Koment: Kaosi në BE vazhdon
Për shkak të problemit aktual të refugjatëve Bashkimi Evropian kërcënohet nga kriza më e madhe që nga themelimi i saj. Zgjidhja nuk është e dukshme as pas samitit të jashtëzakonshëm, mendon Robert Schwartz.
"Edhe një fitore e tillë dhe ne jemi të humbur", mund të ketë menduar ndonjë politikan evropian pas votimit të ministrave të brendshëm të BE për kuotat e refugjatëve sipas parimit të shumicës. Pazarllëku i vazhdueshëm në lidhje me marrjen e njerëzve të dëshpëruar, të cilët janë të detyruar t'ia kthejnë shpinën atdheut të tyre për shkak të luftës dhe mjerimit, është i turpshëm. Shifrat e negociuara janë kapërcyer prej kohësh, vetëm në Gjermani priten pesë herë më shumë refugjatë deri në fund të vitit. Përmes arritjes së marrëveshjes gjatë mosmarrëveshjeve ideja e lartë evropiane ka pësuar një dëmtim, pasojat e të cilit askush nuk mund të parashikohen.
Nuk është hera e parë në historinë e BE-së, që interesat kombëtare të llojeve të ndryshme dalin përtej solidaritetit të nevojshëm të komunitetit evropian. Britania, Franca dhe Gjermania kanë dhënë në të kaluarën shembull.
Kuarteti i të "këqinjve" në Europë
Tani janë katër evropianët e rinj, që pengojnë. Në krye kryeministri hungarez Viktor Orban. Kuota duhej të ishte në fakt në interes të tij, sepse Hungaria lehtësohet nga BE pas fluksit të madh refugjatëve në muajt e fundit. Polonia dhe shtetet Baltike kanë qenë të parat, që kanë kundërshtuar kuotat e marrjes së refugjatëve. Pak para mbylljes së portës ata bënë një kthesë pragmatike dhe tani quhen papritmas të "mirët" në Evropë.
Në kuartetin e të "këqinjve", që votuan kundër kuotave, bëjnë pjesë përveç Hungarisë, Rumania, Sllovakia dhe Republika Çeke. Presidenti rumun Klaus Iohannis ka humbur kështu një shans të madh, për ta profiluar veten si një evropian të bindur. Për shkak të paqes së brishtë të politikës së brendshme në Bukuresht ai preferoi që ta sillte lojën e vogël nacionaliste të autoktonëve në Bruksel. Kryeministri sllovak Robert Fico bëri të ditur madje se do të ngrejë padi në Gjykatën Evropiane kundër vendimit. Edhe homologu i tij çek Bohuslav Sobotka e kundërshtoi sistemin e kuotave, por ai do të heqë dorë nga padia. Ndryshe nga Sllovakia Republika Çeke dhe Rumania kanë ndërmend ta zbatojnë në fund të fundit vendimin.
Nuk ka barazim të kushteve të jetesës
Një argument i "së keqes" megjithatë duhet të pranohet në Bruksel: Nuk është e pranueshme që të kërkohen të njëjtat standarde në sjelljen me refugjatët dhe azilkërkuesit, pa krijuar më parë standarde të krahasueshme për qytetarët në të gjitha vendet e BE-së. Në paketën e përgjithshme, që do të duhej të ishte bërë gati, bën pjesë sigurisht edhe politika e përbashkët financiare dhe ekonomike. Shumë të mëdha janë dallimet mes vendeve të pasura dhe të varfra në shtëpinë e përbashkët evropiane. Nëse bërthama e vjetër e Evropës dëshiron të arrijë pranimin e politikave të saj nga të gjitha vendet e BE-së, duhet t'i marrë po aq seriozisht sa popullsinë e vet edhe problemet e njerëzve të thjeshtë në shtetet e reja anëtare.
Që me krizën greke BE-ja ka filluar të lëkundet. Tani kriza e refugjatëve do e trondisë akoma më shumë strukturën e lodhur. Do të ishte e papërgjegjshme që të vihet në qendër të politikës së BE-së sigurimi i kufijve të jashtëm dhe ndihma masive në lidhje me Sirinë duke neglizhuar gjendjen në shtëpinë tënde. Pasojat e një politike të tillë janë tashmë të dukshme. Gjithnjë e më shumë njerëz distancohen nga elitat politike, po përhapet mosbesim dhe zemërim, rrymat populiste dhe ekstremiste po forcohen. Një krizë e rendit demokratik do të ishte gjëja e fundit, për të cilën BE ka nevojë tani. "Ne do t'ia dalim", kështu i motivon kancelarja Angela Merkel vazhdimisht partnerët e saj. Por askush nuk duket se e di me të vërtetë, si do të arrihet kjo. Aq më pak pas samitit të BE. Kaosi evropian kalon në raundin e tjetër.