Krimin e quajnë verior

Nga Frrok Çupi

Po ndjek me një tempestivitet të lartë ngjarjet që po ndodhin në Kuvendin e Shqipërisë. Dje u dënuan me "arrest" dy deputetë të Veriut, Tomë Doshi dhe Mark Frroku. Në rrugën e burgut janë edhe dy deputetë të tjerë të Veriut: Ben Ndoka dhe Pjerin Ndreu. Gjovalin Kadeli i Lezhës u hoq nga lista e Amerikës. Mëhill Fufin e Kurbinit (po në Veri) e kanë ngarkuar "me gjak në kurriz"; ky është më keq se në burg. Sipas dëshmive, ende të pakundërshtuara, kryetari i Kuvendit e ka njoftuar se "është organizuar një atentat për vrasjen" e deputetit.

Akuza e "dy martirëve" të djeshëm nga Veriu, është e ndarë më dysh: Gjysma iu përket Doshit dhe Frrokut, gjysma tjetër i përket Metës (kryetar i Kuvendit) i ardhur nga Skrapari. Prokuroria e kishte formuluar akuzën kështu: "Këta deputetë kanë sajuar një skenë vrasjeje me qëllim që të akuzohet kryetari i Kuvendit" (Pak a shumë). Sikur nuk qenka prokuroria organ i akuzës, por secili që "nuk e ka qejf udhëheqja". Udhëheqja ka qëlluar nga viset e tjera të Shqipërisë, ndërsa "krimi" është verior. Një jetë të tërë që diktatorët komunistë dhe bijtë e tyre, përpunojnë këtë fantazëm krimi: "Atje në Veri rriten kriminelë". Edhe fëmijët i kishin frikësuar me këtë fantazëm.

Hap pas hapi kështu kishte bërë diktatura komuniste.

1.

Kur thanë se "u çlirua Mirdita" nga nazistët gjerman, mbasditen e 26 tetorit 1944, nuk mundën të paraqesin asnjë rob armik, asnjë armë të armikut, qoftë edhe një copë nga veshjet e nazistëve. Të nesërmen komunistët shpallën fitoren mbi armikun ku ishin vrarë rreth 400 vetë. Por të 400 të vrarët ishin shqiptarë të Mirditës, gra e burra. Mes kryesorëve ishin djemtë e kapedanit të Oroshit, bajraktarë, kryepleq, udhëheqës të urtë, dhe disa mësues ose të tjerë që kishin studiuar në Romë o në Vjenë. Lufta civile  në Mirditë, e organizuar dhe udhëhequr nga komunistët, u konsiderua "çlirim i Mirditës".

Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryeministër, më 26 tetor të vitit që shkoi u shfaq në Mirditë ku festoi Luftën Civile alias Çlirim.  

2.

Mbas çlirimit të atdheut "nga hordhitë naziste", udhëheqja komuniste kishte edhe një merak tjetër në malet mbi Nënshkodër e në krah të Mirditës. Mashtruan pesë djem të Shkodrës e Milotit dhe i dërguan për të vrarë edhe disa fshatarë antikomunistë në Kashnjet ose në Kaçinar të Mirditës. Këta të pesë u vranë nga njerëzit që nuk e duronin komunizmin. Udhëheqja e diktaturës i shpalli "Heronj të Vigut", por kurrë nuk i bëri dëshmorë. Edhe absurdi komunist nuk mund të pranonte se mund quhesh dëshmor duke luftuar kundër fshatarëve të tu. Por komunizmi i shtyu pesë djem të Veriut kundër popullit të Veriut.

Në gjithë jetën e socializmit, letërsia dhe propaganda komuniste, i paraqiti njerëzit e Veriut si "të egër dhe të pabesë". Për vete, komunizmi fërkoi duart sepse "në Veri i vemë njërin kundër tjetrit". Edhe kur ndodhi që deputetin Tomë Doshi e Paulin Sterkaj e disa veriorë të tjerë i përdoren për të sulmuar selinë qeveritare në Tiranë, me këtë psikozë nga komunizmi i përdoren. Edhe kur e futen Tomë Doshin (një eksponent antikomunist) që të shërbente në Shkodër në favor të Socialistëve (ish- komunistë), po me këtë qëllim e përdoren.

3.

I vetmi moment i "sinqertë" i komunizmit ishte kur dërgoi në Veri një oficer të Sigurimit të Shtetit me emrin Hodo Habibi. Para se të hynte në Veri, u lëshua urdhëri që  të thërritet jo me emrin e vet, por "Toger Baba". Deri sa vdiq në "lumturinë e tij", kurrë nuk ia mësoi njeri emrin, veç emrin e "Gestapos". Toger Baba në fakt ishte një xhelat që e shërbeu komunizmin "ashtu siç ia donte nderi". Shiko çfarë aktesh janë shënuar në Veri; dmth., çfarë krimesh kryente ai kundër malësorëve: Grave iu fuste macet në benevrekë dhe i linte në diell që t'i shqyente kafsha e egërsuar. Burrave iu ngulte fije shkrepsash mes thonjit dhe mishit dhe ua ndiste me shkrepse. Ata që kishin shkprehur ndonjë fjalë kundër komunizmit, i thërriste mes familjarëve dhe fshatarëve dhe urdhëronte: "Lidhe vetë litarin në lis".

Ka vdekur i qetë, për shkak të moshës, në Berat.

4.

Edhe një episod nga epoka e re e djemve që "nuk kanë paragjykime" mbi Veriun ose jo- Veriun: Kryetari i Partisë Socisliste në opozitë (aktualisht kryeministër), vizitoi qytetin e Kukësit ku viktima më e fundit e regjimit të diktaturës ishte Havzi Nela, poet, i varur në vitin 1988 për "letërsi disidente". Në atë vit, bisha komuniste ishte tërhequr e po tërhiqej nga gjithë vendet e Lindjes, veç nga komunizmi shqiptar vriteshin poetë disidentë…

Kështu po e vizitonte Kukësin për herë të parë kryetari i opozitës, tani kryeministër. E vërteta se ky ndjeu neveri për ato vise dhe ata njerëz. Nuk e përmbajti veten as para kamerave dhe tha se "Këtu më neveritet atdheu".

Edhe në qytetin e Shkodrës u paraqit si i bzdisur pasi mori pushtetin e lartë. "Po të vish kështu, ma mirë mos na vizito më", i thanë shkodranët.

 

… Këto janë episodet.

Tani shfaqen gjithë deputetët nga Veriu që quhen "të krimit".

EPILOGU

Kur Partia Socialiste (ish- komuniste) fitoi zgjedhjet në qershor të viti 2013, atëherë nisën të dëgjohen zëra frike se këta do të krijojnë preferenca ose neveri lokale mes zonave të ndryshme të Shqipërisë. Ideja vinte nga eksperiencat makabre të periudhës së diktaurës komuniste. Atëherë, të gjithë shqiptarët të rënditur në ferr, për veriorët ishte akoma më keq. Komunizmi  ndërtoi urrejtje ndaj zonave ku hyri me vështirësi.

Burgosja e fundit e deputetëve të Veriut (burgosje në masë), iu solli njerëzve në mendje pyetje të shumta. Pyetja më e thjeshtë "pse vetëm përfaqësuesit e Veriut bëjnë krime?". (Edhe sikur të kishte krim?!).  Akuzat e montuara ndaj deputetëve nuk po pranohen në ndërgjegjen e njerëzve. Hetimi, i cili ka për aktorë jo vetëm deputetë nga Veriu, e vari gjithë peshën e krimit në Veri. Ka një peshë shumë të madhe në mentalitetin e frymësuar nga diktatura se "çfarëdo që ndodh për keq, ndodh nga veriorët". Udhëheqja e re e post- komunistëve nuk mundi ta fshijë këtë mentalitet as nga zyrat e qeverisë dhe të parlamentit. Të vetmet zona ku nuk ka menduar njeri për ndonjë investim, ose për ndon jë lungo- mare, ose për ndonjë lungo- strada,… janë zonat e veriut. Edhe ndarja e re teritoriale, sipas ekspertëve dhe opozitës, është bërë në këtë mënyrë me qëllim që nga Veriu të ketë më pak përfaqësues deputetë e këshilltarë…

Burgosja në radhë e deputetëve të Veriut është veç një akt.

Por padyshim kjo është një vepër e politikës shtetërore, që nuk gjen përkrahje kombëtare, në asnjë zonë të vendit, as në Jug as në Veri

KOHA JONE

SHKARKO APP