Gjermania e shqetësuar me ndikimin rus në Serbi
Të gjithë pjesëmarrësit e samitit në Brisbane e kanë shfrytëzuar shansin që t'ia thonë mendimin e tyre presidentit të Rusisë Vladimir Putin. Ndërsa në fillim të kësaj jave sërish në rend janë ministriat jashtëm të BE, të cilët do të vendosin për hapat e tjerë, që duhen ndërmarrë ndaj Rusisë. Fati që edhe shefi i Kremlinit kishte një qëndrim refuzues ndaj të gjithë liderëve perëndimorë në Australi, nuk e lehtëson fare punën e ministrave. Kancelarja Angela Merkel, për të cilën thuhet se ka ndoshta raportet më të mira me Putinin, u largua nga një takim disaorësh me presidentin rus pa asnjë koment. Por ajo komentoi më vonë deklaratat e tij të bëra në një intervistë për televizionin e parë gjermanë ARD. Putin justifikoi në këtë intervistë ndërhyrjen në Krime, me shpjegimin se këtë e ka kërkuar populli i atjeshëm.
Frika nga influenca e madhe në Serbi
Ishte kjo hera e parë që Putin shumë hapur foli për anektimin e kësaj pjese të Ukrainës. Por edhe për gjendjen në lindje të Ukrainës, me fjalët se atje duhet vendosur një lloj federalizmi dhe duhet evituar ndërhyrja e njësive ukrainase. Putin sërish e ka krahasuar gjendjen në Krime dhe në Ukrainë me atë në Kosovë. Qarqet perëndimore kanë frikë se Putin dhe Rusia nuk do të ndalojnë vetëm me ndërhyrjen në Ukrainë. Ka dhe vende të tjera, ku ai po përpiqet të shtojë influencën. Kancelarja Merkel në një fjalim të mbajtur në Australi ka tërhequr vërejtjen për ndikimin e Rusisë në vende të caktuara evropiane dhe sidomos në Serbi, Moldavi dhe Gjeorgji.
“Do të duhej që vetëm ky fakt të na bindë, se sa e rëndësishme është politika e përbashkët evropiane”, ka thënë Merkel. Ngjashëm me fjalët e kancelares janë shprehur edhe disa media gjermane, të cilat paralajmërojnë se Putini po ndjekë një strategji të qartë ndaj Ballkanit perëndimor. Sipas revistës Der Spiegel Rusia është koncentruar maksimalisht që të rrisë “ndikimin strategjik në Ballkanin Perëndimor”. Në artikullin me titull “Ndikimi i Rusisë në Serbi” thuhet se “objektivi i Putinit është që përmes një bashkëpunimi të ngushtë ushtarak mes Moskës dhe Beogradit të arrihet që Serbia të qëndrojë sa më larg integrimit në Bashkimin Evropian”. Ndërkohë që Rusia po përpiqet ta lidhë Serbinë për vete edhe përmes bashkëpunimit ekonomik dhe gazit. Gazetat në Serbi shkruajnë se e njejta strategji po zbatohet edhe në Bosnje-Hercegovinë, sidomos në pjesën e banuar me serbë, në Republika Srpska.
Qeveria gjermane dhe vendet perëndimore ende nuk kanë gjetur një përgjigje konkrete ndaj sfidave më të reja, por në Beograd po qëndron edhe zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, i cili do të bëj të qartë se perspektiva e Serbisë është afrimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me BE-në.
Obligimet e ministrave të jashtëm
Ndërkohë minsitrat e jashtëm në Bruksel duhet të trajtojnë mundësitë për masat ndaj Moskës. Por për momentin përjashtohet ashpërsimi i sanksioneve. Kjo temë nuk është në rend dite, tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier: "Por do të trajtohet gjendja në lindje të Ukrainës dhe do të shqyrtohet mundësia e izolimit të mëtejmë të liderëve të seperatistëve atje".
Po pse Perëndimi po reagon kaq butë ndaj zhvendosjes së anijeve luftarake të Rusisë në afërsi të bregdetit australian, apo fluturimeve të avionëve rusë përgjatë kufirit të vendeve të NATO-s? Vendet perëndimore ende nuk kanë rënë dakord për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë. Diplomatët në Bruksel mendojnë se Perëndimi duhet të shfrytëzojë të gjitha mjetet diplomatike, para se të merren masat e tjera ndëshkuese.
Efektet e dobëta të sanksioneve
Sanksionet deri tani nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara. Por diplomatët thonë se edhe në Moskë ka zëra të ndryshëm, të cilët mendojnë se sansksionet në shtigje afatgjata do të japin rezultate.
Disa mendojnë se Rusia që tani po paguan një çmim të lartë. Ndërsa vetë Putini thotë se sanksionet do të godasin njëjtë si Rusinë, ashtu edhe vendet perëndimore.Giles Merrit nga "Institut Security and Defence Agenda", mendon se sanksionet kanë filluar të japin rezultatet e para. Por Kremlini ende nuk është i shqetësuar shumë për këtë punë. Ai po përpiqet të mobilizojë njerëzit pas vete me fjalët se sanksionet nuk do të japin rezultatet e pritura dhe se ato janë të padrejta. Putin tha se Rusia po shënon rritje ekonomike edhe nën sanksione dhe se kjo rritje në dy vitet e ardhshme do të jetë edhe më e lartë.
Evropës i duhet më shumë unitet
Ekologjistja Rebecca Harms, anëtare e Komisionit për Ukrainën në PE, thotë: "Duhen rishikuar të gjitha masat për gjetjen e një zgjidhje jo ushtarake", sepse prej fillimit "ka qenë e qartë se sanksionet do të veprojnë ngadalë". Megjithatë efektet e para janë prezenete. Rubla ruse ka shënuar një rënie prej 40% prej fillimit të sanksioneve. Kjo ka të bëjë edhe me uljen e eksportit të gazit, sepse Rusia varet kryesisht prej këtij eksporti. Evropianët duhet të bëjnë të qartë dy gjëra, mendon politikanja ekologjiste. Së pari, se sanksionet do të vazhdojnë dhe se të gjithë i mbështesin ato. Dhe së dyti, vendet e BE nuk duhet të bëjnë asnjë biznes të madh me Rusinë.