Heshtja e frikshme e Partisë Demokratike

-Edi Rama ka marrë pushtetin ekzekutiv, po merr edhe drejtësinë, median e ka marrë me kohë. I mbetet edhe një pjesë e opozitës. Edhe atë po e merr prej dashurisë së 18 majit. 

Lulzim Basha e mori partinë, siç deshi ish-lideri Berisha. Ia dha në vitin 2013 hapur, ashtu sikurse edhe në korrik 2017 ia la në dorë, duke mos folur. Tashmë PD, ndonëse në muaj gushti, akoma nuk po shfaqet si një parti e fortë opozitare. Mundet të jenë ditët e nxehta të gushtit, por kritika të forta Edi Ramës po i bëjnë LSI dhe ish-kryeministri Berisha me facebook-un e tij. Por facebook-u mbetet si mjet komunikues, por jo si armë sulmi politik. Aq me tepër që shumica e popullsisë nuk e përdor, pavarësisht se një pjesë e rinisë rri me celular në dorë e facebook para syve.

Lulzim Basha heshti gjatë fushatës parlamentare ndaj Edi Ramës, heshti edhe gjatë fushatës për marrjen e kreut të PD-së. Ai foli, natyrisht, disa gjëra, por nuk ishte opozita që duhej. Nuk kishte forcë PD-ja dhe po vazhdon të mos ketë akoma sharmin e dikurshëm të një partie me traditë të fortë opozitare.

Brenda PD-së kanë filluar një lëvizje figurat kryesore të saj, të cilat kanë mbajtur PD-në në ditët e saj më të vështira si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, Ridvan Bode, Majlinda Bregu, Gjergji Lezhja, etj. Ata duan një gjë, e cila duhet garantuar; zyrtarizimin e fraksioneve në parti. Por të bëhet me kongres partie, me statut dhe ku të preçizohet rastet kur kryetari i PD-së duhet të jap dorëheqjen e parevokueshme. Nëse kjo linjë e PD-së ofrohet, dëgjohet dhe zyrtarizohet edhe si fraksion, tregon se Lulzim Basha synon me të vertetë të vijë në pushtet në vitin 2021. Por siç duken gjasat, nuk ka ndërmend njeri në selinë blu, ti pranojë dhe ofrojë si emra VIP në PD. Kjo tregon shumë gjëra se si do jetë PD-ja në opozitë. Shto edhe faktin dyshues se vazhdon marrëveshja mes Ramës dhe Bashës, e cila “u mbars” me 18 maj, prandaj nuk duket vjeshtë e nxehtë për kryeministrin Rama. Shpresa mbetet LSI-ja, e cila do jetë përballë Ramës, por nuk mjafton. Duhet edhe PD, sepse PD dhe LSI bëjnë 63 deputetë. Me një numër të tillë opozitar, qeveria e ka shumë të vështirë të përballet në sallën e parlamentit. Por nëse marrëveshja Rama-Basha po vazhdon, do jenë ditë të vështira për opozitën dhe median e lirë shqiptare, pasi Kryeministri do luajë fort duke patur gjithka në dorë, ndërsa si kolonë e pestë në opozitë do jetë PD e re e Bashës. Kjo do ta masakronte shoqërinë shqiptare, sepse kur një pushtet është arrogant jo vetëm në numra, por edhe në konceptim e veprim, sjell tkurrje të të drejtave e lirive të njeriut. Tamam si në vitet e Berishës së parë 1992-1997, por asokohe kishte prapë shpresë. Kishte një PS në opozitë të fortë, kishte një lider opozite në burg dhe kishte media me të vertetë të pavarur. Ndërsa sot Edi Rama ka shumicë dërmuese votash për të qeverisur, ka një PD e cila akoma nuk dihet qartë se si do luajë, ka një media pothuaj të uzurpuar nga pushteti dhe interesat me pushtetin, ka një gjyqësor në ikje, por që po vjen një tjetër nën hyqmin e pushtetit të PS, ka një shoqeri të lodhur nga politika.

Është dhe LSI si opozitë e cila siç duket do të jetë radikale me kryeministrin.

Por fakti që PD-ja nuk po konturohet si forcë e vertetë opozitare dhe ti hedhë poshtë pazaret e muajit maj, të krijon idenë se pushteti do të luajë mjeshtërisht për ta përçarë opozitën. Ka synime të qarta nga ekzekutivi që të blejë apo miklojë deputetë të opozitës për ti kaluar në prehrin e PS-së që të krijojë numrin magjik 84 vetëm për Edi Ramën.

Këtu do të jemi kur të shikojmë një e nga një, disa deputetë të opozitës, që të shpallen se kalojnë me “progresin”, pra me Edi Ramën. Ndaj heshtja e PD-së dhe e vetë Lulzim Bashës është e frikshme. E frikshme për shoqërinë dhe mos kontrollin e pushtetit nga askush. Një Edi Rama me timon, në njërën dorë, dhe me “tepsinë”në dorën tjetër, do të sjellë prishje të ekuilibrave të një shoqerie demokratike, duke fuqizuar oligarkinë dhe uzurpimin e çdo pushteti. Kjo edhe për fajin e Lulzim Bashës.

Edi Rama ka marrë pushtetin ekzekutiv, po merr edhe drejtësinë, median e ka marrë me kohë. I mbetet edhe një pjesë e opozitës. Edhe atë po e merr prej dashurisë së 18 majit.

SHKARKO APP