Kolonja,testi elektoral 2017
Kolonja do të zhvillojë të dielën (nesër) zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë. Zgjedhjet e parakohshme zhvillohen pas ndarjes nga jeta të kryebashkiakut Arben Malo, i zgjedhur në vitin 2015 si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gara zhvillohet mes kandidatit të Partisë Socialiste, mjekut Ilia Stefo dhe kandidatit opozitar të Partisë Agrare Ambjentaliste, biznesmenit Dritan Hajro. Rreth 16 mijë votues të Kolonjës do të vendosin të dielën se kush do të jetë administratori i ardhshëm i pushtetit vendor.
Në hartën territoriale me 61 bashki, Kolonja nuk rezulton ndër qendrat e rëndësishme ekonomike. Gjithashtu, numri i banorëve është mjaft i vogël në krahasim me bashkitë e tjera të vendit. Pavarësisht këtyre elementëve zgjedhjet e Bashkisë së Kolonjës kanë rëndësi të veçantë nga pikëpamja politike.
Zgjedhjet zhvillohen rreth 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2017. Në mënyrë indirekte fitorja ose humbja e tyre do të përçojë një mesazh dhe për fushatën e ardhshme të zgjedhjeve parlamentare. Nëse e majta do të fitojë me kandidatin e saj rezultati do të jetë një sinjal dhe për qershorin e vitit 2017. Ndonëse prapë nuk do jetë ndonjë surprizë pasi e majtë ka qenë kjo zonë. Nga ana tjetër, nëse opozita do të marrë Bashkinë e Kolonjës, kjo fitore do të shërbejë dhe si një karikim i strukturave opozitare për përballjen e ardhshme. Në këtë rast ka surprizë dhe tregues elektoral.
Fitorja, këtë herë, i duhet më shumë se kurrë opozitës. Pas dështimit me zgjedhjet në Dibër, ku PD-ja u investua si asnjëherë më parë në një fushatë elektorale, Kolonja është testi i besueshmërisë se opozitës. Dështimet e njëpasnjëshme elektorale të opozitës në zgjedhjet e fundit e kanë bërë të domosdoshme arritjen e një fitoreje nga e djathta. Megjithatë, strategjia që ka ndjekur PD-ja për këtë bashki është ndryshe nga ato të mëparshmet. Ndryshe nga Dibra, kreu i PD-së, Lulzim Basha zgjodhi që Kolonjën ta lërë zonë të lirë për partinë PAA të drejtuar nga deputeti Agron Duka. Zgjuarsi mbetet, kjo e Bashës. Arsyeja e kësaj zgjedhje më shumë se zemërgjerësinë e PD-së për aleatët ka të bëjë me me arsye të mirëfillta elektorale. Për shkak se kjo zonë njihet për elektoratin e saj të majtë, Basha zgjodhi që fushatën ta drejtoj një ish-ministër socialist si Agron Duka. Gjithashtu, edhe kandidati i caktuar nga PAA është një njeri që më parë është njohur për afërsinë e tij më të majtën. Në këtë mënyrë, kreu i PD-së ka zgjedhur që në një zonë të majtë të futet në garë me një parti dhe kandidat që janë më afër bindjeve të zgjedhësve të kësaj zone.
Ndërsa PS-ja në zgjedhjet lokale ka caktuar kandidatura që janë më afër komunitetit. Ashtu si dhe në Dibër kandidati i PS-së është në profesion mjek dhe në këtë mënyrë shpresohet që të merren votat në bazë të simpative që ka komuniteti për një figurë të caktuar. Njëlloj si në rastin e Dibrës, edhe në Kolonjë LSI-ja nuk është angazhuar direkt në përzgjedhjen e kandidaturave, duke lënë një garë të hapur mes PS dhe opozitës. Pra duket se është një përballje PS-PD.
Pavarësisht disa incidenteve të parëndësishme fushata e Kolonjës ka ndryshime thelbësore nga ajo e Dibrës. Në Dibër thuajse gjithë shteti dhe administrata u akuzua nga PD-ja për blerje të votës. Çdo ditë të fushatës nuk munguan denoncime për drejtorë institucionesh që bënin presion mbi punonjësit. Ndërkohë që akuza më e rëndë ishte ajo e blerjes së votës më paratë e hashashit. Në Kolonjë ka një pamje tjetër të përballjes politike. Deri më tani gara ka qenë e qetë, duke sjellë një frymë normaliteti në zgjedhjet shqiptare. Për këtë meritë kanë kandidatët, por edhe partia sfiduese në këto zgjedhje PAA që ka zhvilluar një fushatë jo agresive. Agron Duka është një personalitet i besueshëm dhe korrekt.
E diela do të tregoj se cilin kandidat do të zgjedhin kolonjarët, por edhe si sinjal që nga do të anojë vota në vitin 2017. Siç e thamë nëse fiton e djathta mu në zemër të së majtës në Kolonjë atëhere kemi të bëjmë me një kthesë të fortë të elektoratit.
Mbetet të presim të dielën në darkë, ndonëse duhet pranuar se fushata në Kolonjë, deri sot, shumë korrekte dhe e kulturuar. Kështu duhen zgjedhjet, gjithnjë nëse nuk e prishin këtë të dielën në darkë!