Hakmarrja e Bashës ndaj kryeministrit Edi Rama

-Petrit Vasili: Nëse Rama emëron kryprokurorin vetëm me votat e PS, atëhere përmbysje pa asnjë hezitim, me çdo mjet e mënyrë të kryeministrit.

-Kërcënimi i shefit të selisë blu në 27-vjetorin e PD: Zullumi dhe pabesia e Edi Ramës do të marrë përgjigje të egër. Nuk ka asnjë marrëveshje tjetër me atë.

Në 27-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk foli vetëm për të shkuarën e partisë që drejton, por dhe për zhvillimet e ardhshme. Në takimin ku binte në sy mungesa e kritikëve që e kundërshtuan fort për marrëveshjen me Edi Ramën dhe opozitën e butë, kryetari Basha lëshoi sinjale të fortë për një betejë të egër kundër mazhorancës dhe personalisht ndaj kryeministrit Rama. Fjalimi i kreut demokrat kishte të gjitha mesazhet e një opozitari që e ka ndarë mendjen për të mos bërë më kompromise me Edi Ramën. Kompromise dhe pazare që edhe sot po i japin kosto në elektoratin e PD-së. Basha foli për pabesi të Edi Ramës në paktin e 18 majit, për ndëshkim të egër ndaj zullumeve të qeverisë dhe për ndëshkim politik ndaj rivalit të tij, kryeministrit Edi Rama.

Si rrallë here, përballë demokratëve, Lulzim Basha ka bërë dhe një sqarim për marrëveshje aq shumë të përfolur me kreun e qeverisë, Edi Rama. Sipas Bashës ishin  përfaqësuesit e SHBA ata servirën draftin e marrëveshjes me kreun e qeverisë. Ndërkohë shtoi se arsyeja pse pranoi të ulej me Edi Ramën ishte shmangia e një konflikti civil. Por duke e akuzuar Edi Ramën si të pabesë në zbatimin e paktit mes dy partive, Basha premtoi se shumë shpejt do të vijë dhe hakmarrja. “… Ne pranuam draftmarrëveshjen për zgjedhjet, që partneri ynë strategjik, SHBA, u propozoi shumicës dhe opozitës shqiptare. Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilin u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt. Politika nuk është e pistë apo hileqare në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis e të paskrupullt atë, thoshte Vasllav Havel. Politika hakmerret një ditë ndaj tyre. Kjo është një ligjësi e hekurt”,- deklaroi kreu i PD-së.

Ndërsa justifikoi paktin e dyshimtë me Edi Ramën, Basha foli dhe për aksionin e pritshëm të PD-së dhe opozitës, që ketë herë duket si një betejë frontale. Duke e cilësuar qeverinë e Edi Ramës si një të keqe kombëtare që kanabizoi vendin, promovoi kriminelët dhe vodhi zgjedhjet, Basha premtoi aksion kombëtar. “Shpërbërja e së keqes do të përshpejtohet në javët dhe muajt në vijim”,- tha kreu i PD-së.

Deklaratat e ashpra dhe tonet luftarake të Lulzim Bashës vijnë vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama i bëri ftesën e radhës për marrëveshje. Këtë herë në “lojë” është Prokurori i Përgjithshëm dhe PS është përpjekur të josh opozitën duke e futur në procesin e votimit në Kuvend, sa për të kaluar radhën. Po nga ana tjetër nuk ka munguar dhe kërcënimi i PS-së, se nëse Basha nuk pranon negociata kryeprokurori i përkohshëm do të zgjidhet vetëm me votat e mazhorancës.

I egër dhe radikal ka qenë dje reagimi nga LSI-ja, e cila nëpërmjet dy figurave të saj , Petrit Vasili dhe Luan Rama ka paralajmëruar  që nëse PS dhe Rama zgjedhin kryeprokuror me votat e mazhorancës, atëhere do fillojë lufta për rrëzimin me forcë të kryeministrit Rama.

Qëndrimi i djeshëm i Bashës, të paktën zyrtarisht, nuk lë vend për shumë hamendje. PD bashkë me LSI kanë deklaruar se me zgjedhjen e një prokurori vetëm me votat e PS, praktikisht do jetë fundi i reformës në. Ndërsa Basha foli për reagim të ashpër, kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili shkoi edhe më tej, kur tha se nëse Rama zgjedh kryeprokurorin ka vetëm një përgjigje: “Përmbysje pa asnjë hezitim me çdo mjet e mënyrë”.

Ndryshe nga LSI që flet për Kushtetutën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve në kapjen e Prokurorisë, reagimi i Bashës duket si ai i një politikani që është prerë në besë nga marrëveshja e parë. Nga pakti i 18 majit doli i humbur vetëm PD dhe një tjetër tryezë me Edi Ramën do të ishte vetëvrasje politike për kreu e PD-së. Basha premtoi se këto javë dhe muaj do të ketë betejë për çmontimin e qeverisë.

PD dhe LSI kanë vendosur që ta rrëzojnë kryeministrin Rama, edhe me forcë, nëse ai emëron Prokurorin e Përgjithshëm vetëm më votat e PS.

Si dhe kur do ta rrëzojnë, mbetet të shikojmë, pasi po futemi edhe në dimër e ku njerëzit mblidhen rreth oxhakut. Por nëse opozita qëndron fort dhe nuk ofertohet e miklohet atëhere ka gjasa të fitojnë kauzën e tyre.

Qamil Xhani

SHKARKO APP