Guardia di Financa:Edhe në Itali ka drogë!
Kultivimi i drogës gjatë viteve të fundit është kthyer në një problem për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Si për çdo ngjarje, klasa politike në vend është përfshirë në debate të ashpra dhe akuza, të cilat vijuan edhe dje mes PS dhe PD. Në morinë e akuzave politike, ku nuk kuptohet se ku është fakti dhe ku sulmi politik, ka vetëm pak institucione që shifrat e të cilave mund të merren për bazë. Dje, oficerë të Guardia di Financa bënë bilancin e një viti bashkëpunim mes Policisë Shqiptare dhe autoriteteve italiane që ndjekin situatën në Shqipëri.
Ajo çka pranohet nga drejtuesit e policisë shqiptare dhe asaj italiane është fakti se ka një numër më të madh të rasteve, ku bima narkotike është asgjësuar, pra për Policinë e Shtetit do të thotë se është rritur fuqia goditëse kundër kultivimit të drogës. Krahasimi bëhet me qeverisjen e Partisë Demokratike në vitin 2013. Pra nëse në atë vit rezulton më pak drogë e sekuestruar, kjo lidhet me faktin se vetëm një pjesë e vogël e territorit kontrollohej. Ndërsa sot, sipas kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe oficerëve të Guardia Di Financa monitorohet thuajse gjithë territori i vendit, zbulohet më shumë drogë, por edhe asgjësohet më shumë.
Konkretisht sipas raportit, sipërfaqja e monitoruar në vitin 2016 është 506 hektarë, në të cilat ka rezultuar se janë kultivuar me hashash 213 hektarë. Ndërkohë, në vitin 2013, sipërfaqja e kontrolluar ishte 361 hektarë, prej të cilave 323 hektarë të kultivuara më hashash. Këto shifra, sipas Policisë së Shtetit dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri tregojnë se sipërfaqja e kultivuar me hashash në vitin 2016 është shumë herë më e vogël sesa sipërfaqja e tokës së mbjellë me lëndë narkotike në vitin 2013, kur në pushtet ishte PD-ja.
Numri i bimëve të asgjësuara këtë vit është rreth 2 milionë e 4 mijë rrënjë, një shifër jo e vogël që tregon për forcën goditëse të policisë. Por nga ana tjetër edhe këto shifra tregojnë edhe një tendencë për të shtuar mbjelljen e lëndëve narkotike. Zyrtarët italianë që ishin dje në konferencë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, folën për një fenomen të kultivimit të hashashit që nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Antonio Molinaro, kolonel i policisë italiane theksoi se mbjellja e hashashit nuk është vetëm një problem shqiptar. Madje, koloneli i Guardia Di Ginancia theksoi se edhe në Itali ka shtetas italianë dhe jo shqiptarë, që mbjellin hashash dhe kanë qëlluar me armë policinë.
“Tek ne në Itali ka qytetarë që e kultivojnë kanabisin në shtëpi në vazo. Në zona të caktuara na kanë qëlluar me armë edhe helikopterët e policisë”, thotë Molinaro. Ai tha se vlera që ka ky produkt në treg ka bërë që të shtohen edhe në vendin e tij rastet e mbjelljes. “Çështja e përfshirjes së shqiptarëve në kultivimin e kanabisit në Itali për ju është fenomen më i hasur, që bëhet fjalë për shqiptarë, por ka dhe shumë italianë që prodhojnë kanabisin në shtëpitë e tyre, pa ndihmën e shqiptarëve. Për fat të keq vlera e shtuar e prodhimit të kanabisit është shumë e lartë dhe bashkëpunimi që ekziston mes Italisë dhe Shqipërisë, më pas sjell frytet e veta, por kjo është një ndjekje e vazhdueshme”,- tha Molinaro.
Në qëndrimin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit shqiptar dhe italian u fol dhe për teknologjitë e reja që kanë futur në punë kultivuesit. Ndërsa policia blenë mjete të reja, trafikantët kanë futur teknologji më moderne. Rasti më konkret është i hashashit të njohur si variant vietnamez, i cili rritet brenda 15 deri në 45 ditë. Ndërkohë që, trafikantët nga skafet, kanë kaluar te motorët e ujit, të cilët nuk arrijnë të kapen as nga radarët.
Por jashtë detajeve teknike të funksionimit të ‘biznesit’ të drogës, në Shqipëri situata paraqitet jo gjithmonë në favor të Policisë së Shtetit. Partia Demokratike çdo ditë ka deklarata dhe qëndrime që pretendojnë se kultivimi i drogës ka mbështetjen e zyrtarëve të lartë në polici. Sipas kreut të PD-së, Lulzim Basha trafikantët kanë suportin edhe të vetë Kryeministrit Edi Rama. Ndërsa raporti i Guardia Di Financa flet për një goditje më të madhe nga policia të drogës në vend dhe zbulimin e plantacioneve, Basha citoi burime po nga autoritetet italiane, që thonë se, droga në vend është pesëfishuar. Kreu i PD-së tha se vetëm në vitin 2016 janë mbjellë 10 mijë tonë drogë.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama akuzave u është përgjigjur në Facebook. “Basha nuk tha pse s’i votoi ligjet e drejtësisë, po rihapi menjëherë kapakun e shpifjeve për drogën sapo Guardia di Finanza e mbylli atë kazan!”. Dhe në fakt raporti i Guardia di Financa thotë se, “edhe në Itali ka drogë”. Por droga shqiptare po trazon jo vetëm politikën e Tiranës, por edhe Europën.
Qamil Xhani