Këta janë të pamposhtur

Nga Frrok Çupi

Në këtë çast kur them se këta, d.m.th., këta të kupolës së shtetit janë "të pamposhtur", këtu mund të ndahemi në dy krahë të papajtueshëm.

I pari është ai krah që ka pritur rendin demokratik për të pasur mbi kokë sundimtarë të dobët e të thyeshëm; ndërsa krahu përballë është ai që sapo lexon titullin, e merr si një çmim dhe krenohet me qeverinë e zemrës. Ky thotë: "Po, këta janë vërtet të pamposhtur, hallall!".

Këtu është ndarë bota në dy pjesë, bota nën tirani dhe bota me fitimtarë të thyeshëm, d.m.th., bota me liri. Që në lashtësi, në periudhën e Perikliut, është ndarë bota.

Për ne shqiptarët, në shekullin 21, është e turpshme që mbajmë mbi krye kupolën e pushtetit të pamposhtshëm. Këta që kemi në kupolë, këta janë të pamposhtur; ja pra çfarë na ndanë tani nga bota e qytetëruar.

Këta nuk mposhten para ligjit:

Ministri i Punëve të Brendshme kapet duke transportuar drogë me makinën e tij. Makinën e shet për të humbur gjurmët. Mirëpo me guximin e pamposhtur të ministrit thotë se nuk e deklaron shitjen me qëllim që t'u fshihet ligjeve financiare të shtetit. Çfarë ndodhi pas kësaj? Ndodhi që ministri i pamposhtur fitoi, as ka dhënë llogari, as ka dhënë dorëheqje, as ka shkuar para gjykatës.

Këta nuk mposhtën para demokracisë:

Demokraci do të thotë që të kryhet një fushatë elektorale, të premtohet para popullit dhe fitimtari të mbajë premtimet. Këta bënë premtimet, por nuk mbajtën asnjë. Populli u trajtua si dele. As u hapën vende pune, as u mbajt shëndetësia falas, as u ul varfëria, as u rrit ndershmëria e qeverisë. Është rritur në kulm papunësia dhe varfëria; shqiptarët kanë marrë rrugët e migrimit njësoj si popujt e Lindjes së Mesme që ndodhen në luftë. Korrupsioni është ngjitur aty ku po ha bukën e gojës së njerëzve pa bukë… Këta që premtuan qëndrojnë të pamposhtur në sallën e Parlamentit dhe në zyrat e qeverisë

Këta nuk mposhtën para dy aleatëve:

Cilët janë dy aleatët? I pari është populli nga ky buron kupola qeverisëse. Aleati i dytë është Perëndimi. Perëndimi, përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim, ka konstatuar se kupola e shtetit është në krim, ka konstatuar se gjysma e Parlamentit është e mbushur me vrasës ose trafikantë njerëzish dhe droge; ka konstatuar se gjysma e parlamentarëve janë biznesmenë me ekonomi kriminale; ka konstatuar se numri dy i shtetit porosit vrasje dhe se kryeministri ka 200 milionë euro të vjela nga populli…. Por këta qëndrojnë pa u lëkundur aspak. Shumica kanë kërkuar më mirë të shporrin instrumentet e Perëndimit se sa të mposhten vetë.

Këta nuk mposhten para moralit politik:

Njerëzi në këtë vend kanë vuajtur nën një diktaturë komuniste të egër, më e egra në botën lindore komuniste. Gati gjysmë shekulli vuajtje, burgje, internime, izolim, kontroll dhe spiunim, dhunë, shfrytëzim, uri, skamje, vdekje të parakohshme…. gjithçka makabre. Kur rrëzuam diktaturën në fillim të viteve '90, shqiptarët, të gjithë të vuajtur, u betuan se kurrë nuk do të donin t'ia shihnin bojën Enver Hoxhës dhe shokëve të tij, asnjë simboli apo sjelljeje komuniste. Këta që kanë marrë pushtetin, para syve të të gjithëve po riparojnë simbolet e shembura, po ringrenë bunkerët dhe pastaj bustet, po rrethojnë dhe shuajnë opozitën antikomuniste, po mburrin Enver Hoxhën dhe po ia venë portretin në tribuna. Kryeministri përdor motamo sloganet, por edhe sjelljet arrogante të diktatorit. As në lashtësi nuk është shkelur kaq keq morali. Kur Herostrati, zjarrvënës i Athinës, i vuri flakën tempullit të Artemisës, mori këtë dënim: Kurrë të mos i përmendet emri Herostratit! Që atë ditë zjarrvënësi u harrua, askush nuk e përmendi më. Ndërsa këta guxojnë. Zjarrvënësin e epokës së diktaturës po e ngrenë në sy të popullit. Këta janë të pamposhtur.

Këta bëjnë gjithçka dhe nuk mposhten.

Ndoshta, si njëra pjesë e arsyetimit ashtu edhe pjesa tjetër, kanë një lidhje të ngushtë. Janë të pamposhtur sepse bëjnë gjithçka… Ose bëjnë gjithçka sepse ndjehen të pamposhtur.

Kultura e pushtetit të pamposhtur ka lindur herët dhe është zhvilluar në shoqëri e vende të prapambetura. Ose shoqëritë dhe vendet kanë mbetur të prapambetura sepse kanë pranuar dhe adoptuar kulturë të të pamposhturit. Shumëkush mund të jetë duke u krenuar në këtë moment pse qeveria e zemrës së tij po cilësohet e pamposhtur. Mua mund të më shtrëngojë dorën nesër…

Mirëpo, sa turp dhe sa mbrapa jemi.

Nuk ka pse të çuditemi po të themi të vërtetën se në këtë pikë jemi kthyer në periudhën e diktaturës komuniste. A nuk kishim udhëheqje të pamposhtur!? A nuk u ngritën këngë dhe lavdi!? Bota ka parë dhe ka vuajtur shumë nga të pamposhturit. Hannah Arendt, politologe dhe filozofe e rangut të vet, ka shkruar se "të vendosësh dhunën për të mbajtur pushtet, mund të korrësh fitore, por çmimi është i lartë, paguajnë jo vetëm të mundurit, paguajnë edhe fitimtarët".

A nuk e paguam kupolën e pamposhtur të komunizmit, "edhe bar hëngrëm, por parimet nuk i shitëm"! A nuk e paguam të gjithë me varfëri, me vuajtje, me dhunë, me izolim?! A nuk e paguan udhëheqësit e diktaturës me urrejtje dhe përçmim popullor derisa erdhën këta në pushtet? Por prapë nesër do ta paguajnë sepse të mundurit nuk e harrojnë mundimin.

E njëjta kulturë e të pamposhturit.

SHKARKO APP