“Zonjë e Hekurt” sipas Ramës
Pa dashje kryeministri Rama ka bërë një autogol duke deklaruar se zonja Victoria Nuland, ndihmëssekretare e Departamentit Amerikan të Shetit, është një “zonjë e hekurt”. Po pse qenka një zyrtare e nivelit të dytë apo të tretë në Departamentin Amerikan të Shtetit “Zonjë e Hekurt”, ku ajo nuk ka asgjë në dorë. Është një zyrtare e përkushtuar, një grua e bukur, një zonjë e nderuar dhe asgjë me shumë. Ajo nuk është Presidente e SHBA, as Sekretare Shtetit, as kryeprokurore. Thjesht një negociatore ose korriere e mesazhit nga Departamenti i Shtetit. Natyrisht e respektuar dhe duhet pranuar se ka një karizëm të pëlqyer në publik, por kaq e jo me tepër. Nuk mundet ti thuhet një zyrtare normale “Zonjë e Hekurt”. Kurrsesi ! Bile e ka fyer Edi Rama atë zonjë amerikane e cila vjen nesër në Tiranë me një mision. Por ajo nuk vendos. Ajo flet, përcjell direktivat, dëgjon dhe raporton. Asgjë me shumë. Ajo nuk vendos asgjë.
“Zonjë e hekurt” ka vend për ish-kryeministren e Britanisë së Madhe Margaret Theçer apo sot për Kancelaren gjermane Angela Merkel e cila drejton Bashkimin Europian. Mund të thuhet edhe për Hillary Clinton, një grua zonjë, politikane brilante dhe kandidate potenciale për të fituar presidencën amerikane në nëntor. Por jo për zyrtaren Nuland !
Duke dashur të tregojë se po vjen një njeri që e mbështet Ramën dhe se e di se çdo thonë të dy ende pa ardhur ajo, kryeministri Rama fillon e përgatit terrenin se “kisha takim me një grua “Zonjë e hekurt”. Pra për të thënë me presion publikut se mua me takoi dhe mbështeti një “Zonjë e Hekurt”.
Zonja Nuland është një grua e brishtë, dhe as që i afrohet as hekurit e as çelikut në raport me Theçer, Merkel apo Clinton. Ajo vjen, bisedon dhe ikën. Mesazhi që ajo sjellë në çantë është i SHBA. Shpërdorimi i togfjalëshit “Zonjë e Hekurt” nga Rama shkatërron thelbin e kuptimit “të hekurt”. Duhet që njeriu të ketë votë popullore që të vendos për vendime të mëdha, siç mund të thuhet për ish-kryeministren britanike që kur firmosi te sulmohen ishujt Malvine të pushtuara nga Argjentina, u dridh Bota dhe krejt gjeneralët britanikë. Apo kur Merkel vendos për fatin e Europës. Këto janë “Zonja të Hekurta”. Apo Hillary Clinton për të cilën lutem që të zgjidhet ku të shpëtojë Amerikën dhe Botën.
Por duket se Rama nuk i ka punët mirë as në koalicion e jo më me opozitën dhe për tu dukur i fortë pas fotos me Obamën deklaron se po vjen një “Zonjë e Hekurt” të më takojë. Një shantazh publik që nuk e ha njeri tani pas 25 viteve demokraci. Miqësinë dhe Aleancën me SHBA nuk e përcakton as Nuland e as Rama. Ajo mbetet në rrënjët e historisë së popullit shqiptarë dhe nuk e zbeh apo nuk e forcon me shumë apo ta zbeh as Rama, as Berisha, as Meta e as Basha.
Edhe nëse duan të lajthisin të katër të na prishin me SHBA, nuk e pranon populli shqiptar.
Ndaj mos e fyeni zonjën e bukur Nuland duke e futur në hekur, por lëreni kaq të bukur e të brishtë sa është ajo. Edhe ajo kur ta dëgjojë se e kanë quajtur të hekurt do të buzëqesh dhe do të thotë me siguri se “ më mirë Nuland siç jam nga prindërit se sa me hekur e çelik “.
Po vjen Vitoria Nuland dhe mos ia prishni bukurinë, asaj që do të vijë e të kthehet shpejt, pasi është korrik dhe është shumë nxehtë ta vishni edhe me hekur !
Spiten Prulli