Folshqip.al: A rrezikohet Tahiri?
-Goditet në Itali organizata kriminale që transportoi 20 milionë euro drogë. Akuza të forta nga PD dhe LSI: Drejtues i bandës është Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit të brendshëm.
-Informacionet sekrete tregojnë se në Romë kryeministrit Rama i kanë nxjerrë në tavolinë dosje kriminale me zyrtarë e politikanë shqiptarë, që kanë lidhje me trafikun e drogës në Itali dhe në BE.
Goditja e një organizate shumë të mirëorganizuar kriminale, e cila kryente trafikun e drogës në Itali ka shkaktuar një stuhi reagimesh në Tiranë. Mes 11 të arrestuarve në grupin që dyshohet se ka trafikuar 3.5 tonë hashash është Moisi Habilaj. Emri i fisit Habilaj u bë i njohur në vitin 2015, kur një oficer policie, Dritan Zagani denoncoi “Klanin Habilaj” si trafikantët më të mëdhenj të drogës në Vlorë dhe kushërinj të ministrit Saimir Tahiri, pra që kishte mbështetjen e ish-ministrit të brendshëm . Zagani, i cili më pas u shkarkua nga policia dhe mori azil politik në Zvicër pretendonte se Habilajt kryenin trafikun e drogës me makinën e ministrit Tahiri dhe ndihmën direkte të policisë së Vlorës. Këto akuza u hodhën poshtë nga policia. Vetë ministri i brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri reagoi disa herë publikisht duke e cilësuar Dritan Zaganin si një oficer që ishte nën hetim për dekonspirim të operacioneve të policisë. Në fakt, Zagani pretendonte se informacionet që kishte, pasi nuk i pranoheshin në Policinë e Shtetit, i kalonte te shërbimet sekrete italiane. Vëllezërit Habilaj dolën në media dhe deklaruan se ishin biznesmenë dhe nuk merreshin me trafik droge, ndërkohë që nuk mohuan se kishin lidhje familjare me ish-ministrin. Prokuroria pas nisjes së hetimeve i mbylli mënjëherë pa gjetur prova që vertetonin akuzat e oficerit. Edi Rama, i cilësoi akuzat e rënda të ish-policit të shkarkuar si të pavërteta, dhe sipas informacionit që i jepte ministri Tahiri, deklaronte se Zagani është “përdhosësi i uniformës blu që kërkohet nga policia për bashkëpunim në trafik droge”. Pra sipas qeverisë asgjë nuk kishte të vertetë në këto akuza të oficerit të policië.
Të gjitha këto ngjarje dhe deklarata marrin tjetër rëndësi tani pas 3 vitesh. Sot Moisi Habilaj, sipas policisë italiane, dyshohet si kreu i një grupi kriminal që në pak vite kanë transportuar rreth 20 milionë euro drogë drejt brigjeve të vendit fqinj. Media italiane shkruajnë për 11 arrestimet e djeshme se janë kryer disa muaj hetime dhe përgjime telefonatash. Policia italiane ra në gjurmët e grupit kriminal pas kapjes së disa ngarkesave me drogë në Adriatik dhe 20 korrierëve, në kohë të ndryshme.
Nëse prokuroria italiane fakton akuzat ndaj Habilajt, rezulton se ish-oficeri që u sulmua thuajse nga ish-ministrit Tahiri, paska patur të drejtë. Ish-ministri Saimir Tahiri është politikani që duhet të jap sqarime me shumë se kushdo tjetër për atë që ka ndodhur dhe pse kur denoncoheshin përditë Habilajt nuk i mori seriozisht akuzat. Stuhia e sulmeve dhe akuzave ka rinisur sërish dje. Partia Demokratike, në disa deklarata për mediat e ka cilësuar ish-ministrin Tahiri, si personin që është implikuar direkt në trafikun e drogës. Kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi se PD ka 4 vjet që denoncon se Habiljat e transportonin drogën me makinën e Saimir Tahirit. Ish-kryeministri Sali Berisha shkoi dhe më tej në qëndrimin e tij duke parashikuar shumë shpejt arrestimin e Saimir Tahirit. Akuza të ashpra ndaj Tahirit bëri dje dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, deputeti Endrit Braimllari publikoi një foto ku Moisi Habilaj shihej nën shoqërinë e disa drejtuesve të Policisë së Vlorës. Braimllari deklaron se kjo është prova e kapjes së shtetit, ku një supërtrafikant droge i arrestuar në Shqipëri, disa muaj më parë ishte mik i drejtuesve të policisë. Ndërkohë që LSI ka kërkuar dje dhe reagimin publik të Kryeministrit Edi Rama për këtë çështje. Dhe realisht duhet të flas kryeministri, pasi i bie të marrë barrë të madhe mbi supe, ndërkohë që nuk ka asnjë lidhje me grupin Habilaj.
Deri në orët e vona të mbrëmjes, i vetmi që reagoi është ish-ministri Saimir Tahiri. Në një përgjigje të shkurtër për Lulzim Bashën në Facebook, ish-ministri distancohet nga veprimtaria e Habilajve dhe kërkon dënimin maksimal të tyre. Ai lë të kuptohet se nuk ka marrëdhënie farefisnore me ta, kur thotë “sa për këta që (Basha) i quan kushërinjtë e mi, drejtësi deri në fund e dënim maksimal. Për këdo, pa dallim dhe pa përjashtim”.
Pavarësisht qëndrimeve politike dhe sherrit në Tiranë, arrestimet dje në Itali hapin edhe një herë debatin për krimin e organizuar dhe trafikun masiv të drogës gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Goditja e grupit të fundit kriminal vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama vizoi Italinë, ku temë kryesore veç integrimit ishte dhe bashkëpunimi kundër krimit të organizuar.
Informacionet sekrete tregojnë se në Romë kryeministrit Rama i ka nxjerrë në tavolinë disa dosje kriminale me zyrtarë shqiptarë, që kanë lidhje me trafikun e drogës në Itali dhe në BE.
Të gjitha shigjetat janë mbërthyer kundrejt ish-ministrit Tahiri. Sulme nga PD dhe LSI, por edhe nga brenda PS. Në selinë rozë ka grupime që luajnë për marrjen e fronit të PS, kurdo që Rama të ikë nga selia. Grupimet antiTahiri në PS ishin mbëmë aktive në media për ta dërmuar Saimir Tahirin.
(Marrë nga portali www.folshqip.al)