Heshtja misterioze e Bashës për 18 Majin
Pas humbjes dramatike të 25 qershorit, Partia Demokratike është futur në një fazë debatesh me sherre dhe akuza ndaj Lulzim Bashës dhe kritikëve të kryetarit. Sherri për postin e drejtuesit të PD-së, në vend të shërbej si një analizë për shkaqet që sollën humbjen, po përdoret për pozicionimin “pro” dhe “kundër” dhe nxjerrjen e “armiqve” brenda PD.
Prej tre ditësh Basha ka çelur fushatën për kryetar përballë kandidatit Eduard Selami. Ka kritika pa fund për mënyrën sesi po bëhet kjo garë, për mungesën e kandidatëve dhe për gjithë zhbërjen e rregullave në një parti të madhe. Bashkë me këtë fushatë, Basha po përpiqet të jap argumentet e tij për rezultatin katastrofik që i solli PD-së. Në fjalimet e Bashës flitet humbjen që erdhi nga presioni i qeverisë, por nuk përmenden raste konkrete. Flitet për gabime politike të Bashës, por nuk tregohet se si do të rregullohen këto gabime. Basha po përpiqet të flasë me demokratët për të gjitha gjërat që sipas tij sollën humbjen, por nuk përmend asnjëherë se arsyeja kryesore që e bëri 25 qershorin një “Vaterlo” për Partinë Demokratike. PD-në e shkatërroi politikisht me 25 qershor vetëm pazari mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës me 18 maj. Kjo është arsyeja kryesore e humbjes për të cilën Basha sot nuk flet. Shkaqet e tjera, si përjashtimet emrave të njohur nga gara, fushata naive kundër LSI-së dhe organizmi i PD-së në bazë kanë peshën e tyre në humbje, por goditjen finale ja dha pakti i 18 majit.
Këtë fakt nuk ka njeri që nuk e di në Partinë Demokratike. E dinë edhe vetë ministrat teknikë që morën përsipër të ruanin votat nga paratë e pista të drogës. Tashmë problemi është përse Lulzim Basha nuk e pranon publikisht se me 18 maj bëri gafën më të rëndë politike gjatë gjithë karrierës së tij. Pas një humbje turpëruese dhe pas një garë thuajse të pandershme në PD, do të ishte më e sinqertë që Basha të dilte para demokratëve dhe të pranonte gabim. Do ishte me korrekte politikisht, nëse Basha u thotë demokratëve se shkaku i humbjes jam unë dhe kërkoj një mundësi tjetër duke rivendosur balancat politike. Sepse duke dalë në fushatë për kryetar dhe duke u fshehur pas shprehjeve pa kuptim, Basha po jep një tjetër mesazh të gabuar. Duket sikur jo e vetëm e di që humbi për shkak të paktit me Ramën, por edhe pas kësaj disfate është i vendosur të vazhdojë bashkëpunimin prapë me kryeministrin Rama. Nëse Basha nuk deklaron publikisht se pakti I 18 majit ka rënë, dyshimet janë të forta se dyshja Rama-Basha do vazhdojnë atë që lanë në mesnatën e 18 majit.
Në këtë drejtim ka qenë më qartë kandidati Eduard Selami. Në daljet e tij mediatike dhe në takimet me demokratët, Selami ka qenë i qartë dhe i prerë. Ai thotë se nëse vjen në krye të PD-së nuk do të njoh paktin me Edi Ramën. Ndërsa shton se për bashkëqeverisje mes PD dhe PS as që mund të bëhet fjalë ndonjë herë.
Basha luajti keq me idenë e bashkëqeverisjes PS-PD gjatë fushatës. Nuk foli qartë se çfarë do të bënte me qeverinë teknike dhe demokratët nuk e panë të udhës të votojnë një lider që e ka falur pushtetin në tavolinë. Megjithëse mori ndëshkimin më të rëndë për këtë fushatë , Basha sërish është i pa qartë dhe nuk flet dot kundër Ramës dhe as për pazarin e tij me Edi Ramën.
Basha është në ditët më të këqija politike dhe kjo heshtje kundër pazarit që ka bërë me Edi Ramën duket edhe më misterioze. Pas kësaj heshtje lindin dyshime se fshihen interesa dhe lidhje politike që nuk japin asnjë shpresë për ringritjen e PD-së në opozitë. Kjo heshtje tregon, se Basha ende i qëndron marrëveshjes së panjohur nga publiku dhe nuk është çudi që pas shtatorit të kemi surpriza të reja nga pazari PS-PD. Ndonëse shanset për ta fituar postin e kryetarit janë për Bashën, pasi Berishën pas vetes. Edhe Ramën.
Një tjetër arsye që shpjegon heshtjen lidhet me atë që kundërshtarët e Bashës, Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Ritvan Bode, Genc Ruli etj po e thonë gjithnjë e më shpesh. Edi Rama po ndihmon Bashën që të mbaj kreun e PD-së. Cilado qoftë arsyeja, fakti është që vazhdimi i pazarit të 18 majit, i jep avantazh Edi Ramës dhe e lë PD-në drejt një opozite të gjatë. Bile shumë të gjatë.
Qamil Xhani