Ministri gjerman: Duam reforma konkrete e jo vetëm tortë për mua!
Që prej muajit qershor qeveria “Rama” ka deklaruar se Bashkimi Europian i ka hapur negociatat me Shqipërinë, por vetëm ka shtyrë për arsye proceduriale me një vit procesin. Sipas qeverisë, vendimi që morën ministrat e Jashtëm të BE disa muaj më parë automatikisht hap negociatat në qershor të vitit 2019. Prej muajsh kjo është servirur si një arritje e madhe e qeverisë “Rama” dhe sukses i reformave të saj në fushën e integrimit. Edhe pse opozita dhe media në qershor thanë se shtyrja me një vit nuk ishte arritje por dështim, mazhoranca vijon të rendisë si sukses të sajin garancinë se pas një vitit vendi do të çelë negociatat.
Të vërtetën e vendimit të qershorit e ka thënë dje ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas. Kryediplomati gjerman, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati rrëzoi gjithë skemën e mazhorancës me integrimin. Maas tha në mënyrë të qartë se në vitin 2019 nuk ka asnjë garanci se negociatat do të merren. Diplomati gjerman theksoi se në BE nuk ka procese automatike, por vetëm verifikim kushtesh. Nëse Shqipëria në vitin 2019 nuk ka përmbushur kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian, negociatat do të shtyhen sërish. Vendimin e qershorit 2018, të cilin qeveria “Rama” e cilësoi si hapje negociatash, diplomati gjerman e quajti një vendim orientues të BE dhe jo përfundimtar.
Ministrit gjerman i kishte rezervuar një surprizë ministri Bushati. Ministri kishte ditëlindjen dhe i kishte qëlluar që vizita në Tiranë ti përkonte rastësisht me ditëlindjen. Por për këtë kishte menduar ministri shqiptar Bushati. Duke qenë i regjur tashmë me diplomacinë e ka menduar mirë se një surprizë duke i dhuruar një tortë ministrit gjerman do të ishte një lajm dhe zbutës në kritikat gjermane ndaj Shqipërisë, sidomos me lojën dyfishe me rastin Thaçi-Vuçiç. Por ministri gjerman falenderoi për tortën duke mos harruar të thoshte me gjestin e tij se më duhen reformat e qeverisë e jo vetëm torta.
Gjithsesi dje ministri shqiptar Bushati këndoi mirë “Shumë urime për ty gjerman!”. Në kryeministri thonë se Ditmir Bushati kishte dy ditë që bënte prova në zyrë për këngën, oshilimet e zërit dhe mënyrën se si do t’ia jepnin tortën gjermanit të kancelares Merkel. Por ministri gjerman vazhdoi duke thënë se “Shtetet anëtare të BE kanë bërë gjithashtu të qartë se qershori i vitit 2019 nuk do të jetë një automatizim përsa i përket nisjes apo çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Kriteret për këtë janë të hapura dhe të qarta, të ditura dhe të qarta, pra, duhet të ekzistojnë hapa për rezultate të tjera përsa i përket reformave në mënyrë të tillë që të mund të bindim edhe të gjithë ata që janë disi skeptikë për sa i përket këtij procesi”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.
Kushtet për marrjen e negociatave janë të njëjtat që janë përsëritur prej disa vitesh nga gjithë zyrtarët e BE. Brenda këtij viti qeveria “Rama” duhet të jap rezultate konkrete në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe gjithë proceseve që lidhen me ndërtimin e shtetit. Teksa diplomati gjerman vlerësoi nisjen e reformës në drejtësi, për herë të parë në qëndrimet e zyrtarëve të vendeve të BE u theksua dhe rëndësia e pavarësisë së drejtësisë. Deri më sot është folur për gjyqtarë të korruptuar dhe kjo është një temë e njohur. Por përmendja e kriterit të pavarësisë së drejtësisë duket se shkon direkt për qeverinë, sepse zakonisht është qeveria që ndërhyn te drejtësia dhe jo opozita. Deklaratat e kryediplomatit gjerman zbehin gjithë entuziazmin e qeverisë lidhur me reformat që thotë se ka kryer për integrimin. Në Tiranë, ministri i Angela Merkel tha në mënyrë të qartë se asgjë nuk është e përfunduar për negociatat. Gjermania është një mbështetëse e fortë e integrimit të Shqipërisë, por Heiko Maas la të kuptohet se në vitin 2019 do të jenë sërish vende si Holanda dhe Franca që do të kenë të njëjtat kërkesa të rrepta për Shqipërinë.
Vizita e kryediplomatit gjerman në Tiranë nuk ka pasur qëllim vetëm çështjen e integrimit. Ndalesa e tij në kryeqytetin shqiptar vjen pas një turi intensiv në gjithë vendet e rajonit dhe që lidhet me zhvillimet e reja në Ballkan, pas nisjes së debatit për “korrigjimin e kufijve të Kosovë”. I pyetur për këtë çështje nga gazetarët, Heiko Mass përsëriti edhe një herë qëndrimin e Berlinit se rishikimi i kufijve nuk është një opsion që mbështetet nga Gjermania. Diplomacia gjermane i është kundërvënë që në fillim projektit të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç për rishikimin e kufijve. Duke e cilësuar si një ide të rrezikshme, Berlini zyrtar ka nisur një fushatë të fortë lobimi që të frenojë realizimin e një projekti të tillë, i cili dëmton gjithë investimin 28 vjeçar të BE në Ballkan. Ndaj dhe në deklaratën e ministrit gjerman me kryeministrin Edi Rama, bashkë me vlerësimet i kujtohej qeverisë shqiptare partneriteti me Gjermaninë në NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare ku merren vendime. Gjithashtu, Maas i ka kujtuar kryeministrit Edi Rama se Tirana është spiranca e stabiliteti në rajon. “Ne e kemi mbështetur këtë rrugë që prej fillesave të veta, por edhe ju sigurisht që jeni një partner mjaft i rëndësishëm për ne në kuadër të organizatave ndërkombëtare, para së gjithash në NATO. Ju jeni një vend që mund të konsideroheni si spirancë e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon”,- deklaroi ministri i jashtëm gjerman.
Vizita zyrtare e ministrit të Jashtëm gjerman Tiranë pati dhe një element të ri në mesazhet e ndërkombëtareve për procesin e integrimit. Zakonisht ndërkombëtarët, këto vite, janë kujdesur që kur kërkojnë më shumë reforma të komentojnë edhe opozitën, herë si pjesë e problemit dhe herë si pjesë e zgjidhjes. Në qëndrimet e kryediplomatit gjerman problemet e integrimit ju faturuan qeverisë dhe faturën e përgjegjësisë një vit më pas do t’a paguajë po qeveria “Rama”.
Ministri iku, tortë e hëngri, por la idhnim te kryeministri shqiptar.
Qamil Xhani