INUK nuk ndalet
Pas disa ditëve pushim për festën e Vitit të Ri 2015 Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) ka nisur dje aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje. Janë rreth 20 objekte që do të shkatërrohen në zonën e komunës Hudënisht, përgjatë vijës liqenore Lin-Pogradec. Kjo hapësirë është një nga zonat turistike të Pogradecit, në të cilën prej shumë vitesh janë ndërtuar pa leje shtëpi banimi, por edhe biznese të ndryshme disakatëshe. Por dje Partia Demokratike ka nisur një fushatë për të kundërshtuar aksionin, me pretekstin se prishjet e ndërtimeve janë të jashtë ligjshme. Deputetë të opozitës, përfaqësues lokalë të saj në Pogradec, si dhe përfaqësues të organizatave civile, por që protestojnë vetëm për kauzat e PD, janë vendosur në zonën e Pogradecit për të kundërshtuar prishjet. Nisma vjen si një mbështetje ndaj banorëve që dëmtohen nga prishjet, por mirëfilli kuptohet se më shumë se halli i banorëve, demokratëve ju intereson kapitali politik. Në këtë linjë deputeti i Partisë Demokratike, Gjergji Papa hodhi shashkën e radhës duke deklaruar se në zonën ku po prishen objektet, deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Xhakolli ka ndërmend të ndërtojë një fshat turistik. Nëse diçka e tillë është e vërtetë, atëherë bashkë me banorët e Udenishtit në protestë duhet të dalin edhe vetë socialistët. Deklarata e PD-së duket se është bërë nga nxitimi për të rritur dhe më tepër pakënaqësinë e banorëve. Por veç deklaratës dhe disa fletëve që deputeti i PD-së tundi para kamerave opozita nuk solli provë tjetër. Selia rozë përgënjeshtroi këtë deklaratë, duke këmbëngulur se nuk ka projekt të tillë dhe se zona do të rikthehet e gjelbëruar siç ka qenë më parë. Ideja se ndërtimet po prishen për të bërë fshat turistik duket se ngjit më mirë se deklaratat e tjera të PD-së, por derisa sa çështja mbetet vetëm tek akuza, qëllimi i opozitës është vetëm sulmi ndaj aksionit të mazhorancës për të rritur kuotat për zgjedhjet lokale dhe jo aq shqetësimi për banorët. Ka një problem në qëndrimin e opozitës, pasi duke dalë në mbrojtje të banorëve të Hudënishtit jep mesazhin se çështja e prishjeve të ndërtimeve nuk lidhet me zbatimin e ligjit por për interesa të njerëzve që kanë sot pushtetin. Ky mesazh tjetërson gjithë aksionin e ndërmarrë në gjithë vendin për ndërtimet pa leje dhe mund të çojë dhe në reagime më të ashpra të banorëve. Dje pronari i një biznesi disakatësh në Hudënisht u ngujua së bashku me familjarët në banesë duke refuzuar ndërhyrjen e INUK. Sigurisht ai pasi ka dëgjuar mbështetjen e opozitës ka dhe një arsye më shumë për të rezistuar. Ndaj mazhoranca nuk duhet të mjaftohet vetëm me deklarata të thata nga selia e PS-së ndaj akuzave të PD-së, por të bind banorët e prishja e banesave të tyre është pjesë e zbatimit të ligjit në gjithë vendin. Fakti është se banorët e kësaj zone do të dëmshpërblehen për ndërhyrjen e INUK, sipas rasteve që parashikohen në ligj. Ndërtimet në këtë zonë kanë lulëzuar sidomos gjatë qeverisjes së PD-së dhe nëse ka fajtorë, ata janë përfaqësuesit e djathtë që mbyllnin sytë dhe inkurajonin ndërtimet që në themelet e tyre. Sot është e dhimbshme të shohësh biznese që shkatërrohen, siç deklaronte pronari i një hoteli, deri me vlerë rreth 500 mijë euro. Por kjo është e vetmja mënyrë që të tjerët të kuptojnë se investime të tilla nuk bëhen me leje false, të siguruara nga ish-zyrtarë të korruptuar, apo vetëm me shkelje syri të deputetëve, sa herë që këtyre të fundit u duhet mbështetja elektorale. Pra e dhimbshme është vertet kur shembet një pasuri,por më e dhimbshme është kur shkelja e ligjit bëhet praktikë dhe ku fitojnë vetëm të fortët e krimit.Kryeministri Rama duket i vendosur në këtë aksion të madh që po bën nëpër gjithë Shqipërinë kundër ndërtimeve pa leje, aqsa nuk guxon më njeri të vendosë qoftë dhe një tullë pa lejen e organeve përkatëse. Kështu ligji ka filluar të jetë mbi të gjithë. E kjo falë edhe punës titanike që bëjnë punonjësit e INUK, nga më i vogli e deri tek drejtoresha e përgjithshme. Shteti, në rastet kur shpërfillja e ligjit është kthyer në modë,ka të drejtë të përdorë anën represive të ligjit. Nuk është e mirë, porse mbetet e domosdoshme që njërëzit të edukohen se mbi ligjin nuk mundet asnjeri të dalë. Kjo kërkon dhe rritjen e shkallës së zhdërvjelltësisë së administratës shtetrore për t’iu përgjigur në kohë kerkesave të njërëzve kur duan të ndërtojnë, sipas planeve të miratuara.
Shpërthimet me trotil, shembjet masive dhe rrëzimi i mijëra banesave bëjnë që aksioni i INUK të duket i ashpër. Por kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar atë pak pronë publike që ka mbetur. Më shumë se një betejë me ndërtimet pa leje kjo është një betejë ligjore, që ka nevojë të mbështetet në një vend, ku prona publike e të gjithëve ka humbur kuptimin dhe shihet vetëm si hapësirë për t’u vjedhur.
Operacioni në zonën e Pogradecit do të zgjasë rreth 10 ditë. Vetëm dje janë shembur 4 objekte. Ndërsa në ditët në vijim do të rrëzohen me fadroma e eksploziv edhe 16 objekte të tjera. Pas Pogracedit, objektivi i do të jenë zona të tjera turistike në vend që janë zaptuar nga ndërtimet pa leje.
INUK nuk ndalet. Duket si një parullë, porse është fakt praktik. Ata nuk ndalojnë as para çdo ndërtese sado e madhe të jetë, pavarërisht se kush është pas tij si pronar apo si mbështetës politikë. INUK ka prekur shumë interesa, por kryeministri Rama iu ka dhënë gjithë mbështetëtjen e duhur,aqsa nuk guxojnë më as deputetë e politikanë që t’ju bëjnë presion.Të punosh sot në INUK është një kurajo e madhe,por që duhen respektuar për zbatimin e ligjit,pasi ato po tregojnë se nuk pyesin për asnjeri që flet nga pozitat e “ të fortit”.