“Kriminelët”, Basha sfidon Edi Ramën

 
Procesi i dekriminalizimit të politikës nuk ka mbetur vetëm tek fjalët dhe premtimet politike në këto zgjedhje vendore. Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha kanë bërë një hap pozitiv duke dhënë mesazhe edhe për partitë e tjera. Prej dy ditësh, PD-ja i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve çregjistrimin e kandidatit të saj në Bashkinë e Këlcyrës, Gentian Muhametaj. Argumenti i çregjistrimit lidhet me dyshimet për problemet me drejtësinë që ka pasur Muhametaj disa vite më parë. Ky hap i Bashës, që mund të sjellë dhe kosto politike në këtë zonë për PD-në, është gjesti i parë kur një parti me vetëdije heq nga gara një kandidat të dyshuar me rekorde kriminale. Vendimi i kreut të PD-së është përshëndetur dje nga Ambasada Amerikane në Tiranë, një institucion që ka folur mjaft shpesh për kandidatët me probleme dhe ka kërkuar largimin e tyre që në momentet kur fushata nuk kishte nisur. Në njoftimin e ambasadës së SHBA-ve, teksa vlerësohej Basha, inkurajohen edhe partitë e tjera për të vijuar me pastrimin e politikës. Subjektet e tjera politike që kanë kandidatë potencialë për të fituar janë PS dhe LSI, ndaj thirrja duket se është një apel drejtuar këtyre forcave. Fakti që nuk përmenden emra për të mos ndërhyrë dhunshëm në garë është vetëm një mënyrë për t’u lënë kohë partive të reflektojnë. A do të jenë në gjendje partitë e majta që të rishikojnë edhe një herë dosjet e disa kandidatëve, kjo do të mbetet në dorë të kryetarëve për të vendosur. Megjithatë Basha ka hedhur dorezën e sfidës, duke treguar se nuk është tabu të largosh nga radhët e partisë njërëz që rezultojnë me probleme.
Vendimi i PD-së ngre dhe pikëpyetje të tjera, lidhur me arsyet se përse një kandidat i tillë është futur në garë? Apo pse nuk u tërhoq që në ditët e para të kandidimit? Pavarësisht këtyre ia vlen të vlerësohet vendimi i fundit i Bashës, ai për çregjistrimin e kandidatit, dhe ky është një sinjal pozitiv. Partia Demokratike prej gati dy vitesh e ka bërë kauzë kryesore të saj çështjen e dekriminalizimit, ndaj lejimi i një kandidati të tillë në radhë të parë ishte një dëshmi e dy standardeve në politikë. Basha zgjodhi të mos përdorë shprehjen “bëni siç them unë, por mos bëni siç bëj unë”, duke e larguar një emër problematik nga radhët e tij. Gjasat janë që ky të mos jetë kandidati i vetëm me probleme, por mesazhi është i qartë. Dyshime për kandidatë me probleme me drejtësinë brenda radhëve të kandidatëve të majtë janë bërë publike dhe në media. Megjithatë, deri më sot nga radhët e PS-së nuk ka pasur asnjë largim nga gara, siç është rasti i PD-së në Këlcyrë. Por nuk është ende vonë. Në 20 ditët që na ndajnë nga fushata zgjedhore, partitë mund të gjejnë forma të ndryshme për të hequr ata pak emra që qarkullojnë në Jug dhe në Veri si problematikë me ligjin dhe me dosje penale kryesisht jashtë Shqipërisë. Justifikimi se do shkelet ligji nuk vlen. Ligji është shkelur me mijëra herë duke u dhënë mundësi njerëzve me të kaluar të errët të jenë në Kuvend dhe të drejtojnë bashki e komuna. Ndaj le ta shkelin një herë ligjin për të nxjerrë nga gara njerëzit që ligjin e shkelin gjithë ditën. Teksa PD-ja rrezikon elektoratin e saj duke bërë lëvizje të tilla me kandidatët, për koalicionin e majtë që shprehet më i sigurt në fitore ndryshimi i kandidatëve mund të ketë më pak kosto politike. Mbi të gjitha, ka më pak kosto largimi në mes të garës, sesa largimi kur shpallen fituesit.
Lulzim Basha bëri një hap të guximshëm dhe tregoi se del edhe mbi skalionet e djeshme të PD-së të lidhur me qarqe kriminale. Ndërsa në kampin e majtë asnjë lëvizje deri dje, ndonëse nuk janë pa njërëz me probleme me ligjin e të kaluar kriminale.
 
Diçka po ndodh në PD dhe ajo është pozitive. “Topi” tashmë mbetet në fushën e Edi Ramës dhe Ilir Metës.

SHKARKO APP