Fushata nis me krisma
Dita e parë e fushatës zgjedhore ka shënuar dhe një incident serioz. Një efektiv i policisë në Vaun e Dejës, pas debatit verbal me vëllanë e kandidatit të Partisë Demokratike Zef Hila ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar në ajër. Pavarësisht motiveve që kanë detyruar efektivin e policisë të qëllojë në ajër ky është më i rëndi i fushatës së deritanishme. Kjo edhe për faktin se nëse i besojmë variantit të denoncimit të bërë nga Partia Demokratike efektivi i policisë ka qëlluar në drejtim të Fredi Hilës dhe jo në ajër. Pra, sipas PD-së, ka tentuar që ta vrasë të afërmin e kandidatit demokrat. Detajet e plota të incidentit pritet të zbardhen nga Prokuroria dhe nga Ministria e Brendshme. Por edhe nëse nuk rezulton që ngjarja të jetë zhvilluar siç pretendon dega e PD-së në Vaun e Dejës sërish imazhi i një fushate me fyerje, dhunë dhe deri kërcënime me armë, u është damkosur këtyre zgjedhjeve që në nisje. Dhe prisni, ky është vetëm fillimi !
Cilado të jetë arsyeja e nisjes së sherrit, një punonjës i shtetit me uniformë nuk ka asnjë motiv justifikuese që ta çojë në përdorimin e armës në një takim elektoral. Tejkalimi i kompetencave dhe përfshija në një debat elektoral nuk dëmton vetëm fushatën në Vaun e Dejës, por bën të shihet me skepticizëm roli i policisë në gjithë këtë proces zgjedhor. Rasti i djeshëm mund të ketë ardhur nga papërgjegjshmëria e një punonjësi policie, por dëmi është më shumë sesa tek një individ dhe hedh hije dyshime në gjithë rolin e strukturave në këtë fushatë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ishte i pari zyrtar i lartë që reagoi për incidentin dhe kërkoi hetime nga Prokuroria e Përgjithshme për të zbardhur të vërtetën. Më pas, Ministria e Brendshme nisi verifikimin e ngjarjes dhe pritet që ndaj efektivit të uniformave blu të merren masa penalizuese për tejkalim të kompetencave që i jep ligji. Reagimet janë korrekte dhe dëshmojnë seriozitet. Por sa vlerë kanë reagime të tilla, kur vetë fushata dhe gjuha që po përdoret në takimet elektorale të kandidatëve është konfliktuese. Madje është pikërisht kjo gjuhë e mbushur me akuza dhe fyerje monstruoze që u paraprin incidenteve të tilla elektorale.
Ajo çka e bën edhe më shqetësuese ngjarjen në Vaun e Dejës lidhet me kohën kur ndodh. Dje ishte dita e parë e fushatës zyrtare dhe incidenti dëshmon se është vetëm fillimi i një gare të tensionuar. Kur armët nxirren që ditën e parë, çfarë pritet të ndodhë deri në fund të fushatës, apo më keq akoma, kur të nisë tensioni i numërimit të votave? Gjatë fazës së prezantimit të kandidatëve u regjistruan dy incidente serioze. I pari ishte ai më datën 1 maj, kur militanten e Partisë Sociliste të Durrësit e rrahën mbështetësit e kandidates së opozitës, Grida Duma në Shkozet. Incidenti tjetër serioz ishte ai i Ersekës, ku një simpatizant i PS-së tentoi të qëlloi me karrige kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe plagosi një militant të opozitës. Problemet nuk kanë munguar dhe në Elbasan, ku kandidati i PD-së, Ardian Turku denoncoi rrahjen e një anëtari të stafit të tij nga mbështetësit e Partisë Socialiste.
Incidente të ngjashme kanë ndodhur rregullisht në zgjedhjet e mëparshme dhe nuk mund të pritet që fushata në Shqipëri të jetë në nivelet e vendeve të BE-së brenda pak vitesh. Është edhe çështje kulture e jo vetëm e vendosjes së rendit publik nga Saimir Tahiri. Këto zhvillime, në pak ditë, tregojnë se gara po kalon me shpejtësi drejt presioneve dhe incidenteve të rrezikshme. Brenda 20 ditëve, nga grushtet dhe prishjet e mitingjeve kaluam tek krismat e armëve, siç ndodhi dje në Vaun e Dejës. Lajmet për incidente nuk do të mungojnë dhe në ditët në vijim. Mënyra sesi është konceptuar fushata për “jetë a vdekje” nga të dy kampet politike, natyrshëm që do të prodhojë dhe përplasje. Ajo që duhet të shmangin partitë dhe janë ende në kohë për ta bërë këtë gjë është që një fushatë lokale të mos e kthejnë në një përballje kombëtare, pra në fushatë politike.
Ka nevojë që gjithë sherbimet sekrete të vendit dhe policia të hetojnë me intensitet gjithë elementët me prirje kriminale që nga plumbat në ajër dje në Vaun e Dejës të kalohet në plumba në kokë në ndonjë miting apo takim elektoral, sepse përveç humbjes së jetës së njëriut do të shkaktonte në një përplasje politike.
Ndaj ato plumba që shkuan drejt qiellit dhe ranë në tokë të mos na çojnë në destabilitet.