Frrok Çupi: Sot do të ishte dita e parë e luftës…
Nga Frrok Çupi.
Sot, 1 Qershori do të ishte dita e parë e Luftës së Tregjeve,. Në masat që u vendosën në Mars, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi që Kanadasë dhe BE-së- ( dy burimeve më të mëdha për aluminin e huaj dhe çelikun), t’u japë një kohë të favorshme deri më 31 Maj.
Dita kaloi, sot jemi më 1 qershor. Sipas të gjithë zërave ‘kundër’ dhe ‘pro’’ tarifave të reja Amerikane, ‘të nesërmen e 31 Majit’ do të niste Lufta e Tregjeve. Ja ku jemi…
Përveç ekonomive më të mëdha të botës që u vendosën në prag të luftës së tregjeve, të paktën BE, Kanada dhe Meksikë, ngritën stuhi sloganesh për masa shpagimi ndaj Shteteve të Bashkuara, që sipas tyre do të hynin në fuqi sot, ditën e Premte.
Uashingtoni, sipas analistëve, i shqetësoi aleatët kryesor, duke i goditur me 25 për qind rënie të vendeve të punës dhe 10 për qind të importeve të aluminit dhe çelikut.
Edhe ditën e Enjte, një ditë para ‘fundit’, dmth., para 1 Qershorit kur do të niste lufta e tregjeve, presidenti Trump deklaroi përsëri se nuk do të bëjë përjashtime- gjë që shkaktoi një furi përgjigjesh nga presidenti kanadez, Justin Trudeau, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti Francez, Emmanuel Macron.
“Këto tarifa janë një tjetër fyerje ndaj një partnershipi të gjatë mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Trudeau, ndërsa Ottawa është bërë gati të godasë importet e Shteteve të Bashkuara me një vlerë prej 12.8 miliardë dollarë amerikan.
‘Hakmarrësi’ tjetër më i madh ndaj Shteteve të Bashkuara, shefi i BE, Jean-Claude Juncker tha se 28 vendet anëtare të bllokut “do të njoftojnë në 24 orët e ardhshme kundërmasat balancuese” në përgjigje të veprimit të Shteteve të Bashkuara.
Që në Mars, Brukseli kishte kërcënuar për të goditur tarifat e produkteve të Shteteve të Bashkuara që hyjnë në Europë, si uiski burbon, motoçikletat dhe jeans.
BBC ka njoftuar sot se Bashkimi Europian ka përpiluar një listë tarifash prej 10 faqe me mallrat Amerikane që renditen duke nisur nga motoçikletat Harley-Davidson e deri te produktet ushqimore.
BE ka marrë angazhimin që të vërë në lëvizje edhe WTO- Organizatën Botërore të Tregtisë.
Ndërsa presidenti Trump deklaroi se tarifat do të mbrojnë çelikpunuesit amerikan, që janë kategoria jetike për sigurinë kombëtare.
Që nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, komiteti ndërkombëtar i tregtisë në Parlamentin Europian, dhe deri te ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier, mendojnë se presioni mbi Trump mund ta bëjë atë që të ndryshojë vendimin. Liderët europian po nxjerrin tym. Presidenti Macron i tha presidentit Trump se tarifat janë ‘ilegale’; dhe e quajti veprimin e Uashingtonit si gabim në shumë drejtime…”. Macron iu referua historisë amerikane të viteve ’30. “Një nacionalizëm do të thotë luftë. Kjo është ekzaktësisht ajo që ka ndodhur në vitet ’30 në Shtetet e Bashkuara”, tha.
Në Berlin, kancelarja Merkel tha se masat “rrezikojnë një spirale të përshkallëzimit që në fund do të prekë të gjithë”.
Tensione pa precedent të tregut po ngrenë idenë e mbledhjes së një të ashtuquajturi Grupi i të Shtatëve, ose G7 në resortet e maleve të Whistler, Kanada, ku tentojnë një skenë kompromisi dhe të promovimit të tregjeve.
Por vetë BE dhe aleatët ‘e prekur’ nuk kanë një qëndrim unik mbi ‘luftën’. Ndryshe nga vetë shefi i KE, Juncker, vetë shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, ka insistuar të Premten se BE “ nuk është në luftë me askënd”.
Bashkimi Europian është “një projekt paqeje, duke përfshirë edhe tregun”, tha Mogherini.
Veritas.com.al/