Ka pyetje kruciale

 

 

Nga  Frrok Çupi.

 

Çfarë do të ndodhë me ne?

Kjo është pyetje që bëhet nga njeriu i thjeshtë, por i shkon edhe njeriut akademik.

Në momente shumë të vështira si këto që po kalojmë, pyetja për jetën bëhet e thjeshtë dhe bazike; nuk ka më shtresëzime. Si akademiku, edhe tjetri, e kanë njësoj regjistrin.  (Mbase varfëria dhe diktatura paskan qenë shkaku pse në shoqërinë tonë nuk është kryer procesi i shtresëzimit!- siç konstatojnë studiuesit).

… Ç'pyetje bën sot njeriu që ndodhet në bazën e shoqërisë? Të njejtën bën edhe ai që qëndron lart, psh., në panteon. Atëherë qënkemi të gjithë në bazë, ose në jetën bazike. Përveç një pjese shumë të vogël, gati 0.5 përqind- sipas studiuesve të instituteve të shteteve europiane,- të cilët mbajnë në duar mbi 70 përqind të pasurisë kombëtare.

Që këtej, nga shifra 0.5 përqind, nisin edhe vetë pyetjet cruciale të individit dhe të kombit.

E para, pse ndodh kështu?

Ok., as me këtë nuk po merremi, që të zbulojmë pse ndodh kështu. Këtë e kemi zbuluar ditë pas dite dhe e kemi të qartë. Një kastë pushteti, e lidhur edhe me krimin, kanë arritur që ta fusin në dorë pasurinë e kombit. Disa njerëz,  jo të pa ditur, tek bëjnë llogaritë, dalin në përfundimin se dhjetra, madje edhe qindra miliardë euro, janë nxjerrë nga territori dhe ekonomia shqiptare dhe janë investuar në off-shore në shtete të huaja.

Pyetje cruciale në këtë sens, nuk është më pyetja se si ndodhi kjo. Tashmë kjo dihet mirë. Pyetja cruciale është: Vallë kush do të dalë ai burrë i vlerë që mund ta kthejë pasurinë e vjedhur, nga off- shore ose diku tejtër,  në duar të të zotëve në Shqipëri? Ka ndodhur dhe ndodh nëpër botën e qytetëruar që pasuria e vjedhur publikut, i kthehet këtij një për një. Kjo pritet edhe këtu. Njerëzit dëgjojnë fjalë nga opozita, por nuk u kap veshi për kthimin, veç për vjedhjen. Kur nuk dëgjojnë nga opozita, nuk kanë asnjë shpresë as nga media dhe as nga kisha e xhamia. Shpesh herë i kthejnë sytë nga Europa dhe Amerika. Edhe prej andej vijnë lajme e shifra milionëshe të vjedhura, por asgjë për kthimin. Në qoftë se deri ditën e zgjedhjeve politike, 2017, do të dalë dikush që të garantojë kthimin e paurisë së vjedhur nga pushtetarë e mafiozë, ai do të fitojë besimin e shqiptarëve…

Mirëpo kjo ka mbetur akoma veç një pyetje dhe asgjë më shumë.

 

E dyta, a do të ketë ndonjë lëvizje politike që të ngjallë sado pak shpresën e njerëzve?

Deri më sot ka veç dështim. Deri më sot lufta politike bëhet me "sinqeritetin"  se njeri lufton që  t'i marrë pushtetin tjetrit, dhe kaq. Njeriu i zakonshëm që do pak pushtet për vete, dmth., pak forcë për të jetuar më mirë, dëgjon e hesht; dëgjon e kthehet në krahun tjetër: " Kjo nuk qënka punë për mua, e kanë për vete", thotë dhe kthehet në krahun tjetër.  Dje dhe pardje është thënë se mund të ketë edhe zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Madje edhe vetë kryeministri e paska lënë të nënkuptuar si një indicje të tij. Është hedhur në tryezë ky lajm kaq i madh,  por megjithatë nuk ka reagim. Kujt i intereson? A shton gjë kjo punë, dmth., zgjedhjet e reja ose një qeveri tjetër, për individin? Aq më pak u intereson njerëzve shkaku pse mund të bjerë qeveria, pse tradhëtoi Meta apo pse dredhoi Rama!

Njeriu nuk ka një shpresë për më mirë, kjo është çështja

 

E treta, vallë a po jeton apo po zbehet demokracia?

Pyetje cruciale e shtruar veç dy dekada pas rënies së diktaturës komuniste. Shumë afër për të rënë në këtë dilemë! Sjellja varfëruese e qeverisë ndaj qytetarëve të vet, i ka bërë njerëzit që të shikojnë kandidatin për qeverisës si të ishin lypsar, të shikojnë çfarë ka kandidati në duar. Do të mjaftonin edhe pesë mijë lek ose një thes me miell për të dhënë votën. Në fillesat e Demokracisë, dymijë e katërqind vjet më parë, kjo nuk mund të falej; Aristoteli do të thoshte se nuk votojnë lypsarët dhe të pastrehët. Ndërsa në këtë epokë vetë shteti punon për thellimin e varfërisë dhe rritjen e numrit të të pastrehëve, me qëllim që këta të kthehen në dele e të votojnë për padrinon.

Njeriu i munduar është ushqim për pushtetin absolutist.

 

E katërta, shtrohet pyetja, çfarë do të ndodhë me më të varfërit, sidomos këtë dimër që po vjen.

Sipas disa statistikave të nxjerra në mënyrë jo shtetërore, varfëria ekstreme ka mbërritur në 30 përqind të popullsisë. Në qoftë se do të vazhdojë të rrënohet ekonomia, atëherë shifra do të rritet më shumë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lënë hijen e një dyshimi se vendi ynë mund të mos ketë mundësi të paguajë këstin e borxhit. Atëherë do të ndodhemi në pozitat e falimentit shtetëror,  kur edhe pasuria e 0.5 përqindëshit nuk do të vlejë më. Vjen një vdekje klinike për të gjithë. Greqia, fqinji ynë më i afërt,  po përjeton ditë të rënda, edhe pse me ekonomi e demokraci shumë më të maturuar. Aty individi, tashmë i pastrehë, po përjeton sëmundjen e shtetit.

Edhe këtu ka nisur "qreqizimi", në sensin negativ. Këtu edhe të pastrehët po dërgohen në burgje për faturën e energjisë elektrike dhe për kuponin tatimor të shishes së qumështit. Jemi një hap "përpara" individit në Greqi, në sensin e greminës. Këtu individi e ka ulur kërkesën deri aty sa thotë më mirë në burg ku ka supë e drita…

 

Jemi në stinën më të ethshme të pyetjeve. Të pyetjeve nga shtresa bazike që përfshin 99.5 përqind të popullsisë. Elita 0.5 përqind që mban në dorë pasurinë kombëtare, nuk ka pyetje në mendje.

Por nga shtresa bazike (99.5 përqind) ka pyetje pa fund. Ka pyetje cruciale që nuk dihet si do të mund ta kalojnë kryqëzimin e rrugëve ku takohen të vuajturit dhe shkaktarët e vuajtjes.

SHKARKO APP