Meta, Edi Ramës: Nuk do të gjesh vrimë ku të futesh pas 25 qershorit!

Një seri incidentesh të ndodhura prej disa ditësh, por sidomos ditën e djeshme, kanë tensionuar në kulm fushatën elektorale mes LSI dhe PS. Në Fshatin Zharrës të Fierit, maturanti Orgest Grembi është rrahur barbarisht me leva dhe lopata nga tre persona, vetëm pse ka deklaruar se do të votojë për Lëvizjen Socialiste për Integrim me 25 qershor, pasi ka thënë se është anëtar i LRI, organizatës rinore të LSI. Ngjarja ka pasur motiv të pastër politik dhe është ndër rastet më flagrante të kësaj fushata elektorale. Tre personat që e rrahën barbarisht maturantin njihen si mbështetës dhe drejtues të PS dhe një prej tyre rezulton me precedentë penalë. Sipas deputetit të LSI në Fier, Robert Bitrit, policia nuk e kishte regjistruar si ngjarje deri dje në orën 14:00. Ndërkohë që pasdite në media u raportua për arrestimin e vetëm njërit prej dhunuesve.

Pak orë pas ngjarjes në Fier, në Vlorë kandidati i parë i listës së deputetëve të LSI-së, Shezai Rrokaj në një deklaratë për mediat denoncoi presione fizike dhe kërcënimet që po u bëhen anëtarëve të LSI-së në këtë qark. Rrokaj foli për raste kur zyrtarë të institucioneve po kërcënojnë anëtarët e LSI-së me vendet e punës dhe me ndërprerjen e investimeve për fshatra të tërë në Vlorë. Incidentet të tjera ka pasur thuajse çdo ditë. Kreu i deputetëve të LSI-së, Luan Rama tha në një konferencë për mediat se LSI ka informuar ambasadat kryesore në vend për atë që po ndodh. Ai akuzoi segmente të policisë për sjellje kriminale dhe përfshirje të efektiveve të policisë në aktivitete politike.

Ndërkohë dhuna ndaj aktivistëve dhe anëtarëve të LSI-së është shtuar gjatë javëve të fundit dhe përkon me retorikën politike të partive PS-PD. Prej disa ditësh Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë sulmuar në mënyrë të ashpër LSI-në, drejtuesit dhe anëtarët e saj. Për Edi Ramën problemi kryesor i mungesës së reformave është LSI-ja. Ai u është drejtuar socialistëve dhe me thirrjet “shtypini dhe mos i lini më në qeveri”. Thirrje të tilla kanë ndikuar në elektoratin militant dhe segmente të PS-së duke bërë që të nisin incidentet e para fizike të dhunshme, si ky dje në Fier.

Për këtë arsye, kreu i Kuvendit dhe ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka mbajtur dje një nga fjalimet më të forta dhe të ashpra të fushatës. Ai akuzoi Edi Ramën si frymëzuesin direkt të kësaj klime dhune dhe terrori ndaj të rinjve dhe anëtarëve të LSI-së. Nga Fushë-Kruja ku ishte dje në prezantimin e kandidatëve, Meta bëri dhe një ultimatum për Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin, si njerëzit që po ndikojnë direkt në krijimin e klimës së terrorit në fushatë. Meta tha se pas këtyre incidenteve fshihet skenari i Edi Ramës për të dhunuar zgjedhjet. “Edi Rama t’i thërrasë mendjes para se të jetë shumë vonë; nuk vë dot dorë ai mbi votën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. As ai dhe as ai tjetri (Gramoz Ruçi) që në ‘96 u largua për Greqi me fustan grash. Në këtë vend, edhe nëse bie kryetari i opozitës, edhe nëse bie policia dhe prokuroria, nuk bie rinia e Shqipërisë”,- deklaroi Ilir Meta.

Më tej, kreu i Kuvendi u shpreh se Edi Rama do të ketë fundin e ish-Presidentit të Ukrainës i cili u detyrua të largohet nga vendi pas protestave disa mujore të qytetarëve kundër instalimit të një regjimi jo demokratik në vend. “Edi Rama do mbaj përgjegjësi personale për dhunimin e anëtarëve të LSI-së. Ai është përgjegjës për frymëzimin e dhunës. Falangat e Ramës janë ato që po ushtrojnë presion. Fati Janukoviçit të Ukrainës do t’u duket lule. Dua t’i them (Ramës) meqë nuk i ka dalë dopingu ende, që ti thërrasë mendjes. Nuk vë dot dorë Edi Rama mbi të rinjtë e Shqipërisë”,- tha Ilir Meta. Kreu i Kuvendit paralajmëroi reagim të fortë nga LSI nëse do të ketë incidente të tjera të dhunshme ndaj anëtarëve të LSI-së.

Tensionimi i situatës 10 ditë para datës së zgjedhjeve është sinjali se procesi i votimit nuk mund të jetë i qetë. Për këtë qëllim, LSI ka vënë në djeni selitë më të rëndësishme diplomatike të SHBA dhe BE në Tiranë. Më shqetësuese janë denoncimet e LSI për segmente kriminale në Policinë e Shtetit që po përdoren politikisht në fushatë. Por policia po punon me segmente kriminale për të blerë vota.

Si rregull, përgjegjës për cilësinë e zgjedhjeve është qeveria, por garantja morale e procesit është opozita. Në gjithë këtë situatë kritike, PD dhe opozita zyrtare nuk duket asgjëkundi. Madje, pakti PS-PD për ministra teknikë po rezulton të ketë krijuar struktura të mirëfillta politike që po ndëshkojnë vetëm partitë e tjera që nuk janë pjesë e pazarit Basha-Rama.

Sot pritet që LSI të organizojë një protest të madhe në sheshin Nënë Tereza, ku pritet një masivitet dhe ku pritet që Ilir Meta të mbajë një nga fjalimet me të forta kundër  Edi Ramës. Ai nga Fieri, pasi vizitoi djalin e dhunuar, e cilësoi Rilindjen si një bandë kriminale.

SHKARKO APP