Inxhinier Ngjeqari: Projekti Unaza e Re ka 20 milion euro vjedhje!
Pothuaj një muaj nga nisja e protestës së banorëve të Unazës së Re opinioni publik është ndarë në dy qëndrime, në raport me të drejtën e banorëve, por të gjithë janë në një mendim: Kostoja 40 milionë euro për 2.2 kilometra autostradë është jashtëzakonisht e pabesueshme. Nuk gjen njeri që të thotë se kjo është kosto reale, por të gjithë shprehen se kjo mbetet vjedhja më e madhe.
Sipas institucioneve shtetërore projekti i Unazës së Re është i domosdoshëm të ndërtohet dhe buxheti i shtetit nuk përballon dëmshpërblimin 100 përqind të rreth të 350 banesave që do shëmben. Opozita e ka kthyer në kauzë të saj protestën e banorëve dhe këmbëngul se qeveria po shkel ligjet duke vjedhur pronën e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit me projektin e Unazës së Re. Kur propaganda politike, lajmet e rreme, plagosjet dhe protestat nuk të lënë të shohësh qartë thelbin e problemit, tashmë është koha të dëgjohet zëri i ekspertëve më të mirë që ka vendi për koston marramendëse. Dje ka folur inxhinieri dhe projektuesi i rrugëve dhe infrastrukturës, Xhevahir Ngjeqari. I njohur për oponencën e shumë projekteve rrugore në Shqipëri dhe kundërshtar i projekteve rrugore jo efikase të Sali Berishës, Lulzim Bashës apo Edi Ramës, edhe këtë herë inxhinieri i njohur për projektin e Unazës së Re flet si profesionist dhe jo si politikan. Ngjeqari ka qenë njeriu që ka kundërshtuar hapur dhe egër kryeministrin Berisha kur ai drejtonte qeverinë. Ndërsa dje në emisionin “Top Talk” në “Top Channel”, Ngjeqari dha më shumë se një arsye se përse qeveria “Rama” po gabon me projektin e Unazës së Re.
Fillimisht debati nuk ka të bëjë me banorët që humbin shtëpitë, por me projektin e ndërtimit të Unazës së Re. Si njeri që e njeh koston e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri dhe Europë, Ngjeqari e thotë hapur se shifra prej 40 milionësh që qeveria do të hedhë në këtë segment mund të përgjysmohet. Pra, sipas tij, nga 40 milionë që janë tenderuar, projekti realisht ka nevojë vetëm për 20 milionë. Bile me pak se 20 milionë euro. Ai thotë se projekti aktual jo vetëm nuk është bërë nga ekspertë të mirëfilltë, por për shkak se i është dhënë qeverisë e gatshme gjithçka, nga një kompani private, kostot e tij janë shumëfishuar në mënyrë absurde. “Projekti që kanë bërë këta për një ndërtim tërësisht të ri dhe me përmasa të reja nuk është i saktë dhe jo sipas standardeve. Ajo që rrit koston këtu është se këta e kanë vendosur të kategorisë A urbane (ndërkohë që ka edhe interurbane). Në përcaktimin e standardit të rrugëve ndikon intensiteti i qarkullimit të automjeteve, ndërsa këta kanë marrë intensitetin maksimal të standardit A urban, i cili është i panevojshëm”,- deklaroi inxhinieri i njohur.
Pra, veç opozitës dhe zërave të tjerë që flasin për grabitje, manipulimin me projektin dhe ndërtimin e një rruge me kosto jashtë çdo praktike ndërkombëtare, e konfirmon dhe një ekspert i pavarur që është inxhinier profesionist. Duke shtuar dhe ato që inxhinier Ngjeqari nuk i thotë, por dihet se në tendera kanë marrë pjesë firma fiktive dhe se kompania që merr pjesën më të madhe është e regjistruar në parajsa fiskale dhe nuk ka një emër pronari real, dyshimet për korrupsion të madh bëhen edhe më të provuara. Çudia mbetet se si ka mundësi që prokuroria nuk fillon hetimet, kur të gjithë po bërtasin se “kjo është vjedhje gjigande”.
Ndërkohë deputetja e PD, Jordida Tabaku deklaroi se shifra reale në buxhetin e shtetit për 2 km rrugë do të arrijë rreth 50 milionë euro. Deputetja sqaroi se me 40 milionë euro për të cilat është bërë tenderi janë plus edhe 8 milionë euro taksa dhe TVSH që do të mbahen nga buxheti i shtetit në përfundim të projektit. Në këtë mënyrë, rruga prej 2 kilometrash e Unazës së Re do t’u kushtojë shqiptarëve rreth 50 milionë euro duke thyer çdo rekord botëror për koston e ndërtimit. Ndërkohë që e njëjta rrugë në segmente të tjera, po nga kjo qeveri është bërë me kosto 8-10 milionë euro për kilometër. Bile edhe me pak.
Ngjeqari thotë se janë të gjitha mundësit që shuma e investimit të përgjysmohet duke e zgjidhur dhe problemin që kanë banorët me dëmshpërblimet. E për pasojë duke shmangur dhe konfliktin e panevojshëm me banorët e Unazsë së Re që preken nga ndërtimit.
Është një apel që vjen nga një ekspert dhe jo nga partitë politike, të cilin kryeministri duhet të marrë në konsideratë. Nëse jo, atëhere gjithçka është bërë me paramendim për të vjedhur fiks 20 milionë euro, të cilat duket se do ti përdorë mazhoranca për të blerë votat në zgjedhjet vendore qershor 2019.
Ajo çka pohoi inxhinieri dhe projektuesi i njohur nënkupton se 20 milionë euro po vidhen hapur e në mes të Tiranës.
Q.Xhani