Koço Kokëdhima: PS-ja pa LSI e Ilir Metës shkon në humbje katastrofale
Koço Kokëdhima ka folur dje në një intervistë duke sqaruar se PS-ja po shkon në hunnerë dhe në katastrofë me këtë lidership që ka sot dhe sidomos prej Edi Ramës, i cili nuk pyet për asnjëri në selinë rozë, as për socialistët e thjeshtë, por vetëm për karrikën e tij. Ndër të tjera ish-deputeti i PS-së, tha se në këto kushte kur opozita është në çadër dhe krejt jeta politike ka hyrë në krizë, duhet që Edi Rama të pranojë dialogun me opozitën dhe gjetjen e zgjidhjes për të shkuar me opozitën në zgjedhje. Pa opozitën dhe me disa partiza të vogla të blera nuk mund të shkohet në zgjedhje, pasi del si koha e Ramiz Alisë në vitin 1991, por që u shkërmoq në vitin 1992.
Gjithashtu Kokëdhima sqaroi edhe krushqinë e tij mes PS dhe LSI për koalicionin e 1 prillit 2013, duke theksuar se as atëhere Edi Rama nuk donte të firmoste koalicion me LSI,sepse e gënjënin disa këshilltar të huaj se gjoja PS fitonte vetëm 71 mandate deputeti. Sikurse, shtoi ai, që Edi Rama kurrë nuk ka qenë i sinqertë me Ilir Metën edhe kur Meta e ka ndihmuar atë në momente të vështira. Po kështu gjatë qeverisjes katër vjeçare PS dhe kryeministri nuk kanë qenë korrekt dhe janë përpjekur ta presin në besë LSI, në mënyrë që të merrnin për vete krejt elektoratin e majtë.
Koço Kokëdhima insiston se e majta duhet të jetë bashkë, paçka PS-ja ka treguar se manifeston pabesi, por nuk ka udhë tjetër për të drejtuar Shqipërinë e majta, ndonëse duhet spastruar rilindja nga PS. Ish-deputeti kërkoi që anëtarët e PS-së të zbojnë besëshkelurit rilindas si dhe i mëshon faktit se duhet një kongres i jashtëzakonshëm i PS-së këtë muaj për të sqaruar se si duhet të bëjmë një PS të socialistëve dhe jo të kriminelëve.
Ardhja e PDIU nga e djathta në të majtën, u soll vetëm nga Edi Rama si presion ndaj LSI.
Në fund Koço Kokëdhima thekson se pa opozitën nuk ka e nuk mund të ketë zgjedhje. Ndryshe shkojmë në destabilitet të tmerrshëm.