“Kolibja ERTV” sfidon televizionet e kullave
Media në Shqipëri ka kohë që ka devijuar nga funksioni si pushtet i katërt në një shoqëri demokratike. Mjafton të shikosh lajmet e tyre dhe krijon mënjëherë bindjen se kronikat janë jo në interes të publikut. Një lajm kur don iks pronar televizioni për ndonjë interes me ndonjë ministër, e transmeton 5-8 minuta, aqsa edhe vetë pronarit të televizionit i pështiroset “lajmi”, por ia do interesi për ministrin apo Kryeministrin. Nuk mund të themi se nuk ka drejtues apo gazetar profesionistë në këto televizione, por autocensura prej pronarëve të tyre, i bën të bëjnë lajme tërkuzë. I bëjnë kaq të gjata lajmet, bile kur servilosen, mërzitet edhe vetë ai që i bëhet shërbimi meditiak. Në pjesën dërmuese lajmet e tyre janë kopjuar nga ato që transmeton ERTV e Edi Ramës gjatë ditës, bile edhe kur janë parë e stërparë në facebook nga publiku që merr vesh nga portalet dhe facebook-u, prapë pronarët e këtyre televizionëve gjobaxhinjë e servilëlëpirës, japin “lajm” 5-7 minuta, pikërisht edhe në lajmet kryesore, ku çdo sekondë duhet të jetë i vlefshëm.
Ndonëse kemi pikëpyetjet dhe dyshime tona për ERTV e Edi Ramës, nëse duhet apo nuk duhet ky televizion online të jetë pronë e kryeministrit, aqsa ai qeveris vendin, përsëri ERTV u dha një mësim profesional televizionëve. Këtë të dielë që shkoi televizioni i Edi Ramës , ERTV, futi për herë të parë edhe emision lajmesh. Si fillim sqaruan se do jetë i përjavshëm, por duket se shpejt do të marrë vrull si i përditshëm. Nuk duam të futemi të planet e ERTV dhe të Kryeministrit. Duam të themi se si mundet një televizion online, pa eksperiencë, sfidoi që herën e parë televizionet e mëdha, të cilët shfrytëzojnë frekuencat publike, si dhe marrin dhjetra milionë reklama, pa harruar lejet e kullave, fshatrave turistikë, leje ndërtimi e përfitime të tjera masive. Mënyra e të bërit lajm apo dhënies së lajmit ishte krejt perendimore në ERTV.
“Dita që një lajm “televiziv” të mos jetë më shumë se 1 minutë, dita kur sinkronet të mos jenë më shumë se 10-15 sekonda, dita kur lajme të jepet me “infografik”, dita kur pastrimi plazhit të jepet me 20 sekonda, dita kur pamjet e folësit të jepen “të mbuluara” me pamje që i shkojnë logjikës së fjalës, dita kur fjalitë janë të shkurtra dhe me rendin KKK (Kryefjalë, kallëzues, kundrinor) dita kur kryeministrin e sheh në një buletin lajmesh (me zë dhe figurë) jo më shumë se 30 sekonda, dita kur në 8 minuta jep 11 “lajme” më në fund erdhi. Ky është lajm i mire”- shkruan Lutfi Dervishi për ERTV.
Tani lind një pyetje tjetër: Edi Rama a do të jap në ERTV lajme edhe për opozitën? A do jenë në mënyrë sinkrone të barabartë, opozita dhe mazhoranca? A do të ketë lajme çdo javë apo ditë për ditë në ERTV? Edhe një pyetje tjetër: Me çfarë stafi e mban ERTV, kryeministri? Me çfarë pagash janë gazetarët në ERTV. Këto pyetje duan përgjigje zoti Kryeministër. Nëse në sensin e profesionalizmit, pra të bërjes dhe dhënies së lajmit, ERTV-ja dërmoi krejt televizionet e kullave, Edi Rama duhet të përgjigjet për këto që sapo kërkuam më sipër: Me ç’para e bën ai këtë televizion online, i cili me sa kuptohet do jetë televizioni sfidant i televizionëve tradicionale?
Gjithsesi ERTV u dha të dielën një leksion gazetarie gjithë mediave stërmëdha e servile. E verteta duhet pranuar, edhe kur nuk na pëlqen.