Huliganët e Kukësit si sjellës të fatkeqësisë
T. Çela
Ajo që ndodhi të enjten në mbrëmje në stadiumin «Qemal Stafa» nuk ishte një rastësi. Ky precedent i ndërprerjes për herë të parë të një ndeshjeje ndërkombëtare në Shqipëri, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj kundërshtarëve, nuk është një episod që duhet marrë lehtë. Ai nuk mund të jetë viktimë e debatit të sapo nisur nëse futbollisti polak Ondrej Duda, u godit me gurë apo me çakmak. As i polemikave nëse sheri u nis fillimisht nga kuksianët apo nga tifozët polakë të njohur edhe nga UEFA si provokatorë. Ai është një debat me serioz sesa kaq. Ai është një debat që ka të bëjë pikë së pari me sigurinë e mjediseve tona sportive, sidomos në ndeshje ndërkombëtare. Kush e ka ndjekur të enjten në mbrëmje ndeshjen e Kukësit me Legian e Varshavës, mund të ketë mbetur i çuditur me vendimin e gjyqtarit Staffan Klossner për të anulluar atë. Pas goditjes mjekët ia fashuan kokën Dudës. Ai u bë gati për tu rifutur në fushë dhe në pamje të parë asgjë nuk dukej kaq dramatike. Me dhjetra herë në kampionatin shqiptar ne kemi parë skena dhune shumë më makabre dhe kafshëri të niveleve shumë më të larta. Pra, paralajmërimin se stadiumet tona nuk janë oaze paqeje e kemi marrë me kohë. Por ja që me strandartet europiane ndjeshmëria ndaj dhunës nuk është e njëjtë me atë që aplikohet në këto anë.
Arbitri i ndjeshjes nuk e ndërpreu atë vetëm për kokën e fashuar të Ondrej Dudës, por për mungesë sigurie në stadium. Dhe episodet për të përligjur këtë nuk mungojnë. Përgatitja e kësaj ndeshjeje ka dështuar plotësisht.
Nga njëra anë megjithëse ishin paralajmëruar nga UEFA, për rrezikshmërinë e tifozëve të Legias së Varshavës, organizatorët e takimit i vunë ata shumë pranë atyre kuksianë. Përleshja midis dy palëve u bë më pas shkak edhe për goditjen e lojtarëve në fushë. Dhe të mendosh se sa tifozë ishin. Vetëm 200 polakë dhe disa pak mijra shqipëtarë.
Një episod i dytë është ai i parrullave që u shfaqën në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa». Si ato me fundin e jetës së tifozëve kundërshtarë si ato me konotacion etnik (“Unë nuk jam sllav, jam shqipëtar”) tregojnë të njëjtën gjë: organizatorët nuk e kishin gjendjen në kontroll duke lejuar mesazhe të tilla të papranueshme nga UEFA.
Por edhe jashtë stadiumit nuk ishte më mirë. Fotot që po shfaqen në mediat online për dhunën ndaj polakëve të organizuar nga tifozët e Kuksit me ndihmën e atyre të Prishtinës, janë shenja më e mirë se gjithshka kishte të bënte me sigurinë e kësaj ndeshjeje të Euro ligës ishte lënë në dorë të zotit.
Mjaftojnë këto tre episode, pra, për të vërtetuar se vendimi i gjyqtarit qe i drejtë dhe përpara se ta humbte ndeshjen në fushë, Kukësi e kishte humbur atë në organizimin e saj.
Por ironia e asaj që ndodhi të enjten në mbrëmje është se ajo vjen menjëherë pasi Shqipëria, mori tre pikët e famshme të shpërblimit pas asaj që kishte pësuar tetorin e shkuar në Beograd. Për 9 muaj me radhë ne u ankuam dhe bëmëpaqësorin. Për 9 muaj me radhë ne kërkuam të drejtën sepse kishim qenë viktima të dhunës, verbale, fizike dhe pasigurisë në stadium. Dhe pasi kompesohemi për këtë, një grusht huliganësh nga Kukësi tregojnë se janë të aftë të sillen po aq kafshërisht sa edhe serbët e stadiumit të Partizanit në Beograd. Pra në këtë kuptim kjo ndeshje futbolli e dorës së tretë tregoi edhe njëhëherë se sa e lehtë është të rrëzohet klisheja e “shqiptarit të mirë” dhe “sllavit të keq”. Por mbi të gjitha ajo tregoi gjithëashtu se sa e lehtë është që ne të vendosemi në pozitën e atyre që anatemuam për 9 muaj.
Duke pasur parasysh një pjesë të tifozërisë sonë jo civile (disa herë të konfirmuar në kampionatin shqipëtar), duke pasur parasysh se kokënxehtësia e tyre mund të nxitet edhe më shumë nga tregëtarë falamujsh që duan të bëjnë tregti me imazhin e Ballistit, duke ditur se sa të papërvojë jemi në organizimin e evenimenteve të tilla, kjo nuk është çudi që të ndodhë.
Dhe thënë këtë mendja të shkon tek ndeshja e kësaj vjeshte kundër serbëve. Tek fakti se sa e lehtë është ti kthejmë atyre reston. Të vëmë shenjën e barazimit. Në këtë kuptim ajo që bënë huliganët kuksianë, më shumë sesa një precedent i panjohur më parë është një paralajmërim i madh. Falë tyre dhe skandalit që ata shkaktuan, askush nuk ka më justifikim për ngjarjet që do të vijnë. Situata të ngjashme nuk mund të shmangen me besimin e verbër se shqiptarët janë më të mirë se serbët, por thjeshtë me rritjen e masave të sigurisë në stadiumet tona.