Jozi! Fol edhe për Saliun!
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka bërë dje një denoncim të pazakontë. “Ka dy muaj që shtëpia ime ruhet nga njerëz se kush hyn dhe kush del të pijë kafe. Kjo është sjellja më mjerane. Gjëja e vetme që më kujton, është Edi Ramën kur sulmonte Islamin. Unë ndoshta kam lindur e deklasume. Kjo s’ka ndodhi as në komunizëm”,- deklaroi Jozefina Topalli në një intervistë për ABC News.
Ish-kryetarja e Kuvendit nuk ka dhënë detaje se kush mund të jetë personi i interesuar për përgjimin e jetës së saj dhe familjarëve të saj. “Dikush ka vënë një njeri për të parë lëvizjet e saj dhe të familjarëve”,- tha ajo.
Një denoncim i tillë i bërë nga ish-numri i dy i shtetit dhe një prej deputeteve më të rëndësishme të PD-së në historinë e demokratëve, tregon për një përplasje jo thjesht politike. Përveç raportimeve në media, dje nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me këtë qëndrim të ish-kryetares së Parlamentit. Topalli nuk tha emra se kush mund të jenë personat e interesuar në vëzhgimin apo përgjimin e asaj personalisht dhe të familjes së saj. Vetëm aqsa ka deklaruar mjafton që institucionet të vihen në lëvizje apo partia e saj të mbaj një qëndrim të forte publik. Por informacionet vijnë se “vëzhgimi” i vjen nga kolegët e saj apo drejtuesit e selisë blu. Ose mundet dhe shërbimi sekret. Kemi të bëjmë me një nga skandalet më të mëdha që po ndodh te Partia Demokratike. Sepse është një gjest jo vetëm i dënueshëm ligjërisht, por edhe një minus i madh moral që merr gjithë partia më e madhe në opozitë. Nëse kjo akuzë vërtetohet nga organet e specializuara (nëse duan), atëhere sherri në PD ka thyer çdo rregull normal brenda një partie, dhe ka kaluar në metoda të shërbimeve secrete, deri diku si mafioze. I pari që duhet të reagojë ndaj këtyre qëndrimeve është vetë Lulzim Basha. Ndërkohë që dhe ish-kryeministri Sali Berisha, si personi që ka autoritetin e duhur tek e djathta duhet të ndërhyjë. Tashmë nuk diskutohet më vetëm çështja e garës në PD, pasi ajo dihet si do përfundoj, sepse e ka të fituar Lulzim Basha, por po diskutohet morali i gjithë PD-së dhe opozitarizmit në vend. Boll amoraliteti i pazarit të mesnatës Basha-Rama, por kësaj po i shtohet përgjimi i Jozefina Topallit nga struktura parale paramilitarë të PD-së ose në bashkëpunim me organe të specializuara shtetrore.
Kjo është e frikshme për shoqërinë shqiptare, jo vetëm për zonjën Topalli, e cila për hir të së vertetës duhet të jetë më e qartë se nga lista nuk e hoqi Lulzim Basha pa lejen e dikujt me të fuqishëm se kreu i PD-së, Basha. Nuk ka dhe as nuk ka për të patur kaq takat në selinë blu, Basha, sa të heq emrat kryesorë në PD apo që të vendosë me kokën e tij se Sali Berisha duhej të ishte i shtati në listën e PD-së në Tiranë. Apo që të guxonte të hiqte dhenderrin e Berishës, Jamarbër Malltezin. Jozefina duhet të jetë e drejtpërdrejt me demokratët, të thotë edhe rolin e Berishës në ngritjen dhe mbrotjen e tanishme të Lulzim Bashës. Të thotë se kush e bëri marrëveshjen me Edi Ramën me 18 maj, Sali Berisha apo vetëm Lulzim Basha. Të thotë se kush po vendos prapë për kryetarin e PD. Asnjë nuk e ha këtë manovër demokrate. Lulzim Basha ka bekimin direkt të ish-kryeministrit Berisha. Ndaj gara mbetet pa garë, si në vitin 2013 kur Sokol Olldashi doli me guxim përballë Bashës e natyrisht edhe kundër Berishës. Përfundimi dihet tashmë, ndaj edhe Astrit Patozi vendosi të futet në një garë të paracaktuar.
Por le të kthehemi te çështja e shtruar dje nga zonja Topalli, e cila është shqetsuese. Duhet që Presidenti i ri Ilir Meta të kërkojë pas 24 korrikut informacione nga strukturat e institucioneve kushtetuese, sepse nëse lejohet kjo mënyrë pune në parti politike, atëhere kemi të bëjmë me një “miniWatergejt”.
Në PD situata është mjaft e qartë, do fitojë ndjeshëm Lulzim Basha si kryetar. Do ta vazhdojnë marrëveshjen me Edi Ramën, në mos direkt me qeverisje ekzekutive do të jetë me “qeverisje mesnate”. PD-ja nuk vjen për të paktën edhe dy mandate në pushtet me këtë strategji momentale.
Edhe njëherë Jozefina foli fort, ashpër, por nuk shijgetoi aty ku duhet e dihet se fshihet KOKA.