Kandidime dhe spastrime

 

Shpallja e kandidatëve të kampeve kryesore për zgjedhjet e 21 qershorit, e shtyrë deri në limitet e afateve kohore, ka sjellë jo pak surpriza. Mes emrave që kanë servirur selitë kryesore bien në sy kandidime të reja të minutës së fundit dhe spastrime të emrave potencial e tradicional. Emra që deri mëngjesin e djeshëm thuajse e kishin të sigurtë kandidimin, në drekë nuk u kandiduan. Dy janë rastet më emblematike të dy krahëve politikë, ku nga fushëbeteja e zgjedhjeve janë spostuar emra që vlerësoheshin fitues.

I pari është kandidati opozitar i Durrësit, Agron Duka. Një emër që vinte nga e majta dhe që është rreshtuar në krah të republikanëve, me një profil që spikatur në politikë. Kandidimi i tij u cilësua si një figurë thuajse fituese përballë Vangjush Dakos që kërkon një mandat të tretë. Por edhe pse Duka nisi fushatën dhe gjithë sondazhet, edhe të kundërshtarëve e nxirrnin fitues, dje PD-ja shpalli zyrtarisht një emër tjetër si kandidat të së djathtës, Grida Dumën. Profili i saj publik dhe karriera e shpejtë në PD sigurisht që janë një garanci për fushatë spektakolare të PD-së në Durrës. Megjithatë, sigurinë që e djathta kishte me Dukën, si një politikan që e njeh terrenin dhe elektoratin e PS-së dhe PD-së në Durrës, e djathta e lëkundi dje me nxjerrjen nga loja të tij.

Rasti i dytë i spastrimeve me kandidimet është ai i Sarandës. Stefan Çipa, ish-deputet i PS dhe drejtues aktual i Bashkisë së Sarandës  që duhet të jetë ndjerë dje, më shumë se kushdo, i përdorur keq nga politika ose i prerë në besë politikisht. Për një mandat ka investuar në ndryshimin e qytetit dhe shpëtimin e asaj cope tokë që ka mbetur pa u betonizuar. Pasi vendosi piketat e modernizimit të Sarandës dhe shmangu orekset e bosëve të betonit për ndërtime, u zëvendësua në mënyrë të beftë nga një nëpunëse e administratës së tij, që një vit më parë e kishte futur në bashki për t’i gjetur një vend pune. Floriana Koka është një emër i ri PS-së së Sarandës. Kandidimi i saj mund të jetë një hap më cilësor në drejtimin e një bashkie me potencial të madh turistik në vend,por në këtë rast, më shumë se emri dhe personaliteti i znj. Koka, vlen të diskutohet procedura e ndjekur për shpalljen e kandidimit. Edhe eksperienca ka të bëjë pasi kryetari është një administrator i qytetit. Nëse i besojmë deklaratave të kreut të Bashkisë Stefan Çipa, kandidatja e re është vendosur vetëm nga dëshira deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima. Po sipas tij, kandidimi është servirur si një kërkesë e socialistëve dhe qytetarëve sarandjotë në bazë të sondazheve. Këtu duket se lind dhe problemi, pasi sekreti i sondazheve qëndron gjithmonë aty “ku futet sonda”. Sipas Çipës edhe kur janë bërë anketimet janë pyetur njerëz të biznesit të ndërtimeve që kanë pasur konflikte me bashkinë. Nuk janë pyetur qytetarët. Por u gjet mënyra për ta spostuar edhe Çipën.  

Praktikisht Çipa është spostuar nga kandidimi duke përdorur të njëjtat metoda si dhe për kandidatët e tjerë. Teoria e sondazheve, që edhe kur janë zyrtare, ngrenë shumë pikëpyetje për saktësinë dhe jo më kur bëhen nga stafe lokale anonimë, ka larguar nga gara mjaft emra që janë potencialë për një forcë politike. Çudia është se sondazhet dalin gjithmonë ose siç kërkon deputeti më i fortë i qarkut, ose siç ka vendosur kryetari i partisë! Rasti i Dukës dhe Çipës janë shembulli më i mirë i përzgjedhjes së kandidaturave dhe pazareve politike mes koalicioneve dhe deputetëve.

Kur duan të të “palosin” nga qendra gjejnë një “sondazh popullor” që e votojnë nëpër zyra dhe e shpallin në media dhe më pas vjen fjalia “nuk kemi se ç’të bëjmë. Sondazhi tregon se nuk të do populli !”. Dhe ikën pavarësisht se ke punuar apo ke forca për të dhënë për qytetin tënd.

Këto metoda i njihte mirë Fatos Nano dhe Sali Berisha, i mësoi edhe Edi Rama e Lulzim Basha. Edhe për një dekadë duket se këto të dy do të kemi në krye të punëve mbrapshtore të politikës!

 

SHKARKO APP