Gara për Tiranën nuk është e kyçur
Pasi përmenda në emisionin Opinion të Blendi Fevziut se epërsia e votave të parvjetshme të partive të sotme të mazhorancëës ishte rreth 90 mijë në territorin e zgjeruar të bashkisë së Tiranës, shumë njerëz më kanë thënë se nuk ia vlen të diskutosh më për garën elektorale në Tiranë, sepse, falë vetë asaj epërsie, fitorja e Veliajt është e padiskutueshme. Kjo gjë më bëri që t’i rikthehem të dhënave të një sondazhi që zhvillova para disa muajsh, në të cilin testova kandidime hipotetike të pavarura të Lubonjës, Shehit ose Bojaxhiut përballë kandidatëve të ndryshëm të PS-së dhe PD-së.
Nga ato të dhëna, rezultonte se 3% e banorëve të kryeqytetit nuk donin të votonin për asnjë kandidat, pavarsisht se kush mund të ishin ata. Vetëm 14% ishin të vendosur të votonin për një kandidat të PS-së, pavarsisht se kush mund të ishte ai, dhe vetëm 13% ishin të vendosur të votonin për një kandidat të PD-së, pavarsisht se kush mund të ishte ai. Nga ana tjetër, 10% ishin të vendosur të votonin për secilin nga kandidatët e pavarur të testuar dhe plot 60% mund ta ndryshonin votën në vartësi të kandidatëve në garë.
Këto të dhëna tregojnë se për çdo 10 kryeqytetas me të drejtë vote, 6 prej tyre mund të jenë ndikuar nga përzgjedhja e kandidatëve që ka bërë PS-ja dhe PD-ja. Gjithashtu tregon se ata mund të ndikohen nga fushata që do të zhvillojnë kandidatët. Pikërisht për këtë arsye, gara e Tiranës nuk mund të quhet e kyçur pa filluar.
Kuptohet se një pjesë e 60-përqindëshit të lëkundur mund të jetë pozicionuar tashmë në një nga llogoret e betejës për Tiranën (të PS-së, PD-së apo te të Pavarurit), por dy muajt në vazhdim do të jenë vendimtarë për fituar votën e të lëkundurve më të lëkundur.
Kush do të fitojë më shumë vota nga të lëkundurit, Veliaj, Kosova, Bojaxhi, Tafaj, apo Guri? Këtë do ta marrim vesh pas 21 qershorit.