Kjo opozitë vetëm fjalë ka!
(Ky editorial shikohet më i plotë si video, ndaj kliko për ta shikuar)
Shkruar nga Jonida Halili-
Shqipëria ka një kryeministër me supër pushtet. Një pjesë të këtij pushteti Edi Rama e ka marrë falë meritës së tij personale si lider, por pjesën tjetër, jo të vogël, e ka zaptuar prej paaftësisë së opozitës shqiptare.
Opozita është në ditën e saj më të zezë, bile është kthyer në objekt batutash dhe talljesh në rrjetet sociale. Më kryesorja mbetet se vendi nuk ka garanci për një demokraci funksionale, pasi mazhoranca e PS ka marrë gjithçka nën kontroll. Ndërkohë qindra mijëra demokratë apo njerëz pa parti, të cilët duan ndryshimin apo një jetë më të mirë, nuk besojnë më tek asnjë prej partive të opozitës. Natyrisht që ata që mbeten militant, shkojnë dhe votojnë prapë emrat historikë, por nuk ka frymëzim opozitar që të ngrihet një popull në protestë deri në rrëzimin e qeverisë.
Berisha po bërtet se do të bëjë namin me protesta, por deri tani asgjë nuk po ndodh. Me sa duket demokratët janë zhgënjyer me premtime e fjalë boshe ndaj nuk vijnë të mbushin sheshet kundër Edi Ramës.
E pse duhet të vijnë në Tiranë demokratët kur e dijnë se pas mitingut do t’ju thonë se tani ikni në shtëpi se do të takohemi në shtator!!
Ilir Meta ka kohë që nuk ndjehet më, as me Berishën nuk duket se janë në muaj mjalti si përpara 14 majit. Diçka po ndodh mes tyre, por akoma nuk dihet se çfarë ka ndodhur saktësisht.
Nga ana tjetër, po brenda opozitës, Lulzim Basha i ka hyrë garës për të rimarrë drejtimin e partisë demokratike zyrtare, e asaj parti që njohin gjykatat dhe ndërkombëtarët.
Ndaj kaosi në opozitë vetëm sa rritet, duke e bërë që pushteti të rrijë gjatë dhe demokratët të kërkojnë për një parti apo lëvizje të re opozitare.
Më këto emra që ka opozita sot në drejtim, Edi Rama ikën vetëm kur të dojë vetë ai.
Shqipëria kërkon frymëzim opozitar ku njerëzit të motivohen për ndryshim.
Por me këtë opozitë, nuk ka shpresë!