Kastrim politik i teatrit
Elsa Demo.
“Vrasja e Maratit” vënë në skenën e Teatrit Kombëtar e çon mendimin në dy drejtime: tek qëllimi i regjisorit Arben Kumbaro dhe perceptimi i veprës në publik. Të dyja ia vlen t’i ndalësh para pyetjes: ç’kërkohet dhe ç’presim nga teatri?
Agjitacion Tirane
Teksti i Peter Weiss-it përmban shpjegime të mjafta për ngritjen e dramës në skenë. Qyshse Wiess-i shkruan dramën, bashkë me të shoqen kostumografe mendon për aspektin pamor, sepse inskenimi ndodh menjëherë në ‘64-ën në Berlin. Nuk vonon, po atë vit, Peter Brook-u e punon në Londër. Realizon edhe variantin e filmuar “Marat/ Sad” ku dëshmohet forca e novacioneve estetike brenda teatrit të ideve.
Weiss-i i ka të dhëna si duhet të jetë skena, personazhet si duhet të jenë të vendosur, si dhe çfarë mbajnë veshur, ku duhet të jetë orkestra, Sadi dhe Marati ku duhet të jenë gozhduar, kur Simona ia ndërron leckën e kokës Maratit, etj..
Autori përcakton gjestet autiste të pacientëve, sepse jemi në një spital të sëmurësh mendorë ku po luhet një ditë, a më saktë, një moment nga Revolucioni Francez. Për ata që me të drejtë nuk arrijnë ta ndajnë në realizimin e Kumbaros përzierjen e teatrit me historinë politike brenda teatrit, duhet thënë se çmendina Sharënton shërben edhe si burg politik, siç ka shërbyer realisht, për Markezin dë Sad në rolin e autorit dhe regjisorit të pjesës që luajnë pacientët.
Në këtë drejtim Arben Kumbaro nuk sjell ndonjë gjë “regjisoriale” që autori nuk e ka parashikuar. Natyrisht që regjisorit i njihet e drejta të ndryshojë e shndërrojë elemente skenike. Weiss-i i mendon skenat në banjën e zhveshur të spitalit me ngjyra të ftohta. Ndërsa Kumbaro i punon tablotë me konstruksione në lartësi: qela lëvizëse e të sëmurëve, shkallët dykatëshe në të dyja anët e skenës që shërbejnë si tribuna të fjalës në publik, nën ndriçim të ngrohtë.
Pacienti me veshje arlekini, Shpallësi, është lloji i suflerit që duhet t’i bëjë të shquhen kufijtë e hollë, distancat që aktorët duhet të krijojnë me rolin e pacientit dhe të personazhit historik. Si pacientë ata duhet të shtyjnë, të bëjnë gjeste, të përhumben, të harrojnë tekstin, të shfaqen naivë ndërkohë që luajnë seriozisht rolin e Maratit, Kordeit, Zhak Rusë, Simonë Evrardit, Dyperesë. Të gjitha këto ngjyra që burojnë nga puna me aktorët pritëm më kot të shfaqen në një farsë të gjallë idiotësh (në kuptimin individë) dhe heronjsh të historisë. Ngjyra që Kumbaro nuk i merr në konsideratë.
Ajo çka duhet të feksë, sipas tij, është boja e kostumeve, maska, formalizimi. Si çdo lloj formalizimi, spektakli i Teatrit Kombëtar jep iluzionin e diçkaje më të mirë nga ç’mund të jetë.
Sepse Kumbaro e kishte bërë tashmë zgjedhjen e llogores. Nga shtresat e gjuhës së stërholluar të Weiss-it, ai ngec në shtresën e historisë politike ku i mëshon stilit agjitativ. Me prirjet ideologjike që ua jep me të tepërt disa personazheve, pretendon një qëllim sa më afër aktualitetit politik të botës, Evropës, Lindjes së Mesme, Shqipërisë (shih intervistën me A.Kumbaron, “Panorama”, 25 mars). Kërkohet një vrasje Marati që të militojë si “mesazh i kohës sonë”, me çka ia ka dalë të bëjë për vete publikun që këtë pritshmëri ka për teatrin.
Qëllimi i Kumbaros zbret te vulgarizimi i etiketave për aktualitetin. Veçanërisht me “vrasjen e Maratit”, si akt më vete brenda spektaklit, ai mbërrin deri në alogjizëm abuzues!
Kush është vrasësi i Maratit?
Në dhomën time në Kaen
mbi tryezë nën dritaren e çelur
ndodhet libri që la hapur Judita
Judita iku për mos t’u kthyer më kurrë
me bukurinë e saj të rrallë
hyri ajo në kampin e tiranit
dhe me një goditje të vetme i dha atij fund
“Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit paraqitur nga trupa e aktorëve të azilit Sharënton nën drejtimin e zotit dë Sad”, është titulli i plotë i veprës, përkthyer e botuar nga Ardian Klosi në vitin 2010. Vargjet më lart janë nga monologu i Sharlotë Kordeit në prag të vizitës së tretë te Marati. Nga copat që Kumbaro i ka lënë jashtë. E gjejmë me interes ta citojmë për të ballafaquar motivin për të vrarë që Peter Wess-i i jep Kordeit me motivin që Kumbaro i jep, e për të parë prej këtej ku shkon subjektivizmi i regjisorit.
Për të ndërtuar figurën e Kordeit, Peter Weiss-i ashtu sikur për Maratin edhe Sadin, bazohet në burime dokumentare, në ndërthurje me linja fiksionale për të ndriçuar natyrën komplekse të secilit. Vargjet më sipër tregojnë nuancat biblike që ekzistojnë për perceptimin e figurës së Kordeit jo vetëm në Francë. Me Juditën e testamentit të vjetër, veç besimit në Zot dhe në drejtësinë e përjetshme, Kordein e lidh një akt vrasjeje në shërbim të njerëzve. Judita i pret kokën Holofernit, gjeneralit asiras, pushtues i Judesë dhe me kokën e tij të prerë hyn në qytet.
Në vijë politike, Sharlotë Kordei mendohet të jetë shtyrë nga zhirondinët atje në Kaen, opozitarë të qeverisë jakobine dhe masave revolucionare që e përkrahin nën flamurin e mbrojtjes së të drejtave. Po Kordei e sheh me sytë e saj ç’ndodh edhe në Paris:
“Marati do të emërohet tribun dhe diktator
ai ende shtiret sikur masat e dhunës
do të jenë veç të përkohshme
por ne e dimë mirë
se shkatërrimin dhe kaosin ka për qëllim.”
Marati është një lloj Holoferni që Kordei duhet t’i japë fund me një goditje në vaskën e vet.
Në vijë psikologjike Kordei, të cilës Weiss-i i këndon si “virgjëreshës së panjollë”, është figurë që e ndjen familjare. Po ta shikojmë si skicë për femrën dhe qytetin ajo është vajza që nga provinca zbret në një qytet të madh, e shokuar nga dhuna e imazheve, e lakmuar nga erotomanë, e vetme. Në rrethana të tilla kryen vrasjen. Megjithatë është “vajzë që ka aq liri sa të jetë zonjë e jetës së saj”, siç shkruan në letrën dorëzuar Maratit.
Pas aktit të vrasjes, Peter Weiss fut epilogun ku ndër të tjera ndodh ballafaqimi i pikëpamjeve të Kordeit me të Maratit. Pjesë që Kumbaro e ka prerë. Kordei nuk ishte dakord për llojin e lirisë që kërkonte Marati, i cili kishte kuptuar se “gjithë çështja ishte që ligjin me dhunë ta thyeje e prishje”.
Autori gjerman nuk lë ekuivok se në frontin e radikalizmit dhe fondamentalizmit qëndron Marati. Kurse regjisori shqiptar ia lë Sharlotë Kordeit në ballë ikonën e ekstremizmit dhe në gazeta deklaron si sukses të shfaqjes faktin që politikanët shqiptarë paskeshin shquar të kundërtin e tyre te Marati!
Një detaj. Fytyra e Kordeit qarkullon në tri versione. Në afishe është Kordei (Luli Bitri) në version sentimental me tablonë klasike të Davidit në dorë. Në fletëpalosjen për shfaqjen është po kjo Kordei fustan e llërë gjakosur, që mban në kokë burkë arabe. Në skenë Kordei godet mbi Maratin me maskën e zezë të “forcave të errëta” në kokë… Një fije dyshimi duhet ta ketë shoqëruar deri në momentin e fundit dëshirën e fortë të regjisorit për të provokuar me maskën ISIS. Pa menduar gjatë se po jep një konceptim të shtrembët të realitetit. Kumbaro ua deformon në vend që t’ua ndriçojë njerëzve shkaqet apo pasojat e dukurisë së një ideologjie ekstreme.
Tharje e poezisë
“Vrasja e Maratit” është vepër në vargje, por poezinë ia kanë tharë. Poezinë, atë komunikim emocional që të prek thellë, që bën të ndjesh gëzim a hidhërim, zemërim a rrëmbim, mall a nostalgji, me një fjalë a me një gjest. Për shembull skena e bisedës mbi vdekjen dhe jetën midis Maratit dhe Sadit, vizualisht është një kulm. Torturimi i Damienit, atentatori i Luigjit XV, vjen edhe në formën e një monologu djegës për fajin kolektiv, eksitimin dhe verbërinë e turmës që s’do të bëhet kurrë shoqëri.
Vetë gjuha e Sadit ka forcë pamore që venitet në përpjekjet e Viktor Zhustit për lojë cerebrale.
Hyrjet e Kordeit në skenë përbëjnë një ritual. Para çdo trokitjeje ajo sjell një makth, një mirazh korriku dhe gjaku gijotine nga sheshet e ekzekutimit “ku mishi lakuriq përmbi rrugë rri". Kordei i Luli Bitrit është e afektuar. I mungon sinqeriteti dhe spontaniteti.
Marati demaskon, akuzon armiqtë e popullit, kërkon për popullin një përfaqësues të vërtetë që nuk korruptohet, agjiton ide të socializmit dhe ateizimit për jetën e barabartë mbi tokë. Aktori Hervin Çuli i reciton në stil luftarak, me ton heroik.
Fanitjet e Maratit, të pasura në grotesk, janë lënë jashtë (nuk është aspak sakrilegj shkurtimi i tekstit). Pa to Marati është korrekt figurë e liderit të ndershëm, në anën e së drejtës e kësisoj Kumbaro e sjell si polin pozitiv të një shfaqje skematike.
Në këto fanitje, mësuesi tregon se qysh fëmijë “ky Marati fuste në grindje grupet e kalamajve me të cilët luante”; “më kafshonte dhe ai kur e kafshoja unë” kujton babai; Volteri flet për pseudoshkencëtarin; “vetëm pse nuk ia varnin u kthye kundër atyre që lajkatonte dhe e quajti veten mik i popullit”, kujton një tjetër…
Nëpërmjet Maratit, Kumbaro i jep përparësi konfliktit klasor më tepër se konfliktit të individëve Marat/ Sad që është vetë bukuria e veprës. Duke ia privuar kështu kënaqësinë atij publiku që s’pret nga teatri poza intelektuale që shpallen si aksion shoqëror.
Shtatë vjet pas “Frankut V” i Durrenmatt-it, dhe ca më shumë nga “Rrëshajët”, hedhja sërish në kallëpet e angazhimit na duket diskurs i i varfër. Dhe çka është më e rëndësishmja, në dëm të një shijeje të mirë për teatrin, e cila nëse ka ekzistuar ndonjëherë dhe e kemi humbur, duhet rigjetur.
Shpërdorim i komunikimit
Së fundi- jo për të ndarë qimen më katërsh- diçka për shpërdorimin e komunikimit në linjën kulturë- media- institucione.
Përpjekja e disa mediave për të gjetur konflikt të interesit personal në kurriz të fondeve publike apo duke përdorur influencën e pushtetit, në rastin e regjisorit Arben Kumbaro (dhe përfshirja e emrit të Ministres së Kulturës, motra e Kumbaros), rezultojnë pllaquritje kulturore. Më shumë se për Kumbarot, është e dëmshme për vetë mediat që shpërdorojnë në kësi forme besimin e publikut dhe të vetë atyre që merren me këtë zanat.
Shpërdorim i komunikimit me median dhe publikun është propaganda që Teatri Kombëtar bën për “Vrasjen e Maratit”. Qysh në dy netët e para shfaqja quhet “sukses i jashtëzakonshëm” duke i shërbyer një perceptimi të njëanshëm.
Ndërsa në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës ftohet publiku te një “Marat” që provokon.
Shijen e shpërdorimit të lë edhe apologjia në media e regjisorit Arben Kumbaro. Në llogari të fundit, ai e shikon si sukses pasqyrimin e realitetit politik në teatrin e tij. Sipas Kumbaros aktorët e tij protagonistë kanë realizuar figurat më të arrira në karrierat e tyre personale dhe në historinë e teatrit shqiptar.
Po të vazhdojmë më tej, do ishte shpërdorim kohe edhe për ty që po na lexon.