Kadri Veseli/ Nga kreu i SHIK në krye të Parlamentit

 

“SHIK, një organizatë kriminale… e financuar nga struktura të dyshimta dhe jo llogaridhënëse…” Këto akuza ndaj Shërbimit Informativ të Kosovës janë të Isa Mustafës. Janë bërë kur SHIK drejtohej nga Kadri Veseli, i zgjedhur dje në krye të Kuvendit edhe me votat e LDK –së së Mustafës. Kadri Veseli është një ndër figurat më të përfolura të Kosovës së pasluftës. Si një nga themeluesit e UÇK –së, ai drejtoi Shërbimin e Zbulim – Kundërzbulimit të saj (ZKZ), më vonë e shndërruar në Shërbimin Inteligjent të Kosovës, SHIK. Është akuzuar disa herë se nën drejtimin e tij SHIK ka kryer veprimtari kriminale, plagosje, vrasje e rrëmbime, veçanërisht pas deklaratave të dy agjentëve të vetëshpallur të shërbimeve sekrete, Nazim Bllaca e Naim Miftari. Veseli i ka hedhur poshtë publikisht ato. Edhe shërbimi sekret i NATO –s, në një raport të brendshmë, e përshkruan SHIK –un e drejtuar nga Kadri Veseli, si një organizatë të fuqishme kriminale. Disa deputetë të Kosovës nuk e pranuan asnjëherë legjitimitetin e SHIK dhe e kanë konsideruar vazhdimisht si strukturë ilegale. Më vonë është vënë nën akuzë se po i shërbente PDK –së së Hashim Thaçit. Veseli i ka mohuar vazhdimisht edhe këto akuza, por në vitin 2012 do të anëtarësohej në PDK dhe në janar të 2013 –ës u zgjodh nënkryetar i saj, me votat e Këshillit të Përgjithshëm. Një ngjitje e shpejtë në majat e politikës dhe pa u mbushur dy vjet ai e sheh veten në krye të Parlamentit të Kosovës. “Kuvendi i Kosovës është mbushur me anëtarë të SHIK-ut”, do të deklaronte Isa Mustafa kur ishte në opozitë. E vështirë të besohet se mund ta artikulojë ndonjëherë tjetër një akuzë të tillë, pikërisht tani kur drejtuesi i SHIK është në krye të Kuvendit, i zgjedhur edhe me votat e LDK.

SHKARKO APP