Fushata në Tiranë pa moral e besim
Nga një fushatë ku u premtua se do të kishte komunikim korrekt politik nuk ka vonuar dhe brenda pak ditëve gara për Tiranën është tronditur nga akuza të rënda. Në një javë mediat kanë nisur serinë investigative të skandaleve që kanë plasur vetëm gjatë fushatës elektorale.
Si fillim seria e akuzave nisi me klinikën private të kandidatit të PD-së për Tiranën, Halim Kosova. Mjeku që deri disa ditë më parë vlerësohej si model i qytetarit edhe nga kundërshtarët e tij, u kthye në pak orë në një “abuzues me ligjin”, “vjedhës fondesh” dhe me “probleme të rënda ligjore për biznesin privat”. Gjyqi publik nga rrjetet sociale kaloi në faqet e gazetave dhe duke parë ritmin e akuzave ka mbetur vetëm që kandidati i PD-së të arrestohet publikisht.
Pas serisë së novelës me klinika private dhe vjedhje fondesh, media e djathtë dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur një seri akuzash ndaj rivalit të Halim Kosovës, Erion Veliaj. Më saktë, jo direkt ndaj tij por ndaj bashkëshortes, Ajola Xoxa, duke synuar jo vetëm të ulin kuotat e PS-së, por të godasin figurën e kandidatit. Konkretisht, flitet për punën e bashkëshortes së Veliajt si konsulente ligjore në një kompani në Tiranë me pronar të huaj, kompani e cila sipas akuzave të Berishës, thuhet se ka bërë transaksione të dyshimta parash. Ligjërisht, prokuroria nuk ka marrë asnjë masë ndaj kompanisë dhe administratorëve të saj. Edhe sikur në aktivitetin e këtij biznesi të ketë probleme ligjore, bashkëshortja e kandidati të PS-së ushtron aktivitetin e saj privat si juriste e licencuar. Nuk është as pronare dhe as ortake në biznesin në fjalë. Ka kryer një punë si mijëra juristët e tjerë në vend. Nuk rezulton që funksioni zyrtar i bashkëshortit të saj të ketë lidhje me aktivitetin e kompanisë dhe aktiviteti i saj as paguhet nga taksat e qytetarëve dhe as është pjesë e strukturës shtetërore. Në këtë pikë, se çfarë lidhje ka kandidati i PS-së për Tiranën me këtë histroi, vetëm PD-ja mund të jetë në gjendje të krijojë skenare të tilla. Nxitimi për të përfolur emrin e të afërmit të kandidatit, për një aktivitet që nuk paguhet nga taksat e shqiptarëve është dëshmi e një fushate pa moral dhe me synime të pastra elektorale. Dje biznesmeni i akuzuar nga mediat në Tiranë “për pastrim parash” tha se kishte punuar edhe me kryeministrin Sali Berisha dhe se ishte takuar edhe me kryeministrin Edi Rama. Në listën e avokatëve të tij ka emra juristësh që njihen edhe për lidhje të afërta me PD-në. Nëse do të vazhdonim me këtë logjikë dhe do bënim moral për të gjithë ata që kanë punuar në sektorin privat, rezulton se asnjë nuk del i papërfshirë. Por në një histori ku flitet me akuza hipotetike të përqendrosh vëmendjen vetëm tek i afërmi i një kandidati më shumë se për efekte votash, kemi të bëjmë me një lojë të ndyrë elektorale. Nëse PD-ja pretendon se ka diçka që nuk shkon tek kandidati i majtë, do të bënte mirë ta sulmonte personalisht atë dhe do dukej edhe më bindës tek elektorati që ka dyshime. Por futja në lojë e të afërmve është rikthim në politikën e baltës dhe akuzave, që në fund të fushatës rezultojnë ose një mashtrim i madh, ose harrohen nga vetë ata që akuzonin. Kur mbaron fushata asnjeri nuk merren me akuza e thëna në fushatë. Kjo është ajo çka i bën akuzat të pabesueshme, pasi të gjithëve na kujtohet Sali Berisha si kryeministër kur u takua në pallatin e brigadave me ish-kryeministrin e rrëzuar Fatos Nano e kur u pyet se si ka mundesi që takohet e bën pakt me një për të cilin çfarë nuk ka akuzuar, Berisha u përgjigj duke qeshur:”Epo janë akuza në kohë fushate!”. Edhe në këtë rast vazhdon e njëjta metodë kriminale e përbaltjes së familjes së rivalit vetëm për të fituar vota.
Ndërsa e djathta nuk kursen familjarët në luftën për ca vota më shumë, e majta është hedhur në sulm në një front tjetër. Pas disa vitesh, vetëm këtë të hënë PS-ja zbuloi se kreu i Bashkisë, Lulizm Basha ka dhënë një leje për të shtuar një kat në pallatin ku banon. Po pse nuk e denoncoi më parë? Për PS-n kjo është një shkelje e hapur. Për PD-në dhe Bashkinë e Tiranës, çdo gjë është bërë në zbatim të ligjit. Debati vazhdon prej disa ditësh dhe duket se do e dëgjojmë deri në ditën e fundit të fushatës. Ironia në këtë rast qëndron në faktin se PS-ja vetëm para disa ditësh pa se pallati i Bashës ishte rritur me një kat! Çfarë ua zuri sytë që nuk e panë disa muaj më parë? Apo në fushatë edhe një procedurë normale mund të shitet si skandal? Basha mund të ketë me dhjetëra arsye të tjera për t’u kritikuar si Kryetar Bashkie, por ta banalizosh debatin në një shtesë pallati, sipas PD-së me leje të rregullt, e bën fushatën edhe më mjerane.
Pas qetësisë së fillimit, gara për Tiranën është nxehur në pikën më të lartë. Por gjithë debati sillet rreth tre temave: klinika e Kosovës, puna private e bashkëshortes së Veliajt dhe shtesa pa leje e Bashës. Askush nuk po merret me programin dhe çfarë po sjellin në fushatë kandidatët. Duket sikur Tirana dhe kryeqyteti i vendit nuk ka asnjë problem tjetër për të zgjidhur, asnjë projekt apo program për t’u prezantuar nga kandidatët.
Debati duhet të përqëndrohet se si mund të ketë një Tiranë me të mirë, më të pastër, ku të punësohen njërëzit,ku të lëvizë biznesi e të ketë një rend publik më të fortë, etj probleme që shqetsojne komunitetin tiranas. Këtu duhet të shikohet se cili kandidat ka ide më të qartë e mundësi më të shumta për të rregulluar punët e jo tek shtesa e katit të Bashës apo tek bashkëshortja e kandidatit socialist.