Islamizim prej katolikëve?- thotë radio gjermane “DW”
Qeveria gjermane ka paraqitur raportin e miigracionit për vitin 2013. Ai tregon se kush ka ardhur nga ku në Gjermani dhe kush është larguar. "Pegida" duhet të mbetet e çuditur, mendon Felix Steiner.
Kur në mbrëmje në rrugët e Lajpcigut të protestojnë sërish mijëra qytetarë kundër gjoja "islamizimit të Perëndimit", u duhet hedhur para këmbëve raporti i fundit të qeverisë gjermane për migracionin, dhe kur të pengohen t'i hedhin sytë në shifrat e tij. Dihet se leximi të zgjeron njohuritë.
E bukura në raportin prej 312 faqesh të Entit federal për Migracionin dhe Refugjatët është se ai rreshton me akribi një sërë shifrash, por pa bërë vlerësime. Akuza se statistika është një produkt i "shtypit të gënjeshtërt", apo i ndonjë manipulimi tjetër, nuk qëndron në këtë rast. Këto shifra janë të pagabueshme.
Statistikat hedhin poshtë paragjykimet
Ka ndonjë shifër, që ushqen me siguri klishetë e rrugëve të Gjermanisë dhe të tavolinave të pijetoreve. Por disa të dhëna janë befasuese për shumë fanatikë. Edhe pse nuk është aspak fjala për zhvillime të reja. Nga çfarë vendi vjen për shembull grupi më i madh i emigrantëve në Gjermani? Nga Turqia? Kosova? Afganistani? Kjo mund t'u vinte për shtat paragjykimeve të zakonshme. Jo krejt gabim. Nga Polonia vjen kontingjenti më i madh nacional, në fakt që nga viti 1996. Për probleme integrimi, apo krijime getosh nga polakët nuk kemi dëgjuar gjë, pavarësisht nga madhësia e grupit. Kjo shifër duhet t'i gëzonte më shumë ipeshkkvitë gjermane sesa shoqatat e xhamive islame. Shumica e polakëve janë katolikë besnikë dhe paguajnë pa dyshim kontributin financiar për kishën.
Tre të katërtat e emigrantëve në Gjermani vijnë nga Evropa. Rumania, Bullgaria, Hungaria, Italia, Greqia, Rusia dhe Spanja vijnë pikërisht në këtë renditje pas Polonisë, si vendet kryesore të origjinës së emigrantëve. Të gjitha kombe kryesisht të krishtera. Është e drejtë se statisticienët e llogarisin edhe Turqinë në Evropë. Por pikërisht Turqia është një nga dy vendet, në drejtim të të cilave më shumë janë larguar njerëz prej Gjermanisë sesa anasjelltas. Islamizimi i Gjermanisë në front të gjerë bie pra poshtë një herë për një herë.
Megjithatë është e saktë edhe se migracioni në Gjermani po shtohet. Rreth 430.000 vetë më shumë kanë ardhur në Gjermani se sa janë larguar. Për këtë ka dy arsye të thjeshta. Nga njëra anë numri i azilkërkuesve ka pësuar rritje të hovshme, nga ana tjetër Evropa Juglindore vuan nga një krizë masive ekonomike. Ndryshe nga më parë, askush nuk do të shkojë në vendet e ngrohta të Mesdheut. Përkundrazi, të rinjtë që andej vijnë në Gjermani.
Gjermania ka nevojë për emigrantë
Megjithatë askush nuk duhet të shqetësohet se Gjermania mund të mbipopullohej. Përfitimi prej emigrimit të 430.00 vetëve relativizohet fort duke patur parasysh numrin e lartë të vdekshmërisë prej gati 200.000 vetësh. Dua të them se për shkak të strukturës së moshës së njerëzve, që jetojnë në Gjermani, vendi ka një nevojë urgjente për emigracion, nëse do që ta ruajë nivelin e mirëqënies së tij. Sepse më së voni pas dhjetë vjetësh, kur brezi i viteve me nivel të lartë nataliteti, i pesëdhjetëvjeçarëve të sotëm të ketë dalë në pension, Republika Federale e Gjermanisë do të vuajë nga një defiçit masiv i fuqisë punëtore.
Gjermania duhet të marrë masa për rastin, nëse Evropa jugore e ka kapërcyer deri atëherë krizën e saj. Vetëm arsyet humanitare, si në rastin e refugjatëve, apo bashkimi familjar nuk mund të jenë kriteret e vetme të përzgjedhjes, që emigrantët të marrin këtu leje qëndrimi ose pune. Edhe pse shumë gjermanëve kjo ende mund t'u duket befasuese: Një ligj imigracioni, që përcakton se për çfarë njerëzish e me çfarë kualifikimesh ka nevojë urgjente Gjermania, do të ishte një mënyrë e mirë për të siguruar të ardhmen ekonomike të vendit. Dhe një koncept të tillë politika duhej të ishte në gjendje ta mbronte përballë demonstruesve në rrugët e Gjermanisë.