Hija e lisit mbi Mizerjen
Nga Frrok Çupi.
Teksa po zhvillohet fushata politike për zgjedhjet e qeverisë vendore, po na shfaqen të dyja së bashku, ose të dyja mbi njëra tjetrën: Hija e Lisit dhe Mizerja…
Mizerja është Varfëria, këtë të gjithë e dinë. Madje varfërinë e njohin një për një; të paktën shumica e prekin, njësoj siç prek njeriu dritën e diellit sapo hap sytë. Shumica po zhytet në varfëri.
Kjo është njëra.
Tjetra është Hija e Lisit.
"Hija e Lisit" është marrë nga fjalori i lashtë i njeriut, që nga periudha e Kullës së Babelit e deri më sot. Pasi i Gjithfuqishmi ia rrëzoi njeriut Ëndrrën e Babelit, atëherë ky ndërtoi një "kullë" tjetër. Në gjuhën shqipe krijesa e fuqisë dhe rezistencës njerëzore ka ardhur me fjalët "Hija e Lisit". Në hijen e lisit janë mbledhur kuvendet e mëdha e jetëgjata të kombit; nën hijen e lisit janë pushkatuar ose varur kundërshtarët politik të diktaturës; nën hijen e lisit katolikët vendosin varret e të shumtëve; me hijen e lisit krahasohen trimat e Eposit…. Ndërsa gjatë periudhës së diktaturës komuniste, rapsodët ishin porositur që kur të këndojnë për diktatorin dhe Partinë, t'i krahasojnë me lisin.
Lisi është i pamort. Kështu e deshën pushtetin diktatorët ose edhe servilët e tyre.
Kur e dëgjova dje kandidaten e të Majtës në Gjirokastër tek fliste për "rrënjët e lisit", menjëherë më erdhi në mendje psikoza e hijeve të komunizmit. Zamira e Gjirokastrës, krejt e yshtur nga fryma e krahut të saj politik, foli e tha se "jemi vetë lisi". Tha se "kurrë nuk biem nga pushteti", aq sa nuk bie vetë pema e hekurt. Fjalë për fjalë e tha ndryshe, por gjithçka që tha të nxjerr te "Qafa e Pazarit" ku manifestohet jetëgjatësia e pushtetit.
Zamira, kandidatja, tha: "Ma jepni mua pushtetin, sepse unë kam ministrat pas vetes". Thjesht përsëriti atë psikozë që ka mbuluar partinë e saj. E majta e saj po përsërit pareshtur se "ne kemi qeverinë, ne jemi kuçedra, iu mbyllim ujin kur të duam". Fjalë për fjalë e thanë se "këta të opozitës, po të fitojnë në bashkitë, nuk kanë fonde sepse fondet i ka qeveria. Mos i votoni!". Edhe kandidati i majtë për kryetar në Tiranë, po si Zamira deklaroi: "Me mua është kryeministri, votoni për mua".
Veç kjo është arsyeja pse u dashka votuar për njërin ose për tjetrin!….
Dominon arsyetimi se kandidati ka pas kurrizit (si domatja mbajtësen) ministrin ose kryeministrin. Në filozofinë politike të shekullit të ri të Demokracisë, kjo do të thotë: "Votoni për atë që mund të mos jetë nesër". Sepse ministri, ose kryeministri, ose qeveria, ose vetë mbajtësja e domates…, nesër në mëngjes mund të mos jenë këta. Qeveritë, në demokraci, janë aksesorët më të ndrrueshëm.
Por këta e kanë marrë sikur qeveria është vetë "Hija e Lisit". Kjo nuk bie kurrë. Njësoj si në Ëëndrrën e Babelit për të kapur qiellin me dorë.
Ideja e mbrapsht se "jemi të përjetshëm" në pushtet, është transplantuar te këta nga vetë regjimi i hekurt komunist. Këta janë një degë e asaj peme, dmth., të komunizmit, e ndoshta bash për këtë arsye iu vjen në sy pamja e pemës më jetëgjatë.
Që ditën e parë kur morën në dorë qeverijen e vendit pas 23 qershorit 2013, këta nisën të deklamojnë "pushtet pa limit". Që në ditën e parë, kryetari i Partisë Socialiste (ish- komuniste), tanimë kryeminsitër, deklaroi se "sa për dhunë… Nuk keni parë gjë akoma!". Kohët e fundit e kanë shtuar shumë presionin mbi publikun duke i thënë se "ne jemi të përjetshëm!". Kanë përhapur ndjenjën e frikës se "në daç voto, në daç mos voto, ne do t'i fitojmë zgjedhjet!". Frika e dhunës dhe e blerjes!… Kanë shtuar shumë cinizmin dhe skërmitjen mbi individin. Vetë kryeministri iu përplas njerëzve një copë letër "legalizimi" dhe iu përqesh pjesëtarët e familjes. Vetëm i përjetshmi mund ta marrë guximin… Kanë shtuar idenë se "opozita është kot". Edhe vetë kryetari i Kuvendit, që mbahet si ekuilibrist alias kapo, ka nisur të përsërisë se "opozita ka ikur në drejtim të paditur". Gjuhë gardianësh… Kanë vendosur flamujt e Partisë mbi minaretë e xhamive; jo vetëm duke përçudnuar besimin, por edhe duke përsëritur idenë djallëzore të enverizmit në vitin 1967 se "zoti tash jam unë!".
E tërë psikoza e "lisit" shkon e vjen që nga minareja e deri te thelbi i saj në tokë: "Kam qeverinë pas vetes…, nuk ke ku shkon pa mua".
Por qeveria nesër bie. Këta nuk e dinë dhe nuk mund ta dinë. Secili është asgjë pa pasur makinën e shtetit pas- siç lënë për të nënkuptuar. Makina e shtetit, kur dominohet nga qeveri "pa limit", kthehet në dhunë mbi individin. Këtu është sekreti dhe rreziku i "hijes së lisit".
Si bie hija mbi Mizerjen?
Guximi i "pushtetit pa limit" i ka bërë që të vjedhin ilaçet e të sëmurëve dhe megjithatë të qëndrojnë në poste qeveritare; të qëndrojnë duke u tallur. Nuk skuqet askush… Pushteti pa limit të jep guximin që të bleshë palma për rrugët, ndërsa iu pret ndihmën ekonomike njerëzve në nevojë. "I palimit" është i guximshëm të premtojë në fushatë fusha qietjeje në lagje, por jo punë dhe mjete jetese. Kjo hije i ka bërë ta mbysin në borxhe ekonominë e vendit; vetëm herën e fundit morën 1.2 miliardë dollarë, më pak se sa kushtonin 700 mijë bunkerë që u ndërtuan nën diktaturën komuniste. Pushteti- lis iu krijon të tillë guxim sa të sjellin anije italiane në Shëngjin si mburrje për Partinë. Tashmë më shumë se gjysma e popullsisë në Shqipëri, marrin borxh te fqinji ose te bossi. (Tamam si në vitet '80 kur shteti komunist po vdiste).
… Këta kanë ndërtuar një sistem Varfërie për të krijuar pushtet të pakufishëm. Të varfrit shiten e blihen për një thes me miell, për 2000 dele, për pesë mijë lek, për një palë pantallona jeans…
Prandaj i kanë kombinuar: Hijen e Pushtetit (Lisit) me Mizerjen.
Mizerja ushqehet nga Hija, dhe Hija nga Mizerja