Hetime në SHBA për firmën që fitoi tenderin 18 milionë euro te Unaza e Re
Shqipëria duket se po ndeshet me një skandal të ri korrupsioni, lidhur me një prej kompanive që ka fituar tenderin për një prej segmenteve të unazës së madhe në Tiranë. Kompania shqiptare funksionon si degë e një kompanie të regjistruar në shtetin Delaware në Shtetet e Bashkuara.
Zyra e Sekretarit të Shtetit në Delaware (SHBA) konfirmoi për Zërin e Amerikës se ka filluar hetimet për të përcaktuar në se kompania Dunwell Haberman, ose ndonjë prej zyrtarëve të saj, është përfshirë në aktivitete të paligjshme, mashtrime ose falsifikime.
Firma Dunwell Haberman vepron në Shqipëri përmes filialit të saj vendas “DH Albania”, e cila ka fituar një tender prej rreth 20 milionë dollarësh për një prej segmenteve të unazës së madhe në Tiranë.
Firma dyshohet se ka kryer dy falsifikime për të siguruar kontratën në Shqipëri. Ka falsifikuar datën e krijimit; në Dalaweare kompania figuron e regjistruar para 6 muajsh, në 25 qershor 2018, ndërsa në Shqipëri ka depozituar dokumente, sikur ekziston që nga qershori i 1998. Dokumenti i dytë, që dyshohet të jetë falsifikuar, është një certifikatë e Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit. Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit Doug Denison, i tha Zërit të Amerikës, se për certifikatën nuk ka patur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument.
Dokumentet e faksifikuara dolën për herë të parë në Shqipëri mbrëmë, gjatë emisionit Të Paekspozuarit” në televizionit News24.
Sipas zëdhënësit, çështja pritet t’i kalojë për hetime penale zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Daleware, që drejtohet nga Matt Denn. Nëse autoritetet gjejnë shkelje, firmës mund t’i anulohet regjistrimi si biznes në këtë shtet dhe ndaj saj mund të ngrihen akuza kriminale. Meqë kompania ka aktivitet në një vend tjetër, jashtë Shteteve të Bashkuara, rasti mund t’i referohet për ndjekje edhe Departamentit të Drejtësisë në Uashington.
Shteti Delaware, njihet si një prej shteteve që ka ligje tepër favorizuese ndaj korporatave. Mijëra kompani amerikane janë të regjistruara në këtë shtetet, për të përfituar nga taksat. Dalaware njihet edhe si “parajsë fiskale” pasi nuk mbledh taksa nga korporatat që, ndonëse të regjistruara aty, nuk ushtrojnë aktivitet në këtë shtet.
Në bazë të ligjeve të shtetit, korporatat e regjistruara aty, nuk janë të detyruara të publikojnë emrin e drejtuesit të kompanisë ose të aksionerëve të saj.Në Delaware, regjistrimi i kompanisë mund të bëhet edhe pa qënë fizikisht i pranishëm dhe ka firma të tjera që e kryejnë këtë funksion për klientin. Në bazë të dokumenteve të regjistruara në këtë shtet, firma Dunwell Haberman është regjistruar përmes firmës “Apex Resident Agent Services” .
Marrë nga “Zëri i Amerikës”
- Skandali/Kompania që fitoi tenderin e Unazës së Re, falsifikoi letrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA
- Basha-Kryemadhi: Edi Rama hajdut, Prokuroria ta hetojë urgjent për Unazën e Re
- Skandali i kompanisë te Unaza e Re, reagon Monika Kryemadhi: Turp!
- Fatos Lubonja: Le të vijnë të na arrestojnë në studio, ose…
- Skandali me tenderin që ua prish shtëpitë, banorët e Astirit të “mbërthyer” pas ekranit
- Bushati: Sot kemi provën se ku do të shkojnë paratë e vjedhura
- Vetëm prangat në qeveri për vjedhjen e 18 milionë eurove qetësojnë publikun