Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati: Mjaft më me oligarkët, o Rama! Jemi bërë parti e biznesit të madh!

Fjalimi i ish-ministrit Ditmir Bushati dje në Kuvend ka qenë si një dush i ftohtë për qeverinë “Rama” dhe gjithë përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

Në seancën ku u miratuan kontratat për ngritjen e një porti të ri detar në Porto Romano, në Durrës ish-ministri ka dal kundër jo thjeshtë projektit të radhës, por gjithë modeleve të koncesioneve që ka miratuar këto vite kryeministri Edi Rama dhe qeveria e Rilindjes. Ish-ministri u kujtoi të gjithë socialistëve në sallën e Kuvendit se si përfaqësues të një force te majtë nuk mundet që çdo vendimmarrje që firmosin të ketë lidhje vetëm me oligarkët dhe interesat e tyre private. Bushati iu drejtua deputetëve në sallë se nuk kanë asnjë të drejtë që të marrin vendime, që kanë efekt deri për 30 vitet e ardhshme duke dëmtuar të ardhmen e brezave të tjerë. Gjithashtu, ish-ministri ka kritikuar jo vetëm dhënien e tenderave por edhe përqendrimin e investimeve në rrugë dhe objekte të tjera për interesa të oligarkëve. Rrugët, energjia elektrike dhe ujësjellësi shtrohen me paratë e shtetit dhe shkojnë tek oligarkët.

“Unë jam njeri që besoj te idealet e qendrës së  majtë dhe e dua publiken. Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe t’ia japim privatit. Nuk ka pse ARRSH-ja të nxjerr tenderin 5.5 milionë euro për t’i çuar dhe rrugën privatit. Nuk kanë pse të paguajnë taksa shqiptarët e zakonshëm të këtij vendi dhe të gjithë ne për të çuar atje postën policore, doganierin, kontrollin sanitar dhe fitosanitar. Në rast se doni t’ia jepni privatit, fare mirë mund ta bëjë investimin privati.  Çfarë fiton shoqëria me këtë gjë? Çfarë fitojnë fëmijët tanë me këtë gjë? Çfarë duam të bëjmë? Duam të bëjmë një realitet si Dhërmiu e Palasa? Nuk i kuptojmë ne gabimet tona ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe nga taksat tona shkon rruga atje, shkon energjia, shkon uji?!”,- deklaroi në Kuvend, Ditmir Bushati.

Duke bërë dallimin mes biznesmenëve të ndershëm dhe atyre që abuzojnë, Bushati kërkoi nga qeveria dhe forca politike ku ai bën pjesë që të ndahen përfundimisht nga modeli i oligarkisë. Ai tha se PS-ja duket të ketë një model të qartë distancimi edhe duke dalluar nga mënyra sesi, sipas tij, po sillet Partia Demokratike. “Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelen çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por duhet të ndahemi me oligarkinë. Oligarkia është një problem shqetësues në të gjitha vendet e botës dhe niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia dhe fortësia e institucioneve. Duhet ta përballojmë këtë realitet. Nuk duhet të bëhemi si Partia Demokratike”,- tha  Ditmir Bushati.

Ish-ministri u kujtoi kolegëve në PS dhe premtimet që kanë bërë para ardhjes në pushteti, kur deklaruan se do t’i anulojnë koncesionet dhe se nuk do lejojnë keqpërdorimin e pasurisë. Deklaratat e ashpra të Ditmir Bushatit kanë sjellë reagime nga përfaqësuesit të PS, si Taulant Balla dhe të tjerë që normalisht janë rreshtuar në mbrojtje të koncesioneve.

Fjalimi i ish-ministrit socialist ka trazuar dje kryeministrin dhe mazhorancën, të cilët edhe në ditët me pandeminë e koronavirusit, nuk duan t’ia dijnë për shkelje ligji apo vendosjen e buxhetit të shtetit për interesa të një grupi miliarderësh, por vazhdojnë duke vjedhur, ndërkohë që popullin e kanë mbyllur brenda me çelës dhe i japin dy orë liri sa të marrin paksa frymë. Pas ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafa, i cili ka kundërshtuar haptazi disa vendime të kryeministrit, vjen “bomba” e njërit nga pinjollët e bushatllinjve shkodranë./M. Xhani/

 

 

 

 

SHKARKO APP