Kina bën gati miliarda dollarë për Europën Lindore
Shefi i qeverisë kineze Li Keqiang do të zhvillojë një samit me 16 homologë nga Europa Lindore e Juglindore. Për shkak se ai sjell para për investime, shtetet rrinë në rradhë për projektin ‘Rruga e re e mëndafshit’.
Në të ashtuquajturin Samiti 16+1 të shefit të qeverisë kineze Li Keqiang me 16 homologë të tij nga Europa Lindore dhe Juglindore të gjithë presin investime të mëdha nga Pekini. Para takimit të nivelit të lartë Serbia do të inaugurojë urën mbi Danub, ndërtimi i së cilës është financuar nga Kina.
Si pjesë e strategjisë së re të Kinës, për tu angazhuar më shumë jashtë vendit dhe për të hapur tregje të reja, udhëheqja në Pekin ka bërë gati një kredi prej 10 miliardë dollarësh për rajonin. Europa Lindore mund të përfitojë. Sepse qëllimi afatgjatë i Kinës është të vendosë lidhje tokësore dhe detare me Europën. Prandaj në qendër të interesave janë portet, rrugët, hekurudhat, telekomunikacioni dhe centralet e energjisë.
Investimet në Ballkan
Një nga pikat e rëndësishme për Kinën është Serbia, ku deri tani janë investuar më shumë se dy miliardë euro. Gjatë Samitit do të diskutohet për një projekt tjetër të madh: modernizimin e lidhjes hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit. Kostoja është 1,5 miliardë euro.
Parlamenti i Malit të Zi së fundmi i ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të pjesës së parë të autostradës për në veri. Banka kineze Exim Bank ka gati një kredi rreth 690 milionë eurosh për këtë. Në Maqedoni firmat kineze janë duke ndërtuar që prej fillimit të vitit një autostradë mes Kërçovës dhe Ohrit, me një kosto prej 175 milionë euro. “Investimi më i madh në infrastrukturë në 50 vitet e fundit”, thotë shefi i qeverisë Nikola Gruevski.
Për të gjitha këto projekte përdoren para të marra me kredi në bankat kineze dhe punimet kryhen gjithashtu nga firma kineze. Kompanitë vendase mund të marrin një copëz të vogël vetëm si nënkontraktuese. Megjithatë paratë e ardhura nga Pekini janë të mirëpritura, sepse në pjesën më të madhe të këtyre vendeve ka vite që nuk investohet në infrastrukturë. Shumë shtete nuk janë të zhvilluar ekonomikisht dhe nuk mund t'i përballojnë me shpenzimet e tyre. Dhe paratë për shembull nga Banka Botërore, BE, apo SHBA, vijnë si me pikatore.
Diplomacia europiane e shqetësuar
Diplomatët europianë në Pekin e shohin me kritika këtë samit të Kinës. “Përçaj dhe sundo”, e përshkruan një diplomat i lartë planin e Kinës për të ndihmuar me kredi vendet e BE. Li Keqiang do të pritet në Beograd si “Perandori i Kinës”, thotë ai më tej. Dokumenti final i Samitit do të prezantohet nga Kina dhe pjesëmarrësit e tjerë nuk mund ta ndryshojnë. Në këtë mënyrë Pekini mund të largojë nga pozicionimi i tyre europian disa vende të vogla anëtare të BE dhe në këtë mënyrë BE të mund të ndahet, ankohet diplomati.