Gaz lotsjellës, pranga dhe dajak QEVERITAR

-Kryeministri synon të fus terrorin te shqiptarët që të mund të vjedhë zgjedhjet, por Meta e paralajmëroi Edi Ramën se fundin do të kesh të hidhur. 

-Britmat e rilindasve të Ramës që vajtonin për pemën plastike para Kryeministrisë ishin që të harrohen ulërimat dhe dhimbjet e torturave të minorenëve nëpër komisariate apo dhe klithmat e nënave që prisnin të liroheshin fëmijët e tyre. Kur qeveria shqetësohej për disa adoleshentë që thyenin koshat e plehrave, nga ana tjetër policia trajtonte si plehra në komisariate dhe jashtë tyre, shumë qytetarë. 

Nga Mili Xhani-

Dje vendet ku zhvillohej protesta e përditshme para Kryeministrisë dhe  Ministrisë së Brendshme ishin bosh. Po kaq bosh ishin dhe rrugët e Tiranës pas orës 18:00 dhe kryeqyteti kishte në zonat kryesore më shumë policë se sa qytetarë. Një javë pas dhunës dhe terrorit policor me metoda ushtarake mbi të rinjtë, Rilindja duket se kishte shpallur fitoren ndaj protestuesve. Kryeministri Edi Rama arriti të mposhtë më gaz lotsjellës, pranga dhe dajak policor një revoltë spontane që nisi pas vrasjes nga një efektiv i policisë të 25-vjeçarit Klodian Rasha. Reagimi për vrasjen ishte pa organizim politik dhe lindi si revoltë e të rinjve përballë një pushteti që ka humbur busullën e zbatimit të ligjit. Përgjigja që të rinjtë dhe minorenët protestues morën ishte dhunë dhe shpërdorim ekzemplar i të gjitha ligjeve të shteti dhe Konventave Ndërkombëtare.

Protesta e të rinjve, në momente të caktuara pati dhe ndonjë akt dhune, por dhuna nuk ishte qëllimi i protestuesve. Thyerja e xhamave, koshave dhe ndonjë peme të Tiranës nuk mund të krahasohet me mënyrën sesi shteti u përgjigj ndaj të rinjve dhe sidomos minorenëve. Sado pemë të jenë thyer apo djegur, nuk justifikojnë burgosjen dhe procedimin penal të 200 të rinjve dhe të miturve. Sado xhama të jenë thyer, nuk justifikohet rrahja e qindra të rinjve. Sado të dhunshëm të kenë qenë protestuesit, nuk justifikohet helmimi me gaz i gjithë Tiranës. Sepse ata që bënin aktet e dhunës kanë qenë vetëm një grup i vogël mes mijëra protestuesve dhe një grup prej disa dhjetëra njerëzish nuk mund të identifikohet me gjithë të tjerët që dolën në shesh.  Ato pemë dhe xhama të thyer i shërbyen qeverisë dhe Edi Ramës për të treguar dhëmbët dhe dorën e hekurt ndaj gjithë gjeneratës së të rinjve që dolën në shesh. Britmat e rilindasve të Ramës që vajtonin për pemën plastike para Kryeministrisë bën që të harrohen ulërimat dhe dhimbjet e minorenë nëpër komisariate apo dhe klithmat e nënave që prisnin të liroheshin fëmijët e tyre. Kur qeveria shqetësohej për disa adoleshentë që thyenin koshat e plehrave, policia trajtonte si plehra në komisariate dhe jashtë tyre qytetarë të këtij vendi që mund të ishin pjesë e protestës, por nuk kishin prekur asnjë lule me dorë. Protesta e të rinjve ishte kaotike dhe dhuna sporadike që bën në disa raste nuk e mbështet askush. Por dhuna e qeverisë, Policisë së Shtetit dhe reparteve speciale ishte e organizuar. Ishte një dhunë e orientuar dhe e frymëzuar nga kreu i qeverisë, i cili së fundi u shfaq dhe si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Policia doli nga misioni i saj dhe u kthye në një shkop gome kundër qytetarëve të këtij vendi. Edi Rama e përdori uniformën e policisë ashtu siç kanë bërë gjithë paraardhësit e tij në momentet kur e ndjejnë se po u ikën pushteti. Nuk u zbatua asnjë ligj për policinë e shtetit, për tubimet apo aktet normative për pandeminë. Policët flakën kapet dhe shkelët ligjet e shtetit për tu vënë në shërbim të urdhrave politikë të qeverisë dhe kryeministrit.

Çdo akt i kryer nga forcat e rendit gjatë protestës ishte zbatim i urdhrave të një regjimi dhe jo të institucioneve demokratike. Edi Rama e përdori dhunën më qëllim dhe i vetëdijshëm se po kalonte edhe kufijtë paraardhësve të tij. Terrori me metoda ushtarake dhe policore këto ditë në Tiranë, për Edi Ramën ishte si provë gjenerale e skenarit që ka në mendje gjatë dhe pas zgjedhjeve. Pasi ka shkelur çdo ligj dhe marrëveshje politike dhe po thotë hapur se do të vjedhë zgjedhjet e 25 prillit, Kryeministri e di se çfarë do të ndodhë ditën kur do të prekë kutitë e votimit. Për ti mbijetuar kasaphanës elektorale që ka në mendje i duhet Policia e Shtetit si armë e verbër. Mënyra sesi u soll policia dhe si mposhti me dhunë e helm protestat tregoi se kryeministri i ka kompletuar gjithë elementët që e kthejnë qeverisjen e tij në një regjim të rrezikshëm. Më ketë regjim, këtë polici të kthyer në makineri terrori kundër qytetarëve dhe këtë mazhorancë që po hyn në zgjedhje për t’i vjedhur, 25 prilli duket si dita e përplasjes.

 

SHKARKO APP