Kosova shpëtoi nga copëtimi

Në kohën që krerët e shtetit të Kosovës kanë anuluar takimet me Serbinë në SHBA, dje në Uashington ka udhëtuar ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Vizita e papritur e zëvendësit të Edi Ramës lidhet pikërisht me anulimin e takimit të 27 qershorit mes Kosovës dhe Serbisë, pas padisë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ministri në detyrë Cakaj është pritur në takim nga i dërguari Special i Presidentit Trump për Negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, Ambasadori Richard Grenell.

Në një postim në rrjetet sociale, Cakaj jep detaje mbi bisedën me diplomatin e lartë amerikan. “Për sqarim: S’ka marrëveshje të fshehtë, as plane për ndarje të Republikës së Kosovës, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veç përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik e forcuar popullin e Republikës së Kosovës ndërkombëtarisht me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”.

Të gjitha këto janë thënë më herët nga administrata e SHBA dhe disa herë në deklarata zyrtare dhe intervista për mediat e Kosovës nga Richard Grenell. Diplomati Grenell pak ditë më parë u shpreh se shkëmbimi i territoreve nuk është një ide e Shtëpisë së Bardhë, por një tezë personale e ish-Këshilltarit për Sigurinë, John Bolton. Gjithashtu, Grenell ka deklaruar më shumë se një herë se nuk do të ketë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, por një pakt që më shumë synon zhvillimin ekonomik. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim në politikën e SHBA ndaj Kosovës dhe mënyrës sesi mendohet arrija e marrëveshjes me Serbinë. Ndryshimi qëndron pikërisht në deklaratën e zëvendësit të Edi Ramës. Fakti që edhe përfaqësuesi i qeverisë së Tiranës thotë hapur se nuk ka plan për ndarje apo shkëmbim territoresh është një zhvillim i ri për politikën tonë të jashtme. Deri dje, as Edi Rama dhe sigurisht as Gent Cakaj nuk kanë mohuar që në tavolinën e diskutimeve mes Serbisë dhe Kosovës është shtruar çështja e kufijve. Kryeministri Edi Rama është pyetur disa herë për këtë çështje dhe i është shmangur përgjigjes në mënyrë direkte. Po ashtu edhe Gent Cakaj, si përfaqësues i diplomacisë ka deklaruar disa herë se detajet e marrëveshjes janë në dorë të Serbisë dhe Kosovës. Pavarësisht se qeveria “Rama” nuk ka përkrahur zyrtarisht idenë e diskutimit të kufijve, fakti është se indirekt nuk e ka hedhur poshtë këtë tezë. Madje, zëra të veçantë publike pro kësaj teze janë mbështetur për të lobuar në favor të diskutimit të kufijve. Qeveria “Rama”, si pjesë e nismës së John Bolton dy vite më parë, me apo pa dashje është bërë pjesë e kësaj skeme edhe për faktin se ka nxitur vijimin e dialogut mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçit për prekjen e temave të tilla. Sigurisht Tirana nuk ka në dorë fatin e negociatave Kosovë-Serbi, por qëndrimet e gabuara dhe mbështetja e tezave të dëmshme ndaj Kosovës kanë ndikim kur serviren nga qeveria jonë. Dhe ky është gabimi kryesor i diplomacisë shqiptare, se mbështeti një tezë që nuk ishte qëndrim zyrtar i SHBA dhe për më tepër dëmtonte direkt interesat e Kosovës. Bile për këtë qëndrim antindarje të Kosovës u shkarkua Ministri Jashtëm Ditmir Bushati. Ai ka folur indirect por ka ardhu koha që Bushati të flaës edhe më hapur se kush e donte copëtimin e Kosovës për të arritur marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës. Edhe ish-kryeministri Haradinaj ka akuzuar Thaçin dhe Ramën se kanë lobuar për ndarjen e Kosovës. Tashmë që takimi është anuluar qeveria “Rama” në Tiranë ka shpejtuar të shkojë në SHBA dhe distancohet nga çdo projekt për kufijtë dhe pakte të fshehta. Deklarata e djeshme e Gent Cakaj kundër ideve që dëmtojnë Kosovën është një hap pozitiv për politikën tonë të jashtme. Vetëm se është një qëndrim që nuk duhet të thuhej pasi projekti u denoncua nga SHBA dhe ambasadori Richard Grenell, por që në momentin që u propozua diçka e tillë. Kjo tezë ka të paktën dy vite që është hedhur në qarkullim dhe pjesë e thashethemeve që e mbajtën gjallë atë ishin dhe qëndrimet e gabuara të qeverisë së Tiranës dhe të Edi Ramës.

Tani që projekti Thaçi-Vuçiç ka vdekur, po nxiton edhe qeveria e Tiranës të lajë duart nga loja e fshehtë mes treshes së dikurshme Vuçiç-Thaçi-Rama.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP