Kazani i sherrit

 

 

“Kazani i sherrit” po zien përditë mes PS-së dhe LSI-së. Por një valvul plasi publikisht dje paradite mes kreut të grupit parlamentar dhe nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili dhe ministrit të Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi.  Në të vërtetë, sherri ndërmjet PS-LSI ka filluar që pas zgjedhjeve vendore të këtij viti, ku sipas LSI-së, ishte PS-ja  ajo që e tradhtoi në disa bashki, të cilat ishin fituese për Ilir Metën. PS-ja bashkëpunoi fshehur me PD-në, ose në rastin më të mirë, nuk dolën në votime në ato bashki ku ishin kandidatë të LSI-së. Ka edhe prononcime nëpër dhëmbë, si të Viktor Tushës në Lezhë, që thotë se Mimi Kodheli ministre e Mbrojtjes kishte punuar e udhëzuar strukturat e PS-së lokale që të mos votonin kandidatin e LSI-së, ndonëse ishin me kandidatë të përbashkët si koalicion. Më pas, kazani e rriti temperaturën gjatë muajve korrik-gusht, e ku në fundshtator sa nuk plasi mes Edi Ramës e Ilir Metës. PS-ja sajoi çështjen “CEZ-DIA” dhe u hodhën në sulm me disa qarqe mediatike bazhibozuke, siç thotë Andi Bejtja, me synim eliminimin politik të LSI-së. Bile kishin nw plan edhe pak më keq se kaq.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjithsesi u hap një valvul shkarkimi duke e shfryrë paksa temperaturën dhe presionin në “kazanin e sherrit”. U kërkua nga Ilir Meta për të ndryshuar qeverinë dhe mënyrën e qeverisjes. Prapë Edi Rama nuk pranoi. Atëherë kreu i LSI-së i futi “kazanit” një minë me sahat siç është Ylli Manjani, që nëse shpërthen, e hedh në erë krejt qeverinë. Manjani mbetet “kamikaz i së drejtës” dhe duket se nuk do të vonojë kur të kundërshtojë ndonjë praktikë apo nismë ligjore të kryeministrit. Kjo do të jetë mina!

Swiss Digital Mobile Reklama

Por duke ardhur në momentin e djeshëm, Petrit Vasili është gjendur si grup parlamentar para një fakti të parakorduar mes PS-së e LSI-së, siç është çështja e shkrirjes së 12 qarqeve të Shqipërisë. Dihet se janë 12 qarqe në shkallë Republike dhe se janë institucione të krijuara me Kushtetutë. Por ministri Çuçi, natyrisht me lejen e kryeministrit, ka folur para komisionit parlamentar për projekt-buxhetin e vitit 2016 për pushtetin vendor se nuk do të jenë 12, por vetëm 4 qarqe. Kjo ka krijuar tension, sepse PS-ja dhe LSI-ja janë në bashkëqeverisje dhe duhet të bashkëvendoset një nismë e tillë, e cila sipas Vasilit të LSI-së, është antikushtetuese dhe pa vizion. Petrit Vasili tha se këto veprime të njëanshme të qeverisë sjellin pasoja negative.

“Ky është një qëndrim i pakonsultuar, kemi të bëjmë me një atrofizim të qarqeve. Për ne janë të papranueshme improvizimet jokushtetuese ndaj qarqeve. Duhet një qëndrim i pjekur dhe i konsultuar gjerësisht. Qëndrimi aktual është i nxituar dhe pa vizion dhe vendimet e njëanshme prodhojnë pasoja negative”,- tha nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Duket se LSI-ja dje është vendosur para faktit të kryer nga ana e Ministrisë së Pushtetit Vendor. Të shpërndash paratë në 4 qarqe në vend të 12, do të thotë që gjithë fondet të shkojnë në duart e kryebashkiakëve të Partisë Socialiste. Pasi bashkitë kryesore në rang vendi si Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan dhe që do të kenë rolin e qendër-qarqeve, drejtohen nga PS-ja. Ndarja e vendit në 4 rajone e bën edhe më kompleks procesin e investimeve dhe duke qenë se viti i ardhshëm është thelbësor për mandatin e kësaj mazhorance, pasi çdo forcë politike në koalicion do përpiqet të mbajë premtimet në njësitë vendore që drejtohen nga krybashkiakët e saj. Por çështja e buxhetit ka dhe një tjetër motiv që shtyn sherrin mes PS-së dhe LSI-së. Përveç ministrisë së Bujqësisë, ministritë e tjera si ajo e Transporteve kanë një ulje të buxhetit në krahasim me një vit më parë. Diçka e tillë nuk thuhet zyrtarisht, por duket se ka një tendencë të PS-së për ta përqendruar shumicën e buxhetit në duart e ministrive që drejtohen nga socialistët. Kjo logjikë vlen për partinë, por nuk vlen për koalicionin. Nëse shihen reagimet e LSI-së që nga prezantimi i buxhetit, duket se kritikat e saj janë më të ashprat dhe më direkte. Si fillim, disa deputetë të saj kritikuan vendosjen e akcizës për birrën, më pas u kritikua buxheti për arsimin, i cili vijon të jetë nën nivelin e premtuar gjatë fushatës elektorale. Me kritikat e djeshme të Vasilit për shkelje të Kushtetutës, duket se marrëdhëniet në koalicion po arrijnë sërish në pikën e vlimit. 

Fakti që ministri i Ramës dhe Petrit Vasili, i grupit parlamentar të Metës, nxorën ‘dorezat e boksit’, tregon se po përgatitet ndeshja finale Rama-Meta. Kur do të jetë ndeshja? Edhe këto Krishtlindje do t’i hanë nën një çati!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?