“Klubi i milionerëve”, plas lufta Fevziu-Braçe
Prej tre ditësh, gazetari i njohur Blendi Fevziu dhe deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe janë përfshirë në një polemikë të ashpër. Një debat që nisi mbi parime morale për aksionin e opozitës dhe anti-korrupsionin, por që është kthyer në replikë me tone të egra dhe shpeshherë fyerje të ndërsjella. Diskutimi ka arritur në pikën që dy personazhet e njohura po tregojnë xhepat, pasuritë dhe nuk kanë lënë pa përmendur dyshime për përfshirjen e secilit në korrupsion, apo grupe mediatike që funksionojnë si zgjatime të biznesit dhe politikës.
Ndër të tjera Braçe, akuzon Fevziun, për përfitim në ndërtimin e një pallati në qendër të Tiranës, mu përpara ish-selisë së PD-së afër Parlamentit. Në këtë duel që duket se do të vijojë, gazetari Blendi Fevziu ka thirrur në ndihmë edhe Kryeministrin Edi Rama. Me anë të një letre publike ai u përgjigjet akuzave të Braçes duke kërkuar prononcimin e Ramës, nëse ky i fundit i ka bërë apo jo favore Fevziut dhe 373 pronarëve të tjerë në ndërtimin pallatit në Tiranë. Dje Braçe, në një reagim të gjatë në Facebook i kujtonte Fevziut se për debatin mes tyre bën mirë t’i drejtohet atij dhe jo Partisë Socialiste.
Por si nisi sherri mes gazetarit dhe ish-gazetarit? Në një shkrim në “Opinion.al” Blendi Fevziu komentonte si një zhvillim të ri në politikë nismën e PD-së për “arrestimin e zyrtarëve të korruptuar nga qytetarët pas 1 janarit”. Këto qëndrime të gazetarit kanë sjellë reagimin e deputetit Braçe. Në një koment në rrjetin social Facebook, Braçe hiqte një vijë paralele mes Fevziut dhe Lulzim Bashës. “Dy njerëz, plotësues të njëri-tjetrit në vanitet, kotësi, zbrazëti, padituri, përfitime, pasuri dhe në atë që quhet "milioni i parë", kanë mbështetur njëri- tjetrin në idenë e përbashkët të "arrestimit në rrugë të të korruptuarve”,- shkruan Braçe. Në komentin e tij deputeti shkon edhe më tej, kur thotë se, lufta kundër korrupsionit duhet të nisë me sekuestrimin e pasurive. Por jo vetëm pasurive të politikanëve, por edhe të atyre që sipas tij, bëjnë pjesë te korrupsioni mediatik, që ashtu si politikanët nuk pranojnë të tregojnë sesi e kanë bërë milionin e parë.“Klubi i 1 milion eurove të para, ka të bëjë me gjithkënd, biznesmenë, politikanë, gazetarë të pasur, që për 1 milion eurot e para, nuk duhet të pyeten”,- thotë Braçe.
E kur flet për korrupsion mediatik, Braçe duket se ka parasysh dhe gazetarin e njohur të emisionit “Opinion”. “Te gazetari i pasur, ne, u dashka të shohim njeriun që ka bërë sukses dhe, jo shërbëtorin e politikanit të korruptuar i lidhur pafundësisht me të, për të marrë prona që s’i ka pasur kurrë e për të marrë jashtë radhe atë që të tjerët s’e marrin dot, për të marrë një njollë që kurrkush tjetër s’e merr në një plan ndërtimesh dërguar mu mbi pronën e tij, pastaj një leje që vlen shumë milionë në treg, edhe që s’e meriton, edhe jashtë radhe, kur mundet sipas njollës së marrë më herët në të njëjtën mënyrë; për t’u favorizuar në tendera publikë”,- shkruan Braçe.
Këtyre akuzave të deputetit për favore mes medies dhe politikës, Fevziu u është përgjigjur në një tjetër shkrim. Në fakt është një letër e hapur me të cilën Blendi Fevziu nuk merret direkt me Braçen, por i kërkon Ramës të sqarojë çështjen e pronave dhe lejes së ndërtimit për një pallat në qendër të Tiranës, ku ai është bashkëpronar trualli.
“Një nga deputetët e tu, bën aluzione për një pronë të madhe, në qendër të Tiranës, ku ime ëmë, ishte pronare e thuajse 1.8 % të sipërfaqes. Meqenëse ajo ka firmosur një kontratë sipërmarrje në vitin 1999 me 374 bashkëpronarë të tjerë, zotëria lë të kuptohet se aty janë bërë favore të pamerituara. Po, aty i është dhënë një grupi biznesmenësh leja për të ndërtuar një qendër tregtare. Lejen e keni firmosur Ju në vitin 2008 dhe pas jush i ndjeri Olldashi në 2009-n. Nuk kam pasur asnjë komunikim me Ju në atë kohë dhe jeni përpara sfidës. Nëse Ju (Edi Rama) keni dhënë leje të parregullt dhe keni favorizuar 373 pronarë që t’ju bëje nder të 374, atëherë, Ju keni shkelur ligjin. Unë nuk mbaj mend t’i kem dhënë ndonjëherë lekë dikujt në jetën time sepse s’më është dashur”,-shkruan Fevziu lidhur me akuzën për lejen e ndërtimit.
Por ndërsa sqaron opinionin dhe kërkon përgjigje nga Rama, në letër nuk mungojnë dhe fyerjet ndaj deputetit Braçe. “Nëse Ju (Edi Rama) keni marrë lekë për atë firmë, atëherë Ju jeni hajdut! Nëse jo, nëse gjithçka ka qenë e rregullt dhe brenda logjikave normale se si është ndërtuar gjithë Tirana, atëherë konet (nënkupto:Braçe) e grupit tënd politik gënjejnë dhe mashtrojnë. Jepini përgjigje kësaj sfide po qe se ke kurajë qytetare”.
Nuk ka vonuar dhe paraditen e djeshme është përgjigjur sërish Braçe. Mes rreshtave të reagimit nuk mungojnë dhe fyerjet dhe përgjigjet për ato që Fevziu i cilësonte “kone të partisë”. Lidhur me ndërtimin e pallatit, ku një nga pronarët është dhe Fevziu, deputeti Braçe thotë se, Rama nuk ka pasur në dorë asnjë firmë, por leja është dhënë nga Berisha. Sipas tij, kjo leje u mor me favoret që Fevziu i bënë qeverisë “Berisha” në emision.
Duket se ky është vetëm fillimi pasi deputeti Braçe nuk e ka zakon të tërhiqet. Ai po bën gati një dosje për në Prokurori me kthimin e pronave në këtë rast. Por nuk dihet se sa është i përfshirë Kryeministri Rama në këtë rast.
Lexoni shkrimin e Blendi Fevziut: Kush nga ne vjedh?
Replika e deputetit Erjon Braçe: Fol me mua, jo me partinë!