PS-LSI-PD, si i gjeti fillimi i fushatës

Ajo që bie në sy në mënyrën sesi dy partitë e vjetra, PS dhe PD, po hyjnë në zgjedhje janë koalicionet. Ndërkohë LSI ka bërë marrëveshje me PSD e Paskal Milos dhe po punon që të dalë forcë e parë. Por nëse krahasojmë PS dhe PD, duhet pranuar se Basha po shkon në zgjedhje me një të PD dhe të djathtë të bashkuar. Ndonëse me Kreshnik Spahiun e AAK gaboi. Ndërsa Rama, si asnjëherë më parë, po e çon PS-në drejt zgjedhjeve fillikat dhe të shkërmoqur. Zyrtarisht të dyja partitë, me vetëdije, i eliminuan aleatët në fletën e votimit. E bënë shumë poshtërsisht dhe pabesisht. Por ndërsa Edi Rama me dinakëri e  me një pabesi shembullore spostoi të gjithë aleatët e tij tradicionalë, nga ana tjetër Lulzim Basha hyri me votat e aleatëve në favor të Partisë Demokratike. Futja në listat e PD-së të Agron Dukës, Fatmir Mediu, Vangjel Dules dhe të tjerëve është një lëvizje pragmatiste që i shërben PD-së. Edhe pse janë jo të paktë demokratët që kanë rrudhur buzët nga ky lëshim i Bashës për aleatët, por në fakt, Basha ka bërë një shërbim për unifikimin e së djathtës. Duke futur në listë krerët e partive, automatikisht e ka bërë më të bashkuar të djathtën. Ato vota që kanë aletatët nuk kanë asnjë vlerë jashtë koalicionit, por nëse shkojnë në ‘thesin” e PD-së pesha elektorale e saj rritet duke marrë më shumë mandate. Por sapo rregulloi këtë hall, Basha prishi kandarin brenda shtëpisë demokrate. Nuk futi në lista Jozefina Topallin, Majlinda Bregun, Eduart Selamin, Arben Imamin, Ridvan Bode, Astrit Patozi. Sidomos me Topallin dhe Patozin ka gabuar rëndë.

Nga ana tjetër Edi Rama jo vetëm s’ka aleatë në listat e tij, por aleatët i ka si armiq politik në këto zgjedhje. I bëri armiq se deshi ti shkrinte, por ka ndodhur një fenomen kundër dëshirës së kreut të PS-së: Ata kanë marrë mbështetje nga baza e majtë, sespse shikojnë një pazar të fshehtë mes Ramës dhe Bashës. Deri pak ditë më parë, Kryeministri e cilësonte si arritje politike faktin që hoqi nga koalicionit LSI që është forcë kryesore dhe rreth 38 parti të tjera aleate. Këtë e ka pohuar në mjedise të ngushta, pasi në public nuk guxon ta thotë se e di përgjigjen e palës tjetër. Në zgjedhjet e vitit 2013 një pjesë e mirë e fitores së PS-së i dedikohet votave të LSI dhe votave që mblodhën aleatët që ishin brenda në koalicion. Me nxjerrjen e tyre jashtë kampit të majtë, PS-ja rrezikon jo vetëm të mos marrë mandatet e saj që kishte në vitin 2013, por edhe të pësojë një ulje të ndjeshme në numrin e mandatëve. Për 71-shin aq që bëhet fjalë pa koalicion, me këtë Kod Zgjedhor që ka miratuar vetë Edi Rama dhe Sali Berisha në vitin 2008. As që flitet!

Edi Rama bëri një gafë jo vetëm për të majtën e bashkuar, por kryesisht për PS-në. E ka dobësuar motivin e bazës së PS.  Futi farën e përçarjes në të majtën, duke bërë pazar me PD.

Asnjë prej aleatëve të tij serioz si Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi sot nuk japin më garanci për marrëdhëniet e mëvonshme me Ramën dhe PS. Dëmi kryesor që i ka bërë të majtës Edi Rama është konfliktualiteti në marrëdhëniet me LSI. Mospranimi për koalicion me LSI do të jetë arsyeja kryesore se përse PS-ja do humbasë pushtetin, pavarësisht se ka një shpresë te PD. Një lëvizje të tillë në PS, përçarëse, ka bërë vetëm Fatos Nano në vitin 2005. Ishte koha kur Nano i dehur nga pushteti i madh shpërfilli gjithë aleatët dhe futi frymën e përçarjes tek e majta. Pasoja e kësaj politike sollën dhe humbjen e turpshme të PS-së në vitin 2005. Fatos Nano neglizhoi LSI-në në vitin 2005 duke e konsideruar parti të re dhe pa peshë. Bile si armike, me shumë se sa PD-në e Berishës. Dhe humbi PS-ja. Tani, 12 vjet më pas, Rama përsërit të njëjtin gabim fatal duke harruar faktin se LSI-ja këtë herë është shumë herë më e madhe në numra dhe pretendon vendin e parë njëlloj si Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Faktet tregojnë se me votat e vitit 2015 LSI siguron 34 deputetë. Nga 2015 deri tani LSI është forcuar, çka do sjellë surprizën e pakëndëshme për Edi Ramën. E tha edhe Ben Blushi se Rama nuk do jetë më kryeministër, pas 25 qershorit. Fiks si Fatos Nano 12 vjet me parë. Për fajin e tij dhe mos korrektësinë me premtimet dhe aleatët.

Tabloja në hapjen e fushatës zgjedhore është pak a shumë kjo: Një PS e shkërmoqur, një PD e përçarë dhe një LSI në rritje të vrullshme.

Qamil Xhani

*Shkrimi është ripunuar pas daljes se listës së PD

SHKARKO APP