Ilir Meta po e lë “tokën e djegur”

Frrok Çupi.

“Po e lë” do të thotë se po i ikën tokës së djegur, ose po e braktis, ose po i largohet… Të gjitha së bashku. Si në një fushë beteje ku nuk ka mbetur më asgjë dhe komandanti më i shpejtë i largon ushtritë.

Tani “fusha e betejës” Shqipëri, po mbetet pa asgjë, që në fjalorin politik quhet “tokë e djegur”. Dy ushtritë e mëdha politike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk hyjnë këtu si ushtri pushtuese, por si “shpëtimtare”. Në fillim deklaruan se më në fund erdhën shpëtimtarët! Njëra prej këtyre, ushtrinë e vet speciale (një apendiks i PS ose konglomerat i pa formë) e quajti “Rilindje”. Shqipëria do të ishte një kopësht me lumturi e begati!; gjithçka ishte bërë në 25 vjet do të hidhej poshtë si e pavlerë dhe “lum kush të rrojë”!…

Kjo u tha hapur nga ushtritë shpëtimtare. LSI që në fillim bëri hilen sikur ishte e vibektë në fjalë e në premtime dhe në skenografi. Tjetërkush e udhëhoqi marrëzinë.

Dita e fundit po shihet tek po vjen. Ushtria e Ilir Metës, pak nga pak po mbledh plaçkat. Dje ishte deklarata më e fundit e qeverisjes së LSI se “nuk bëhemi bashkëpunëtorë në aktin e vjedhjes me anë të koncesioneve”. Ministri i Drejtësisë, që i përket Ilir Metës, deklaroi se koncesioni i fundit është jashtë ligjit. Madje ai lëshoi edhe një gjysmë fraze që duket e stilit alias Meta. “Zoti Ministër, mos mendo se edhe çelësat e dritës i ke ti në dorë!”, i tha ministrit të Partisë Socialiste. Është fraza më e saktë për të dëshmuar tokën e djegur. “Priza e dritave” do të thotë se tashmë nën dorën e qeverisë, në shtëpinë tonë, është vjedhur gjithçka, “haj të marrim edhe çelësin e dritave”; do të thotë se në fund të betejës ku ka veç tokë të djegur, i fundit ka mbetur çelësi i dritave.

Përtej alegorisë, gjysma e qeverisjes që është Partia e Metës, e shikon më mirë se askush se ka mbetur veç një gjë: Ikja!. Asgjë tjetër nuk ka mbetur. Harxhet për koncesionet e famshme, që mbytën “gotën e ujit”, kanë kushtuar rreth një miliardë euro. Pagesat e kota si gjobë për CEZ kanë arritur shifrën rreth 600 mijë. Vjedhjet me tenderat e shëndetësisë i kanë kthyer spitalet në Mesjetë dhe kanë mbushur xhepat e qeveritarëve me qindra miliona euro. Veç shpërthimet me tritol mbi pasuritë e ligjshme e të paligjshme, kanë kushtuar rreth një miliardë euro dëmshpërblime. Varfëria eshtë shtrirë dhe thelluar, rreth 400 mijë familje çdo mëngjes kanë problem bukën e gojës për atë ditë. Varfëria ekstreme ka mbërritur në shifrën 14 përqind. 30 përqind e të rinjve nuk kanë punë. Banka Botërore, një aleate e Shqipërisë, ngriti duart e tha se në Shqipëri priten lajme shumë të këqija, “mbërritëm në deflacion!”. Jeta e njeriut është e pasigurt. Demokracia ka rënë. Krimi tani po kap Universitetet dhe elitat. Nesër do të kemi rini të edukuar nga profesor Shullazi….

… Ilir Meta po bën gati plaçkat. Prej kohësh kishte dhënë shenja, me mospranimin e plaçkitjes së Parkut dhe me përmbajtje ndaj opozitës në Kuvend. Tani, me sa duket, nuk ka mbetur më kohë. Toka e djegur braktiset.

Pse pikërisht në këtë moment?

1.

Ilir Meta, i ardhur nga Paria Socialiste, pikërisht në këtë moment ndjen se në Partinë mëmë është krijuar një boshllëk besimi dhe personaliteti. Në qoftë se dikur Meta mallkohej, tani kërkohet në PS. Lideri sicialist Rama është kapur në verse-alibinë se veç socialist nuk është. Aksioni i Blushit dhe Hafizit për përsosjen e PS pa Ramën, thjesht ka hapur rrugën për Metën. Ilir Meta nuk mendohet se do të katapultohet si lider në majë të kështjellës së PS. Jo. Ka ndodhur që shumica e socialistëve po dynden drejt Metës. Edhe për demokracinë politike të vendit kjo do të jetë më mirë, sepse në njëfarë mënyre do të zbehet hija komuniste në të majtën e vendit. E majta do të udhëhiqet nga LSI dhe nuk do të quhet PS.

2.

Ilir Meta, qysh prej fillimit të qeverisjes, i mbajti duart larg nga pikat e nxehta të ekonomisë. Ndryshe nga çfarë ndodhi në koalicionin me Berishën. Bujqësia, degë kryesore e ekonomisë është mbuluar nga LSI, por në krye të saj është vënë një studiues serioz, një njeri me integritet. Pikat e nxehta të tragjedisë ekonomike e financiare i ka në dorë Rilindja. Është rrënuar gjithçka, duke ndjekur një politikë “sot për nesër”, ose “unë për vete”, ose “e tokës së djegur”. Gjithkush në Rilindje ka punuar sot sikur nuk do të jetë nesër. Merr e ik përditë! Ndërsa Ilir Meta po vendos të largohet veç një ditë.

Meta mund të quhet një politikan me fat pse funksionoi në të njëjtin koalicion me Ramën.  Edi Rama,ky njeri i zbrazur nga çdo vlerë qeverisësi, i zbrazur nga vlerat humane dhe drejtpeshimi njerëzor, i ka lënë hapësira pa fund personalitetit të Metës. Tani pas tre vjet, njerëzit e shikojnë liderin te Meta dhe jo te Rama. Në krye të shtetit nuk bëjnë punë karagjozllëqet dhe fusha e basketbollit në zyrë. Në krye të shtetit njerëzit duan të shikojnë vlerën mbi mesatare humane të qëndrueshme. Meta i ka “gjuajtur” këto diferenca.

3.

Herën më të fundit të krimit, Ilir Meta u ndodh jashtë çdo paragjykimi ose thashethemi. U arrestua bujshëm një nga më të rrezikshmit e krimit. Shullazi është përfolur si bashkëpunëtor i qeverisë, edhe i vetë ministrit të Brendshëm dhe i kryeministrit. Qeveria e kishte ruajtur aset për vete, dmth., për të kërcënuar kundërshtarët, për të vjelur para “të lira”, për të vjedhur zgjedhjet që vijnë, për të gjunjëzuar vlerat e identitetit kombëtar siç është edhe rinina, dija e kultura kombëtare. Arrestimi i Shullazit u përshendet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Menjëherë pas vizitës së kryeministrit në Uashington.

Ilir Meta di ta lexojë aktin. Thashethemet qeveritare të stisura vetëm nga Edi Rama dhe soji i tij se  gjoja Aleati i madh po gjuan për Ilir Metën, më në fund ranë. Aleatët kanë vëzhguar me dhimbje si po “digjet toka” në këtë vend ku ka rënë demokracia.

Edhe Ilir Meta ka vëzhguar po kështu. Por tani duhet të ruajë çfarë i përket. Tjetërkush e dogji barin.

Ilir Meta, thjesht, po e lë.

SHKARKO APP