Hakmarrja e Europës ndaj Ramës
Nga Herion Mesi,
Zv/kryeredaktor i KOHA JONE.
Kryeministri Rama nuk heq dorë nga vendimi personal për të ndryshuar Kushtetutën në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe pa konsensusin e opozitës reale. Ai e ka ndarë mendjen që do të kundërshtojë Gjermaninë dhe krejt Europën, bile sot i kërcënoi ata se jemi “shtet sovran” dhe vendosim vetë!
Ajo çka deklaroi nënkryetari i CDU dhe CSU në Bundestagun Gjerman, Johan Wadephul, se Gjermania dhe BE do të bllokojnë negociatat me Shqipërinë nëse prekni Kushtetutën dhe nëse nuk votoni Marrëveshjen e firmosur, do të jetë “lule” krahasuar me atë që po përgatitet nga Gjermania dhe Franca pas refuzimit skandaloz të kryeministrit Rama sot në mesditë.
Deri tani Edi Rama na thoshte se kam ndërkombëtarët me vete, jam konsultuar me Uashingtonin dhe Brukselin, se më ka thënë ky apo ai në Bruksel, etj etj brockulla, me të cilat mbajti pushtetin. Tani që po e humbet, dhe sondazhet e nxjerrin në minorancë, si dhe kur ambasadorja amerikane në Tiranë zonja Yuri Kim tha se “duhet ndërruar gjaku” duke nënkuptuar se pushteti i Ramës duhet të largohet; kryeministri është acaruar. Ka kaluar në sovranitet dhe u tregon Brukselit dhe Uashingtonit se vendosim vetë si parlament Sovran.
Të mërzitur, bile të acaruar me kryeministrin Rama, në mes të hallëve dhe problemëve që ka Gjermania dhe Bashkimi Europian me pandeminë e krizën ekonomike, po u shkon dhe arroganca nga Shqipëria, ndaj do të reagojnë fort.
Mësohet nga burime të rëndësishme diplomatike se nëse kryeministri Rama do vazhdojë udhën e tij të përplasjes me opozitën reale duke e çuar vendin në kaos, nga frika e një vale të madhe refugjatësh, si fillim do njoftojnë zyrtarisht bllokimin e negociatave nga Brukseli dhe nëse prapë Edi Rama nuk tërhiqet, atëhere si masë provizore BE do të vendosë pezullimin e vizave për shqiptarët.
Nëse kjo masë e ashpër do vendoset nga BE, atëhere kjo mbetet shkatërruese për çdo shqiptar. Edhe tani jemi të bllokuar nga koronavuirusi. Bile edhe Mali i Zi na ka mbyllur kufirin. Që të shkosh në Mal të Zi duhet si dikur , të marrësh “vizën” të qendra e spitalit infektiv që ke apo jo koronavirus e më pas mund të kalosh kufirin.
Imagjoni po që se BE pezullon vizat për shqiptarët, se si do të jetë kaosi brenda vendit.
Një katrahurë e vertetë prej kokëfortësisë së Rilindjes dhe Edi Ramës, të cilët duan që për hir të marrjes së pushtetit vitin e ardhshëm që në tavolinë, por prishin të ardhmen e rinisë shqiptare, po na mbyllin brenda, sa vetëm në Kosovë mund të shkojmë lirshëm.
As Greqia, as Mali i Zi nuk na pranojnë që sot. Dhe nëse vendimi i Brukselit do jetë hakmarrës ndaj Edi Ramës që nuk pranon asnjë këshillë, por vetëm u merr qindra milionë euro, atëhere vizat do ti shikojmë me dylbi për ca muaj. Do na pezullojnë vizat.
Ndaj Edi Rama duhet të mbledhë mendjen dhe të mos ia sjellë edhe këtë të keqe shqiptarëve.