqtarësh. Apeli i Krimeve të Rënda rigjykoi dosjen duke lënë në fuqi vendimin për burgim të përjetshëm. Çështja u rikthye sërish në Gjykatën e Lartë muajt e fundit nga avokati i Aldo Bares dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese e cila ka marrë vendim këto ditë për shfuqizimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Ky duket se nuk do të jetë vendimi i fundit për Aldo Baren pasi Gjykata e Lartë do të shprehet sërish për këtë çështje, por tashmë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila hoqi dënimin me burgim të përjetshëm.
Si rregull kur flet drejtësia nuk ka vend për komente, por rasti në fjalë është paksa i çuditshëm, për shkak se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimet e katër gjykatave të tjera, të cilat kanë qenë të gjitha për dënim me burg përjetë. Rihapja e procesit mund të risjellë edhe uljen e dënimit apo rishikimin e gjithë veprave penale, përsa kohë që Kushtetuesja pretendon se është shkelur procedura e hetimit dhe gjykimit. Kujtojmë se më një procedurë të ngjashme në Gjykatën Kushtetuese fitoi lirinë edhe Lulzim Berisha, kreu i “Bandës së Durrësit”. Edhe në këtë rast fillimisht ishte dënimi me burgim të përjetshëm në të gjitha shkallët e gjykatës. Më pas Kushtetuesja hoqi dënimin përjetë dhe pas rikthimit të dosjes, dënimi u reduktua në pak vite derisa solli lirimin e të akuzuarit.
E njëjta skemë duket se po realizohet edhe tani. Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi vendimin e djeshëm jo si shfuqizim, por si lirim të Aldo Bares. Ndërsa parashikoi se pas tij radhën për të dalë nga burgu e ka Zani Çaushi dhe Kostandin Xhuvani, dy emra të tjerë të njohur të botës së krimit në vend.
Në fakt publiku mbetet i shokuar nga ky vendim, por nisur nga aksioma se kur flet drejtësia nuk ka nevojë më për diskutim. Në të vertetë ka një problem, që gjithë këto gjyqtarë janë të emëruar në shumicë gjatë kohës së qeverisjes së Berishës, kurse vetë ish-kryeministri demokrat thotë se këta po i liron Rama.
Qamil Xhani