Kreu i Lëvizjes Politike,Kokëdhima: Zgjidhja ime, zgjidhje edhe për Bashën
Edhe pse është pjesë e Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima nuk ka komplekse ta ftojë që të bëhet pjesë e lëvizjes së tij politike kundërshtarin më të madh të PS, Lulëzim Bashën. Fjala është për procedurën e zgjedhjes së kandidatëve për deputetë, ku Koço Kokëdhima sheh shumë gjëra të përbashkëta mes ideve të lëvizjes së tij të quajtur “Zgjidhja” dhe nismës së kreu të PD-së, Lulëzim Basha.
Në cilësinë e drejtuesit të Lëvizjes për reformimin e PS-së, Kokëdhima kërkon nga kreu i PD-së, që idenë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit ta mbështesë në Kuvend. Synimi është që procedura e përzgjedhjes së kandidatëve të mos jetë më e drejtë e kryetarëve të Partisë.
Kryedemokrati Basha prej disa javësh ka nisur aplikimin e përzgjedhjes së kandidatëve. PD ka vendosur në dispozicion aplikimin online, ku çdo qytetarë mund të dërgojë në PD emrin e kandidatit që mendon se e përfaqëson më mirë zonën e tij. PD pranon mendimin e gjithë qytetarëve dhe jo vetëm të atyre që janë anëtarë të Partisë Demokratike. Synimi është që veç strukturave të selisë blu, aktive në propozime të jenë dhe qytetarët e paangazhuar politikisht, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Edhe pse kjo ide e Bashës ka të metat e saj, në parim është një risi për Partinë Demokratike. Madje e çon PD-në edhe një hap para Partisë Socialiste, e cila dikur ka qenë më e hapur ndaj mendimit të anëtarësisë për çështjet e emrave që përzgjidhen në gara elektorale.
Në të njëjtën linjë me Bashën është dhe ideja e propozuar nga Koço Kokëdhima. Ish-deputeti socialist ka vendosur në prioritetet e lëvizjes së tij brenda PS-së ndryshimin e procedurës së zgjedhjes së kandidatëve. Synimi është që t’i hiqet pushteti absolut kreut të partisë për të vendosur emrat e kandidatëve. Kokëdhima propozon një model amerikan të zgjedhjes së kandidatëve, ku fillimisht të merren emrat nga baza e partisë në bazë qarku dhe më pas të ketë garë mes vetë kandidatëve. Fituesit e garës çertifikohen në fund nga partia dhe shkojnë në komisionin qendror të zgjedhjeve.
Në thelb të dyja idetë, ajo e PD dhe Koço Kokëdhimës, janë një risi në politikën shqiptare. Historikisht emrat e kandidatëve për deputetë kanë qenë ekskluzivitet i kryetarëve dhe një grupi të vogël njerëzish në parti. Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor në vitin 2008, kjo e drejtë i kaloi 100 përqind kryetarit, si njeriu që vë firmën në fund të listës që dërgohet në KQZ. Ish-deputeti Kokëdhima kërkon që çështja e shprehjes së mendimit të qytetareve të mos mbetet vetëm në letër. Kjo pasi qytetarët në Tropojë apo Sarandë mund të dërgojnë emra shumë të mirë kandidatësh, por në fund është kryetari ai që vendos, pasi zgjedhja e anëtarësisë nuk është detyruese, por vetëm një propozim dhe dëshirë. Ky ndryshim i emrave, rrugës nga kryetari deri te KQZ, rrezikon ta kthej procesin në një fasadë dhe aksion vetëm populist, sepse në thelb asgjë nuk ndryshon. Nëse nuk zbatohet seriozisht mund të përfundoj si votimi me parimin “një anëtar një votë” tek disa parti, ku kryetari në detyrë fiton gjithmonë me 99 për qind të votave.
Pra që ky proces të mos kthehet në qesharak duhet këto ide të kthehen në ligje për funksionimin e partive dhe të jenë pjesë e Kodit Elektoral. Kokëdhima nuk ka më as mandat deputeti dhe as mbështetje në grupin parlamentar të PS-së që këtë nismë ta çoj për votim në Kuvend. Duke qenë se PD-ja e ka marrë seriozisht pjesën e zgjedhjes së kandidatëve nga anëtarësia dhe qytetarët, do të ishte me serioze që të propozonte ndryshimin e Kodit Elektoral duke e vendosur si kusht për të gjitha partitë. Momenti i duhur është tani, derisa ende nuk ka përfunduar arnimi i radhës i Kodit Zgjedhor.
Është nga ato nisma që nuk ka rëndësi nëse e propozon Kokëdhima, Basha, Rama apo çdo deputetë tjetër. E rëndësishme është që deputetët të mos emërohen nga kryetari në bazë të interesave politike të ditës, por të zgjidhen nga vetë qytetarët. Nëse aplikohet një procedurë e tillë transparente, efekti i listave të mbyllura që përdoret sot nga partitë nuk do jetë kaq mbytës për politikanët e aftë. Pra nuk do zgjidhen servilë, kriminelë dhe biznesmenë që paguajnë te partia, por kandidatë që dëshiron populli.
Kokëdhima ka të drejtë. Lulzim Basha duhet të bashkohet me armikun e Berishës.