Hajde e më arrestoni edhe mua! Kam në xhep 255 mijë lekë, jam në Spiten
Nga Nikoll Lesi.
Sot është heshtje zgjedhore. Nuk lejohet asnjë propogandë, por PS-ja ka gjetur një mënyrë brilante djallëzore ku edhe sot, si ditë e shtunë, të bëjë propogandë në favor të saj dhe sidomos kundër armikes së saj të re, LSI. Pra në raport me Kodin Zgjedhor, PS dhe kryeministri Rama, duken se po zbatojnë ligjin duke ndaluar persona se dyshohet se mund të blejnë vota. Nëse do kishte filmime duke dhënë lekë në këmbim të votave apo fotografi apo edhe inçizime me zë, absolutisht jemi dakort që në burg e ka vendin kushdo që vepron në këtë mënyrë. Kushdo qoftë. Por realisht sot pushteti i PS, që ka në dorë policinë e shtetit dhe shumicën e mediave, do jetë në aksion me shumë politik duke ndaluar, arrestuar dhe nxjerrë në lajme persona të dyshuar se po blejnë vota. Njërëzit e thjeshtë që shikojnë lajmet mendojnë se ” derisa e kanë ndaluar patjetër do jetë duke blerë vota”. Dhe krijon përceptim të gabuar për iks forcë politike, e cila është fiksuar nga kryeministri që të goditet sa më shumë, edhe sot si ditë para votimeve. E them këtë nisur nga finesa përfekte djallëzore e stafit të kryeministrit që edhe sot të bëhet fushatë në favor të PS.
E kam bindje, pasi i njoh mirë sepse janë mjeshtra të propogandës. Bile po ti kishte Hillary Clinton në fushatë, stafin e kryeministrit Rama, do të dilte fituese.
Le të marrim një lajm të publikur paradite, lajm që nuk do mbetet i vetëm, pasi deri në darkë vonë do shikojmë të tjera ndalime dhe lajme në televizione. Policia e shtetit ka njoftuar se “Izmir Gezim Bushaj vjec 26 banues në fshatin Kullaj, sëbashku me shtetasin Xhyher Bushaj ku brenda automjetit tip Hunday me targa AA 797 MK konstatoheshin një listë votuesish dhe sasi e konsiderueshme parash të destinuara per ti shpërndarë me qëllim blerjen e votes”, pra policia dyshimin e kthen në lajm.
Kaq ishte njoftimi dhe ku në foton e shpërndarë nga policia ishin 180 mijë lekë të vjetra, gjithësejt. Të paktën nisemi nga foto e policisë për lekët që i ka kapur në makinën e personit që citohet. Personin në fjalë as nuk e njoh dhe as nuk kam për ta njohur, por nga mënyra se si jepet lajmi nga policia e shtetit, ku nuk ka as video duke dhënë lekë, as foto duke shpërndarë lekë, as inçizime, pra asgjë komprementuese, por veçse e kanë ndaluar personin në fjalë dhe i kanë gjetur 180 mijë lek të vjetra. Dhe duke e ditur se qenka militant me LSI e paskan fotografuar me 180 mijë lekë në makinë dhe e kanë dërguar në rajonin e policisë. Më pas mënjëherë kanë shpërndarë lajmin në media se “dyshojmë se mund të blinte vota!”. Dhe e kanë shoqëruar lajmin me një foto të tij me Ilir Metën. Djallëzi e paparë dhe produkt gebelsian fushate kundër kundërshtarit politik duke përdorur policinë e shtetit dhe shumicën e mediave që mezi presin të miklojnë kryeministrin me një lajm të tillë antiLSI. Po kështu nuk jam aspak dakort edhe me Nasip Naçon, kandidatin e LSI në Berat ku mbrëmë nisi një letër ambasadorit LU dhe prokurorit të përgjithshëm se ” po blihen vota në Berat!”. Por foto apo video apo emra nuk kishte. Edhe unë mund të them nga inati fjala vjen se Ben Blushi po blen vota në fshatin tim të lindjes në Spiten, Lezhë, vetëm se ish-shoferi im që tani ka kaluar me LIBRA, Pjetër Lini kaloi nëpër fshatin Spiten me një makinë të kohës se “Koha Jone”!
Natyrisht që vota po blihen sot dhe do blihen edhe nesër. Bile edhe komisionerë dhe numërues natën e së dielës. Por duhen organet kompetente të specializuara apo edhe policia e shtetit të jenë e barazlarguar nga partitë e ku të arrestojë këdo që kapet me fakte; qoftë i LSI, PD, PDIU, PSD apo PS. Bosët e mëdhënjë të drogës, të cilët nuk dalin në skenë direkt, po hedhin miliona euro. Por, fatkeqsisht, ka informacone se shumica e tyre kanë bashkëpunim me PS-në dhe me një pjesë të konsiderueshme të policisë shtetit. Kjo mbetet e rrezikshme. Ky është deformim skandaloz i votës popullore. Këtu, në këtë rast, demokracia rrezikohet seriozisht.
Por finesa e lojës së grupit kryeministror është se nga njera anë ndalojnë këta fakirat me 180 mijë lekë në xhep dhe bëjnë namin në media për të denigruar iks parti, kurse nga ana tjetër bosë, deputetë-bosë apo bosë kriminela me dhjetra milionë euro shëtisin me makina të shtrenjta dhe i kanë plot e përplot me euro 20-she, 50-she dhe 100-she të cilat shpërdahen nëpër katunde, por nuk guxon polic t’i ndalojë. Nuk ndalohen se e kanë “policin” në vend të parë!
E fundit, mëqënëse po ndalojnë me dyshime njërëz që po blejnë vota vetëm se kanë në makinë 180 mijë lek të vjetra apo 200 mijë, me ndaloni edhe mua policë të nderuar, pasi kur të më kontrolloni sot kam 255 mijë lekë të vjetra në makinë. Deri pasdite me keni në Spiten në Lezhë. Mirë është të më ndaloni diku afër rrugës së Rinasit, pasi nuk e duroj dot shoqërimin me furgonin e policisë në rrugë të gjata!
Lajmin mos e nisni në media, pasi mezi presin dhe e japin vetë si lajm të parë disa televizione edviniste dhe lejendërtuese maviniste, të cilët e dredhin me çdo pushtet.