Kokëdhima: Të rrahim deputetët që votojnë!

-Lideri i “Zgjidhjes” deklaron se do bëjmë protesta, rrethim të dhunshëm të Kryeministrisë, Parlamentit dhe sulme fizike ndaj deputetëve që votojë “pro”.

Formalisht Partia Socialiste është tërhequr nga projektligji ekzistues për importin e plehrave në Shqipëri. Pavarësisht këtij qëndrimi, projekti ndodhet ende në zyrat e Kuvendit dhe nëse respektohet procedura ligjore, në muajin tetor 74 deputetët e PS-së mund të votojnë miratimin e tij. PS dikur e rrëzoi këtë ligj, ndërsa tani e mbron me forcë miratimin e tij. Ndaj nuk është çudi që vendimi i fundit të jetë vetëm një lëvizje taktike për të kaluar pa zhurmë projektin e shumëdiskutueshëm. Partia Demokratike e kundërshton qeverinë “Rama” për këtë projekt. Dje deputetë të PD-së deklaruan se për një ligj të tillë duhet referendum popullor, ku qytetarët të thonë fjalën e tyre. Këtë ide e ka propozuar Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila është e vetmja parti që e ka ndaluar realisht miratimin importit të plehrave në Kuvend, pasi PD dhe PS kanë ndryshuar shpesh herë qëndrimet.

Tërheqja e PS-së nga ligjet nuk do të thotë mosmiratim, por ndryshim i disa neneve dhe kalim në Kuvend në një kohë më të favorshme, pasi opozita PD-LSI deklaroi se do të organizonte protesta të mëdha. Shumica e sondazheve tregojnë se mbi 75 për qind e qytetarëve janë kundër këtij projekti. Kreu i lëvizjes “Zgjidhja, ish-deputeti dhe ish-miku i kryeministrit Edi Rama e ka cilësuar dje vendimin e PS si një taktikë djallëzore. Në një reagim për mediat, Kokëdhima u bëri thirrje qytetarëve që të përgatiten për luftë me qeverinë, pasi Edi Rama do t’a miratojë në Kuvend ligjin e mbetjeve. “Qeveria nuk ndahet nga plehrat. “Tërheqja” është taktikë djallëzore. Rilindja po na vret! Të përgatitemi për luftë!”. Kjo ishte thirrja e tij luftarake e cila duket se ka gjasa të realizohet në një përplasje të madhe para kryeministrisë ose parlamentit ditën që do votohet.

Kreu i Lëvizjes “Zgjidhja” e quan qëndrimin e PS si një manovër për të kaluar ligjin në një moment të mëvonshëm. “Ne jemi të bindur se Rilindja po bën një tërheqje taktike e të pasinqertë vetëm për të vënë në gjumë opinionin publik dhe për të fituar kohë. Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Rilindja do përpiqet sërish të gjejë ndonjë shteg për importin e plehrave”,- thuhet në njoftimin për media të shpërndarë nga Partia e Kokëdhimës mbrëmjen e djeshme. Kokëdhima flet për mafien e plehrave dhe për interesa korruptive të mazhorancës së sotme me biznesin e mbetjeve.

Ish-deputeti socialist, sot drejtuesi i lëvizjes së majtë “Zgjidhja”, është një nga politikanët që ka qëndruar më afër Kryeministrit Edi Rama. Miqësia e tyre është e njohur dhe prej shumë kohësh Kokëdhima ishte dhe këshilltari kryesor i Ramës. Edhe pse sot janë armiq, pasi Rama e përjashtoi nga PS dhe i hoqi mandatin në Gjykatën Kushtetuese, kur Kokëdhima deklaron tani se Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet, ka shumë mundësi që të ndodhë kështu. Rama dhe Kokëdhima e njohin shumë mirë njeri tjetrin nga afër. Për këtë qëllim, Kokëdhima u ka bërë thirrje qytetarëve të bëhen gati për protesta masive kundër qeverisë “Rama” dhe Partisë Socialiste.

Partia e Kokëdhimës është më radikalja në qëndrimin për ligjin e mbetjeve. Akuzat e bëra ditët e fundit flasin për mafie që po ndërhyn në vendimet e qeverisë. Ndaj protestat, nëse ligji kalon, pritet të drejtohen edhe nga drejtuesi i “Zgjidhja”. Koço Kokëdhima ka deklaruar jo pak herë se fundi politik i Edi Ramnës do të vijë si pasojë e vendime të gabuara dhe keqqeverisjes. Për “Zgjidhjen”, ligji i mbetjeve, është rasti kur në sheshe do të shpërtheje pakënaqësia e qytetarëve ndaj Ramës. Vetë drejtuesi i partisë Kokëdhima do të jetë në krye të protestave dhe luftës kundër mazhorancës së re. Protestat do të kulmojnë me bllokimin e rrugëve, rrethimin e kryeministrisë nga qytetarët si dhe linçimin fizik të deputetëve që do të mbrojnë miratimin e ligjit.

Kërkesave radikale të Kokëdhimës për mitingje të dhunshme ndaj deputetëve që e votojnë ligjin e plehrave, burime nga stafi i kryeministrit i cili ndodhet në Neë York në asamblenë e OKB thanë prerë se Kokëdhima mund të arrestohet nëse synon destabilitet. Nuk është koha kur Kokëdhima merrte tokat e ish-frigoriferit në Durrës me privatizime qesharake sa një frigorifer shtëpie!- thanë të njëjtat burime nga SHBA pranë Ramës.

Nëse ligji kalon PD-LSI dhe partitë politike të opozitës dhe dhjetra shoqata civile do bëjne thirrje për bllokimin e jetës politike e publike në Tiranë me protesta të dhunshme. Mësohet se Kokëdhima do jetë në ballë të tyre, edhe duke u vetsakrifikuar personalisht në emër të ruajtjes së jetës së shqiptarëve nga ardhja e plehrave kanceroze.

S.P.

SHKARKO APP