Krijohet shoqata “TIRONA INTELLECTUM” nga disa personalitete tironase
Krijohet Shoqata “TIRONA INTELLECTUM”
Ne, përfaqësues të disa familjeve autoktone tiranse, vendosëm të krijojmë një shoqatë për të përfaqësuar denjësisht dhe realisht Tiranën dhe komunitetin e saj. Krijimi i kësaj shoqate është bërë imperativ, pasi identiteti dhe trashëgimia historike, kulturore dhe arkitekturore e Tiranës po humbasin çdo ditë. Grupi nismëtar i krijimit të shoqatës përbëhet nga pinjollë të familjeve autoktone tiranase: Bogdani, Llagami, Tabaku, Gjinali, Mulleti, Arbana, Zela, Vaqarri, Farka dhe Kusi.
Shoqatës së re ja vumë emrin “Tirona Intellectum” për këto arsye:
“Tirona” – për të evidentuar dhe theksuar me krenari, në dialektin tonë, emrin e qytetit tonë të dashur, ashtu siç e thërrisnin të parët tanë.
“Intellectum” – jo vetëm sepse të gjithë nismëtarët janë intelektualë “par excellence”, të shkolluar madje dhe në univeritetet më prestigjoze të botës dhe me titujt akademikë, por edhe sepse komuniteti jonë ka pasur historikisht dhe ka intelektualë fisnikë e njerëz të shquar, ndryshe nga etiketimet e bëra.
Harmonizimi i emrit tonë dialektor dhe fjalës së bukur latine përcjell një mesazh simbolik.
Misioni i “Tirona Intellectum” është të evidentojë, të ruajë dhe të promovojë: Identitetin e qytetit, të komunitetit dhe të trevës tiranse; Vlerat dhe cilësitë e mira të tiranasve si qytetarë; Vlerat historike të qytetit; Vlerat patriotike të popullit tiranas; Trashëgiminë kulturore dhe artistike të qytetit dhe të komunitetit; Trashëgiminë arkitekturore të qytetit; Evidentimin e intelektualëve dhe veprimtarisë së tyre në përhapjen e zhvillimit, kulturës dhe identitetit tiranas.
Shoqata “Tirona Intellectum” do të ngrihet e funksionojë mbi baza integriteti, demokratike, transparente dhe të hapur. Të gjithë tiranasit autoktonë qytetarë, por edhe ato të lindur e rritur në Tiranë, që e duan Tiranën dhe janë gati për të kontribuar për të, konform misionit të shoqatës, janë të mirëpritur të bashkohen e të bëhen anëtarë të saj.
Shoqata “Tirona Intellectum” së shpejti pritet të aprovohet nga Gjykata e Rrethit Tiranë. Ajo ka dhe faqen e saj në facebook me të njëjtën emër.
Përurimi i saj do të bëhet më 26 nentor, datën e ngritjes së flamurit në Tiranë. Jemi krenarë që ndër nismëtarët janë dhe tre pinjollë të dy patriotëve tiranas, nënshkrues të Telegramit të Pavarësisë së Tiranës, Abdulla Gjinali dhe Haxhi Jusuf Banka. Jeni të mirëpritur të na bashkoheni në këtë ditë simbolike për Tiranën tonë, por edhe të inagurimit të shoqatës “Tirona Intellectum”.
Themeluesit,
Prof As. Mirela Bogdani, Dr. Mirela Tabaku, Ing. Rudina Llagami, Prof. As. Enkelejda Gjinali, Ilir Mulleti, Sevim Arbana, Dott. Ing. Ardian Llagami, Ela Zela, Dr. Dashamir Vaqarri dhe Prof. Mira Farka.