Kombëtarja dhe tifozët,leksion politikës

 Ajo që të gjithë shpresonin, por pak e besonin se do të ndodhte, të dielën në mbrëmje u bë realitet. Kombëtarja shqiptare arriti të marrë një fitore historike përballë Rumanisë. U bë lajm, u bë kronikë, u bë flamur kjo Kombëtare për Shqipërinë.

Por veç elementëve të lojës në fushë kombëtarja dje ishte më shumë se një skuadër futbolli. Suksesi i saj nuk është vetëm disa pikë më tepër në renditjen e UEFA-s. Është krenari kombëtare dhe një ekip që bashkoi një komb, duke bërë atë që askush nuk e ka bërë deri më sot. Ekipi dhe trajneri i tyre treguan se mund të bëjnë mrekullinë. Një skuadër deri dje modeste por tashmë renditet në krah të ekipeve më të mëdha botërore është një sukses që pak ekipe të tjera e kanë arritur. Nuk kishin financat e Italisë, Francë, etj, e megjithatë treguan se edhe më pak para mund të shkëlqesh në klubin e lojtarëve më të mirë në botë. Së fundi, kishim kundër edhe fatin në ndeshjet e para, ku edhe pse bëmë lojën nuk arritëm rezultat pozitive. Vendosmëria e lojtarëve dhe trajnerit treguan se kur gjërat bëhen me zemër dhe me vullnet mund të sfidojmë edhe fatin. Ndeshja me Rumaninë ishte prova më e mirë, prej 68 vjetësh nuk njihnim asnjë fitore me këtë skuadër. I mundëm në betejën më të rëndësishme për ne, duke thyer dhe mitin e tersit që na ndjek me skuadrat e mëdha.

Për të gjitha këto, fitorja e djemve të kombëtares dhe Xhani De Biasit është një leksion për shoqërinë shqiptare dhe veçmas për politikën. Është një model nga ku mund të bazohet çdo kush që thotë gjithë ditën se ky vend nuk bëhet. De Biasi dhe ekipi kuq e zi është dëshmia se nëse ka pasion dhe zemër ky vend bëhet që çke me të. E mori ekipin gati një skuadër pa identitet në futboll dhe sot i referohen trajnerët dhe mediat ndërkombëtare më në zë.

Ndeshjet dhe tifozët që ndoqën ato janë një leksion edhe për politikanët që shpesh thonë “këtë popull kemi dhe kështu  e meritojnë të qeverisen”. Në tre ndeshjet në Francë shqiptarët treguan se për nga kultura dhe sjellja nuk janë më poshtë as asnjë vend tjetër i BE-së. Madje, më shumë se kaq, u bëmë pikë referimi edhe për vende si Anglia që u tregonte tifozëve të saj: “Silluni si shqiptarët”. Mijëra tifozë që mbushën stadiumet në Francë dhe sheshet në Shqipëri e gjetkë janë dëshmia se ky vend ka qytetarë europianë, por politika është ajo që i ka lënë larg Europës.

Këto ditë ata që kanë qenë më shumë aktiv në rrjetet sociale për suksesin e kombëtares kanë qenë politikanët. Në fakt, janë ata që në këtë histori nuk kanë asnjë meritë dhe vetëm kërkojnë të marrin pak sukses nga mrekullia e kombëtares. E vetmja gjë që mund të bëjnë sot mazhoranca, opozita, etj është të mësojnë nga kombëtarja. Sepse që gjërat të kenë sukses duhet shpirti i sakfrificës, vetmohimi, puna në kolektiv. Një pjesë e lojtarëve që janë pjesë e ekipit kanë lënë kombëtare të tjera shumë herë më të mira dhe zgjodhën të veshin fanellën kuqezi duke hequr dorë nga një karrierë që u siguronte milionat diku tjetër. Ndërsa këtu politikanët janë gati të djegin vendin për të mos hequr dorë nga milionat.

Së fundi kombëtarja dëshmoi se kur individualitet shqiptare bashkohen dhe veprojnë si një ekip nuk ka gjë që ti ndalë dhe arrijnë çdo sukses. Lojtarët e bënë të tyren, kaq mund të bëjë sporti në një shoqëri. Tashmë duhet që shoqëria dhe politika të ndjekë modelin e tyre.

 

 

SHKARKO APP