“Frroku”, pret koka
Parmbrëmë në mesnatë iku shefi i Interpol Tirana, Artan Bajraktari direkt e në qeli. Nga zyra ku komandonte e kontrollonte çdo njeri në Shqipëri që kishte probleme me ligjin , iku vetë për t’u përballur vetë me ligjin. Tom Doshi akoma në arrest shtëpie për deklaratën e Mark Frrokut. Po dje paradite iku dhe “koka” e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi. Prapë deputeti Mark Frroku! Belgjika e kërkon “kokën” e Mark Frrokut, por duket e pamundur ta marrë, pasi nuk kemi marrëveshje ekstradimi mes Shqipërisë e Belgjikës. Informacionet thonë se Prokuroria e Përgjithshme ka disa fakte të tjera për persona që e kanë fshehur dosjen e tij nga hetimi ndërkombëtar. Edhe ata priten të arrestohen. Dje PD-ja kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.Dhe do ta bëjë tabelë qitje ministrin, pasi të tjerët u “palosën” prej dosjes “Frroku”.
Mark Frroku thotë se nuk ka asnjë lidhje me krimin dhe shpresojmë të jetë ashtu sikurse ai thotë, pasi është shumë e rëndë kur ndodh një krim, aq me tepër kur akuzohet një parlamentar. Por shumë fakte po dalin këto ditë, të cilat të bëjnë dyshues se ku të besosh; tek Marku apo tek Prokuroria, ndonëse organi i akuzës duhet të ketë shumë prova derisa kërkon përsëri arrestim.
Këto javë të ethshme për politikën shqiptare, të cilat tronditën siç tha Tom Doshi “themelet e Shtetit” tregojnë se në parlament ka probleme, se nuk janë përzgjedhur deputetët sipas ligjit, porse sipas miqësisë, forcës fizike, fuqisë së parasë dhe lidhjeve kriminale. Ky është parlamenti më medikoër dhe më i inkriminuar në historinë e Shqipërisë. Dhe mos harroni se jemi në vitin 2015. Të gjitha partitë kanë emra deputetësh me CV kriminale. Lërë sikur të futesh në listën e kandidatave që dorëzojnë partitë në KQZ! Aty do të shikosh edhe të dënuar, edhe drogaxhinjë, edhe vrasës. Një turp i madh dhe i paparë.
Fakti që Interpol Tirana ka patur shkresë zyrtare për deputetin e mazhorancës dhe nuk e ka nisur po zyrtarisht në ministrinë e Drejtësisë, porse e ka mbajtur të fshehur të bën të dyshosh se ai nuk ka guxuar kurrsesi ta mbajë në sirtar. Dikush i ka thënë ! Kush? Këtë duhet prokuroria ta zbulojë deri në fund. Një “kokë” iku dje, bile e numrit një të policisë shqiptare. A ka mbi Artan Didin që e kaq ditur? A është ministri Tahiri? Apo kryeministri Rama? Kjo duhet sqaruar nga drejtësia. Nëse po, atëhere është një supërskandal i madh që nuk ndalet me Didin. Nëse jo atëhere duhet parë se si funksionon Policia e Shtetit, kush është futur në polici, kush ka bërë emërimet,etj. Edhe këtu lind problemi që nëse krimi ka penetruar edhe në kupolën e policisë.
Mark Frroku mbrohet vetë, por me çështjen e tij u zbulua se si funksionon politika, policia, emërimet, hetimet, pazaret, intrigat. Jo se nuk dihen, porse dolën në publik, hapur. “Çdo e keqe, ka një të mirë”-thotë një fjalë e urtë popullore. Ndaj edhe në këtë rast mundet që shpërthimi i skandalit “Frroku” të sjellë që gjithsejcili të zbatojë ligjin e të mos mendojë se “ me tha shefi lart e ai më mbron!”. Shefat shkojnë e vijnë! Ligji është aty, mbi kokë dhe nëse vonon, nuk harron të godasë.
Ndaj më mirë ligjin se sa shefin, sado i madh të jetë ai!